7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Ish-drejtori për Arsim në Prizren dëshmon në rastin e drejtoreshës së shkollës “Mustafa Bakiu”

Ish-drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Komunën e Prizrenit, Zijadin Shemsedini, të martën, gjatë gjykimit në rastin e drejtoreshës së shkollës fillore “Mustafa Bakiu”, Behare Kryeziu, e cila akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar, ka deklaruar se gabimet në dokumentet e lëshuara nga shkollat ndodhin si pasojë e punës në mënyrë shabllone.

Dëshmitari Shemsedini, ka thënë se gjatë punës së tij në DKA, ka vërejtur se në dokumente të ndryshme ka pasur gabime teknike si pasojë e punës në shabllone dhe se dokumente të tilla, sipas tij, i kanë kthyer në shkollat përkatëse për përmirësim.

Ai rreth rastit konkret, ku Behare Kryeziu, akuzohet se ka falsifikuar një vërtetim të praktikës, ka thënë se ka kuptuar pasi që është anuluar një konkurs, ku ishte konkurruar me vërtetimin në fjalë, megjithëse konkursi ishte anuluar për arsye tjera.

Dëshmitari pa dashur ta specifikojë se nga kush ka kuptuar për një situatë të tillë, ka thënë se kur ka dëgjuar për vërtetimin në fjalë, i ka telefonuar të akuzuarës, e ka ftuar në zyrën e tij dhe se i ka thënë se nëse është lëshuar një vërtetim i tillë, atëherë nuk është vepruar mirë sepse është i kundërligjshëm.

Mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Kujtim Kërveshi, e ka pyetur dëshmitarin nëse e ka parë ndonjëherë vërtetimin në fjalë dhe nëse ka dërguar dikë nga DKA-ja që të vërtetojë të dëgjuarat rreth vërtetimit.

Dëshmitari është përgjigjur se ai kurrë nuk e ka parë vërtetimin e pretenduar si të falsifikuar dhe se nuk ka dërguar askënd për të vërtetuar nëse është e vërtetë se është lëshuar një vërtetim për një praktikë, e cila nuk është bërë.

Në këtë seancë, avokati Kërveshi, ka propozuar që të administrohen disa vendime disiplinore kundër paraqitësit të kallëzimit penal dhe dëshmitarit kryesor të kësaj çështje, duke thënë se këto dëshmojnë motivin e tij dhe se ai ka qenë i pezulluar kur ka paraqitur rastin në polici.

Ndërsa, prokurori i rastit, Metush Biraj, ka propozuar që trupi gjykues të shqyrtojë origjinalin e librit të protokollit të shkollës “Mustafa Bakiu” në Prizren, për të vërtetuar nëse në rubrikën me numër rendor 127 ka manipulime të të dhënave.

Kërveshi ka kundërshtuar propozimet e prokurorit me arsye se të njëjtat veprime, sipas tij, është dashur organi i akuzës t’i ndërmerr gjatë fazës hetuese e jo tani, duke shtuar se vetë fakti se prokuroria ende nuk i posedon origjinalet e vërtetimit dhe librit të protokollit, të pretenduar si të falsifikuar, vërteton qëllimin e kësaj aktakuze.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Skender Çoçaj, ka aprovuar propozimet e prokurorit, ndërsa propozimet e avokatit i ka refuzuar me arsye se nuk ndërlidhen drejtpërdrejtë me objektin e aktakuzës.

Seanca e radhës së këtij gjykimi do të mbahet më 30 prill 2018, në ora 09:30, ku pritet që e akuzuara të jep mbrojtjen e saj, ndaj akuzave me të cilat ngarkohet.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, akuzon Behare Kryeziun se në cilësinë e drejtoreshës së shkollës “Mustafa Bakiu” në Prizren, ka përpiluar një vërtetim me të dhëna të rreme, të cilin më pas e ka nënshkruar dhe vulosur, në mënyrë që të përdoret për punësim.

Sipas aktakuzës, e akuzuara ka lëshuar vërtetim për Suzana Ajazajn, kinse ajo ka bërë zëvendësimin e një edukatoreje të shkollës në fjalë, në periudhë prej gjashtë muajsh, i cili vërtetim më pas do të përdorej nga Ajazaj për të konkurruar për punësim si edukatore.

Andaj, organi i akuzës, pretendon se e akuzuara Kryeziu, me veprimet e saj ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, andaj e njëjta rrezikon të dënohet me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Vdes aktorja shqiptare, Shirine Morina

Ka vdekur aktorja e njohur e skenës artistike të Kosovës, Shirine Morina. Vdekjen e saj e bëri të ditur, deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci. Ai thotë...

Serbia paraburgos kosovarin që e ndaloi dje, akuzohet për krime lufte

Policia serbe ka arrestuar një kosovar me pretendimet se i njëjti si ish-pjesëtar i UÇK-së, ka kryer krime luftë kundër popullatës serbe. Bëhet fjalë për...

Lajmet e Fundit