14.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Jahjaga: Kam garantuar stabilitet politik

Jahjaga14-21Presidentja Atifete Jahjaga, ka thënë se për gjashtë muaj të krizës politike të moskrijimit të institucioneve, është rrezikuar rënia e thellë ekonomike në vend.

Jahjaga në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se ajo ka luajtur rolin e saj kushtetues të faktorit të unitetit të popullit, duke mohuar se ka përkrahur një parti të caktuar.

“E kam paralajmëruar me kohë gjithë spektrin politik në vend se me zgjatjen e mospajtimeve ndërmjet vete, po e fusim vendin në krizën më të madhe edhe politike edhe financiare. Periudha prej gjashtë muajsh ka thelluar krizën e besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit të tyre dhe ka rënduar jetën e tyre. Ne kemi rrezikuar rënien e thellë ekonomike për shkak të mosfunksionimit të plotë të institucioneve të vendit dhe mbi të gjitha kemi ndaluar investimet aq të rëndësishme për vendin. Ne po hynim në krizën financiare dhe buxhetore, që do të linte pasoja të thella për shoqërinë. Periudha e mosmarrëveshjeve ndërmjet forcave politike në vend ka rrezikuar sundimin e ligjit dhe të rendit por ajo që është më e dhimbshmja, e kemi vënë qytetarin përpara një dileme të madhe nëse mund ta bënim shtetin e Kosovës. Në një kohë kur kemi pasur nevojën e konsolidimit ndërkombëtar të vendit, ne e kemi vënë në pikëpyetje edhe përpjekjen ndërkombëtare për ta mbështetur rrugën tonë të integrimeve. Pra një numër ndikimesh me një sjellje, mbase edhe të papërgjegjshme, ndaj një situate shumë serioze për vendin”.

Në pyetjen për rolin e saj në zgjidhjen e krizës politike, se është fajësuar nga partitë politike në opozitë për një-anshmëri, Jahjaga është përgjigjur: “Kam luajtur rolin tim kushtetues të faktorit të unitetit të popullit. Dhe kam garantuar stabilitet edhe politik edhe në aspektin e sigurisë në vend, në kohën kur liderët politikë kanë treguar pak gatishmëri për të gjetur rrugën e ndërtimit të institucioneve. Kam ruajtur pa-anësinë në raport me secilën forcë politike, duke e garantuar zbatimin e Kushtetutës dhe duke siguruar se vendi nuk po rrëshqet drejt një krize të re, që do të rriste pakënaqësinë e qytetarëve. Parimet që u janë prezantuar, në secilin takim, liderëve të partive politike, janë parime kushtetuese, ligjore dhe shoqërore të Kosovës, por edhe obligime ndërkombëtare, dhe nuk ju janë imponuar askujt, sepse për to kanë qenë të vetëdijshëm që të gjithë aktorët kryesorë. Roli im është rol kushtetues dhe ligjor, që kërkon paanësi në raport me forcat politike dhe marrëveshjet ndërmjet tyre, por që garanton funksionimin e shtetit dhe raportet e tij ndërkombëtare”.

Më Shumë

Ushtron dhunë ndaj bashkëjetueses, arrestohet i dyshuari në Rahovec

Në Rahovec të martën është arrestuar një person i dyshuar pasi raportohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare me...

Moti sot: Me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell

Moti sot parashihet të jetë me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell. Pritet që lokalisht të ketë ndonjë reshje të izoluar shiu,...

Lajmet e Fundit