9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Ish-prokurori Bajram Hamitaga tregon takimet me familjen e të akuzuarit dhe si e mori çadrën

Ish- prokurori Bajram Hamitaga, gjatë marrjes në pyetje të enjten ka deklaruar se nga familja Paqarizi ka marrë vetëm një çadër, e cila doli të ishte e dëmtuar.

Ai mohoi të ketë marrë ndonjëherë para nga kjo familje.

Në këtë proces gjyqësor, tani më prokurori i suspenduar Bajram Hamitaga akuzohet se ka kërkuar 5.000 euro nga familja e Granit Paqarizi, i akuzuar në një rast në Prizren nga vetë Hamitaga gjatë kohës sa ishte prokuror në Prizren.

Aktakuza ndaj Hamitagës u ngrit në shtator të vitit të kaluar, disa muaj pas një hulumtimit të Emisionit “Drejtësia në Kosovë” rreth takimeve me disa të akuzuar.

Së bashku me Hamitagën, në këtë proces gjyqësor i akuzuar është edhe ish- shoferi i Prokurorisë Themelore në Prizren, Luan Delili.

Hamitaga në seancës e së enjtes deklaroi se kositësen që e ka rregulluar te familja Paqarizi dhe ombrella që e kishte marrë nga ta ishte bërë gjatë kohës sa ka ushtruar detyrën e avokatit, e jo pasi që ka filluar të ushtrojë detyrën e prokurorit.

Madje ai deklaroi se po të mos qëllonte ombrella e dëmtuar atëherë do të paguante për të, derisa për kositëse “problemi ka qenë i vogël, për atë nuk i kanë marrë të holla”.

Ai nuk kontestoi se është njohur me familjarët e Granit Paqarizit edhe më herët, por tha se nuk kanë pasur ndonjë afërsi në mes vete.

I akuzuari Hamitaga pretendon se i gjithë komplikimi ka filluar kur Granit Paqarizi, të cilin po e ndiqte penalisht, në njërën nga seancat ka kërkuar përjashtimin e tij, madje edhe të kryetarit të trupit gjykues.

“Për një moment, Granit Paqarizi, tani i dëmtuari, e në atë rast i akuzuar, ka kërkuar nga kryetari i trupit gjykues që të ndërpritet shqyrtimi gjyqësor, me arsyetimin se prokurori është tendencioz, por ka dhënë vërejtje edhe në kryetarin e trupit gjykues pasi që nuk po i aprovon propozimet të cilat po i paraqiste i akuzuari gjatë shqyrtimit gjyqësor”, deklaroi Hamitaga.

Për shkak të kësaj, Hamitaga deklaroi se ka kërkuar nga kryeprokurori që të largohej nga ky rast, me ç‘rast edhe i është aprovuar kërkesa, duke caktuar një prokurore tjetër që ta përfaqësonte lëndën.

Por, Hamitaga deklaroi në gjykatore se në një takim me dy nga familjarët e Granit Paqarizit nuk është zhvilluar kurrfarë bisede rreth parave.

“Me rastin e takimit në hotelin ‘Piknik’ ka qenë i pranishëm vetëm Sahit Paqarizi dhe djali i tij Ramadan Paqarizi. Kurrfarë bisede për kurrfarë të holla nuk është zhvillu”, ishte përgjigjja e tij kundrejt akuzave të prokurorit.

Në seancën e radhës do të merret në pyetje i akuzuari tjetër, Luan Delili.

Pas kësaj, nga ky rast do të procedohet me fjalë përfundimtare para se të jepet verdikti i trupit gjykues.

Bajram Hamitaga ishte prokuror i rastit ku Granit Paçarizi akuzohej për armëmbajtje pa leje dhe pastaj edhe në rastin ku akuzohej për vrasje në tentativë.

Pas shpërthimit të këtij skandali për të cilin ekskluzivisht raportoi “Drejtësia në Kosovë”, rasti i Granit Paçarizit po gjykohet në Gjykatën e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hamitaga, i cili ka qenë prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015, në cilësinë e personit zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe djalin e tij, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Më Shumë

Policia në Prizren mbajti ligjëratë në shkolla mbi temën “Dhuna në Familje”

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim-DPP/Prishtinë, zbatuan Strategjinë e Inteligjencës dhe Policisë në Bashkësi. Në...

SBAShK paralajmëron protestë më 1 maj

  Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka bërë të ditur se me 1 maj do të ketë protestë të punëtorëve të arsimit. Në njoftimin...

Lajmet e Fundit