13.8 C
Prizren
E mërkurë, 17 Prill, 2024

Jo vetëm Demarkacioni e Liberalizimi – këto janë premtimet kryesore që ka dhënë Ramush Haradinaj

Kryeministri i sapo zgjedhur i Kosovës, Ramush Haradinaj ka premtuar shumë gjatë fushatës zgjedhore.

Premtimet e tij shpesh janë cilësuar si enorme dhe vështirë të realizueshme, mirëpo prej sot ai e ka timonin e Qeverisë dhe mund ta dëshmojë të kundërtën, shkruan AktivPress.

Haradinaj ka premtuar zgjidhje të shpejtë për temat kyçe në Kosovë, si: Demarkacionin me Malin e Zi, liberalizimin e vizave, Ushtrinë e Kosovës, luftimin e krimit e korrupsionit, si dhe për punësimin dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Njëri nga top-premtimet e tij është rritja e pagave në vend për 30 për qind, si dhe rritja e pensioneve për 25 për qind.

“Do t’i rrisim pagat në sektorin publik për 30%. Do të rrisim eksportet pesëfishë dhe do t’i ulim importet. Do t’i ulim importet nga Serbia”, kishte premtuar ai.

Ramush Haradinaj nuk ishte kursyer të bëjë edhe një premtim i cili u vu në mëdyshje dhe u kritikua veçanërisht nga kori diplomatik ndërkombëtar në Kosovë.

Ai ka premtuar se vetëm tre muaj pasi të zgjidhet kryeministër i Kosovës do t’i heqë vizat me Bashkimin Evropian.

 

Liberalizimi i vizave ishte dhe mbetet një çështjet më të ndjeshme të qeverisjes në Kosovë. Kjo pasi BE ka vënë dy kritere për udhëheqësit kosovarë që t’ua mundësojnë qytetarëve lëvizjen e lirë në vendet evropiane.

Ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe luftimi i krimit e korrupsionit në Kosovë janë kushtet që i ka vënë BE-ja Kosovës për vizat.

Lidhur me të parën, Haradinaj është zotuar se vija kufitare me Malin e Zi do të vendoset në Çakorr, duke kundërshtuar versionin e Qeverisë së Isa Mustafës.

“Versioni i tanishëm i marrëveshjes është i gabuar. Kufiri Kosovë-Mali i Zi është në Çakorr dhe në Kullë dhe në majat e larta, pra ne do të korrigjojmë këtë”, ka deklaruar ai. Haradinaj, për kushtin e dytë të BE-së për vizat, ka premtuar se do ta nxjerr vendin nga korrupsioni duke fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit. “Askush s’do ta mund Kosovën asnjëherë. As korrupsioni. Kosova po na thërret që ta mundim korrupsionin, krimin, terrorizmin”, kishte deklaruar kryeministri i ri i Kosovës.

Haradinaj nuk kishte anashkaluar në zotimet e tij edhe rastin e minierës së Trepçës e cila tash e sa kohë ka mbetur peng e krizës politike, shkruan AktivPress.

“Trepça do të kthehet në një gjigant ekonomik! Do të angazhohemi që brenda 90 ditëve t’ua njohim stazhin e punës dhe zgjidhim çështjen e pensioneve për minatorët. Trepça nuk do të lihet në mëshirën e të tjerëve por do ta kthejmë në një gjigant të zhvillimit ekonomik të vendit”, ishte zotuar kandidati i PAN-it.

Edhe pse për t’u bërë kryeministër i kishte të domosdoshme votat e deputetëve të Listës Serbe, Haradinaj gjatë fushatës premtonte se në Kosovë do të vendos vetë Republika e Kosovës.

“Ka ardhë koha që në Kosovë me vendos Kosova! Mbështetja kaq e madhe e kaq e shtrirë anë e mbanë Kosovës, është mbështetje dhe qëndrueshmëri, jo veç për mua, por për të drejtën tonë të përbashkët, që Kosova të jetë shtet i së drejtës dhe shtet i qytetarëve të barabartë, që Kosova të jetë e zhvilluar ekonomikisht, që Kosova ta ketë ushtrinë e saj, që Kosova ta marr në afatin sa më të shpejt liberalizimin e vizave, që Kosova njëherë e përgjithmonë t’i ndal agjendat dashakeqe të Serbisë për Kosovën, që Kosova të përshpejtojë rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik”, kishte thënë ai.

Njëra nga sfidat kryesore për Qeverinë Haradinaj pritet të jetë çështja e energjetikës, konkretisht problemi për sigurimin e thëngjillit nga Korporata Energjetike e Kosovës për t’iu siguruar qytetarëve energji elektrike të mjaftueshme.

“Kosovën do ta shndërrojmë në fuqi energjetike të rajonit. Me rezervat më të mëdha të thëngjillit në Evropë, Kosovën do ta shndërrojmë në fuqi energjetike të rajonit”, thoshte Haradinaj.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të përballen me mungesë të mjeteve për pensionet e tyre mujore.

Kjo pasi Qeveria e Kosovës nuk ka fonde të mjaftueshme për ndarjen e këtyre pensioneve. Këtë problematikë do ta trashëgojë edhe kryeministri i ri Ramush Haradinaj.

Ai ishte zotuar se do t’i respektojë veteranët dhe do t’ua kthej obligimet që ka ndaj tyre shteti i Kosovës.

“U zotuam njëjtë, si dikur, se kurdo që e lypë nevoja, gjithmonë do të jemi në shërbim të atdheut. Kjo kategori e shoqërisë sonë meriton respekt dhe tretman më fisnik nga shteti ynë. Këtë do ta bëjmë” kishte premtuar Haradinaj.

Kryeministri i cili pritet që sot më 11 shtator 2017 të marrë zyrtarisht detyrën për të qeverisur vendin, kishte premtuar transparencë dhe llogaridhënie gjatë udhëheqjes si shef i ekzekutivit.

“Ju premtoj (medieve dhe gazetarëve) se do të jem i hapur për bashkëpunim dhe transparent në informimin e drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, kishte thënë ndër të tjerash Haradinaj.

Më Shumë

Vetëvendosje në Prizren uron besimtarët myslimanë: Me fat Fitër Bajramin!

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Prizren ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë : "Me fat Fitër Bajramin!". "Në këtë ditë feste e gëzimi, le të mbretërojë...

Moti sot me temperatura deri në 30 gradë Celsius

Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të ketë mot kryesisht me diell. Sipas njoftimit të këtij instituti,...

Lajmet e Fundit