16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha dëshmon në procesin gjyqësor lidhur me tenderin për kuzhinën e FSK-së

Ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha, që lidhur me këtë pozitë ka kaluar shumë procese gjyqësore si i akuzuar për korrupsion, i është dashur që përsëri të paraqitet në gjykatë.

Hoxha, këtë të mërkurë në sallën e gjykimit ishte ftuar që të jep dëshminë e tij lidhur me pretendimet e prokurorisë se zyrtarët e OSHP-së, Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu, në lidhje me tenderin “Furnizim, përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)”, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare

Sipas Hysni Hoxhës, në lidhje me tenderin “Furnizim, përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)”, nga OSHP-ja, pas ankesës së kompanisë “Florenti&Korabi”, ka caktuar një ekspert të brendshëm për ta trajtuar çështjen, i cili ekspert më pas i kishte rekomanduar panelit shqyrtues të cilin e udhëheqtë vet Hoxha, që ta refuzonte një ankesë të tillë.

Dëshmitari theksoi se kolegji shqyrtues i kryesuar nga ai dhe në përbërje të tani dy të akuzuarve me shumicë votave kishte vendosur që aprovonte ankesën e së kompanisë “Florenti&Korabi” dhe në këtë formë kishte anuluar tenderin FSK-së, si operator ekonomik.

Hoxha tha se ai sipas bindjes së lirë kishte votuar që ajo ankesë të refuzohej, ndërsa dy anëtarët tjerë, po ashtu sipas bindjes së lirë që ajo ankesë të aprovohej.

“Me rastin e votimit për këtë çështje, dy anëtarë të panelit kanë nda mendimin përballë vendimit të kryetarit shqyrtues, prandaj thash kjo merret me shumicë të votave”, tha Hoxha.

I akuzuari Ekrem Salihu, kërkoi të dijë nga Hoxha se me rastin e anulimit të një tenderi  a ka dëm material dhe po ashtu kërkoi të dijë se gjatë kohës sa ka qenë duke e udhëhequr OSHP-në, afërsisht sa vendime kanë qenë për anulimin e procedurave të tenderimit.

Në lidhje me këto pyetje, Hoxha tha se ai nuk mendon se me rastin e anulimit të një procedure të tenderimit duhet të ketë dëm material për dikë pasi sipas tij mund të përsëritet ai aktivitet i tenderimit ndërsa rreth asaj se në sa raste OSHP-ja ka anuluar procedurat e tenderimit, dëshmitari shtoi se rreth diku 10% nga të gjitha vendimet.

“Dihet se OSH-ja gjatë vendimmarrjes ose e aprovon ankesën e operatorit ekonomik dhe anulon vendimin e autoritetit kontraktues ose e refuzon ankesën dhe vërteton vendimin  e autoriteti kontraktues ose e anulon krejt vendimet e prokurimit, mujnë me qenë rreth 10% te të gjitha vendimeve të anulohen, afërsisht po them”, theksoi ai.

Dëshmitari po ashtu u pyet nga prokurori Ibrahimi se çka është zhvilluar në OSHP, në kohën kur Tefik Sylejamani është emëruar ushtrues i detyrës së këtij institucioni pas largimit të tij nga ky organ por ai refuzoi të deklarohet për zhvillimet pas dorëheqjes së tij më 15 janar 2016.

Në fund të kësaj seance, prokurori Ibrahim Berisha, e prezantoi një shkresë të Ministrisë së Forcës së Sigurisë, me të cilin ajo Ministri ka pohuar se nga kjo procedurë e tenderimit nuk kanë pësuar ndonjë dëm material por kanë pësuar dëm moral sepse i është dëmtuar imazhi dhe besueshmëria.

Ndryshe, me aktakuzën e prokurorisë, pretendohet se me veprimet e të akuzuarve MFSK-ja, ka pësuar dëm të konsiderueshëm material.

Përpos prokurorit, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Tefik Sylejmani, avokati Hekuran Haxhimusa, prezantoi para trupit gjykues një vendim të OSHP-së, të 28 gushtit 2018, sipas së cilit paneli shqyrtues i prokurimit ka aprovuar ankesat e operatorëve ekonomik dhe ka anuluar tenderin e njëjtë për të cilin akuzohen tash Sylejmani e Salihu.

Haxhimusa tha se këtë vendim po e prezanton për të parë nëse prokuroria do të akuzon edhe panelin shqyrtues aktual të OSHP-së, të cilët e kanë anuluar një tender.

“Prapë OSHP-ja e ka kthy në rivlerësim si në rastin konkret, në panelin që është aktualisht për të njëjtin tender, tash po e këqyrim a po akuzohen edhe ata”, tha Haxhimusa

E prokurori Ibrahimi i tha se njëjtë do të veprojë për të gjitha ata që shkelin ligjin.

“Gjithsesi, për krejt ata që e kanë shkelë ligjin, kjo nuk ka të bëj fare me çështjen e cila është duke u gjykuar por e prezanton një vendim që po zhvillohet në një procedurë administrative dhe nuk kurrfarë baze ligjore dhe nuk ka të bëj fare me çështjen”, tha prokurori Ibrahimi.

Ndryshe, seanca e radhës në të cilën do të behet administrimi i provave është caktuar për 21 shtator në ora 13:00.

Sipas aktakuzës, Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu, duke shfrytëzuar pozitën e tyre si anëtarë të OSHP-së, nga viti 2015 e deri më 19 maj 2016, kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre, duke vepruar në dëm të autoritetit kontraktues “Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, që kishte shpallur tenderin “Furnizim, përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK)-Loti 1”.

Për këtë tender kishin aplikuar operatorët ekonomikë N.H “Amazona”, “Oda Grup” SH.A, “Global Parajsa” dhe “Ciani Trading Servis”, SH.P.K “Beni Dona”, Plus dhe NPT. “Florenti dhe Korabi”.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit në kundërshtim me ligjin e kanë aprovuar ankesën operatorit ekonomik “Florenti&Korabi Company”, për tenderin “Furnizim përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) de MFSK-së-Loti 1”, dhe si pasojë kanë anuluar operatorët ekonomikë si të papërgjegjshëm.

Sipas prokurorisë, ka pasur më tepër se dy operatorë ekonomikë të përgjegjshëm të cilët me dokumentacion të kompletuar kanë marrë pjesë në tenderin e FSK-së dhe MFSK-së, por të akuzuarit e kanë kthyer tenderin në rivlerësim dhe e kanë shpallur të pavlefshëm.

Këtë vendim mbi aprovimin e ankesës së operatorit ekonomik “Beni Dona”, prokuroria pretendon se të akuzuarit, e kanë bërë duke votuar pa kuorum, me vetëm dy anëtarë.

Në bazë të aktakuzës, me këtë vendim, Tefik Sylejmani është caktuar në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të OSHP-së, dhe në të ka nënshkruar vet Sylejmani, e po ashtu edhe i akuzuari tjetër Ekrem Salihu.

Me anë të këtyre veprimeve, të akuzuarit pretendohet se i kanë sjellë dëm të konsiderueshëm material FSK-së dhe MFSK-së, të cilët më pas është dashur që të veprojnë në mënyrë emergjente për furnizimin me ushqim të FSK-së dhe MFSK-së./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Osmani: Më 24 mars të ’99-ës aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar aleancën veri-atlantike, NATO-n dhe ushtarët e saj për kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për Kosovën. Sot në...

Haradinaj: Absurde të gjykohen çlirimtarët e të lihen të lirë kriminelët

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në nderim e kujtim të të rënëve në Celinë, Fortesë e...

Lajmet e Fundit