14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

“Kadri Zeka” në Prizren, nuk lejon ndërtimin me uzurpime dhe pa kanalizim

Banorët e rrugës “Kadri Zeka” në Prizren ankohen se që një kohë të gjatë kanë probleme me rrugën e tyre, e cila, pos që nuk ka kanalizim ka edhe probleme me uzurpimin e pronës komunale nga vetë banorët e lagjes.

Së fundmi, në këtë lagje kanë filluar punimet e rrugës ende pa u kryer kanalizimi dhe pa u zgjidhur çështja e uzurpimeve dhe ndërtimeve pa leje në pronë publike nga disa banorë të kësaj lagjeje.

Arsim Spahija – banor i lagjes, thotë se për shkak të ngushtimit të rrugës ka pasur rast kur në këtë lagje është djegur shtëpia dhe automjeti i zjarrfikësve nuk ka mundur të depërtoi deri te lokacioni.

“Këtu shihet edhe qysh është ngushtë. Ka pasur edhe rast që s’ka mundur as emergjenca me hy me i fikë zjarret. I ka ndodhë këtij komshiut në anën tjetër iu ka djegë shtëpia. Deri këtu kanë ardhur zjarrfikësit mandej veç me tuba të ujit. Kështu që, kërkojmë nga inspektorati, komuna, që ta zgjerojnë këtë rrugë. Duhet me pas tolerime nga të gjithë, jo me ba çka nuk është e tolerueshme”, thotë Arsimi.

Xhavit Bytyqi, po ashtu nga kjo lagje, thotë se ka afro 40 vjet që lagjja e tij ka problem me uzurpime dhe mungesë të kanalizimit.

“Jemi ankuar përpara, në të gjitha kohërat, po kurrkush s’na ka ndihmu. Kërkesa janë: është pak zgjerim i rrugës dhe kanalizimi, jo me e qitë askënd prej rrugës, po do qoshe me u prishë pak, pak me u zgjeru. Në lagje e kanë uzurpu pronën, janë shënimet në kadastër, ka uzurpues shumë”, thotë Xhaviti.

Drejtori i Inspektoratit Komunal në Prizren, Bedri Bytyqi, duke e vëzhguar nga afër vendin e ngjarjes, u thotë qytetarëve se do të rrënohet çdo uzurpim i pronës publike.

“Ne do të ndërhyjmë për çdo centimetër aty ku ka uzurpim të pronës publike, por dhe aty ku ka pronë private që është në të mirë të qytetarëve të Prizrenit dhe të komunitetit, do të kërkojmë edhe format e kompensimit përmes drejtorive tjera, por do të ndërhyjmë sepse këto janë projekte të cilat po i realizon Komuna e Prizrenit me mjetet e taksapaguesve të qytetarëve tanë, dhe prandaj do të shkojnë në vendin ku duhet dhe si duhet”, thotë Bedriu.

“Kjo lagje ka mjaft telashe, këto prona janë mjaftë kontestimore dhe ne nuk do të lejojmë që firma të vazhdojë të vendosë kubëzat e betonit apo asfaltin çfarëdo që kanë parapa ata, përderisa nuk kemi një gjendje detale në këtë zonë se si është paraparë, edhe planin rregullativ të kësaj zone. Kështu që, ne jemi të përcaktuar të bëjmë më të mirën e mundshme. Në këtë formë që e shihni ju këtu, paraqet një pikë mjaftë të ndjeshme, sepse mendojmë dhe parashikojmë se do të ketë aksidente në këtë zonë dhe ne s’jemi të interesuar që të shkaktojmë më tepër dëm sesa mund të bëjmë diçka të mirë dhe të riparojmë diçka”, shtoi Bedriu.

Ai u zotua se do t’i marrë të dhënat e sakta për objektet e banorëve të lagjes dhe do të kërkojë nga Drejtoria e Gjeodezisë dhe Kadastrës që të skanohet gjendja e lagjes dhe duke u lënë një afat që vetë banorët t’i largojnë pengesat./Kallxo.com/

Më Shumë

Kosovarët me rreth 5 miliardë euro kredi

Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se vlera e kredive bruto të kosovarëve për muajin shkurt nëpër banka është 4.95 miliardë euro. Në...

Arti në zi! Ndahet nga jeta poeti i njohur shqiptar, Jorgo Papingji

Arti shqiptar në zi! Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare, poeti dhe autori i një sërë këngëve, Jorgo Papingji. Mësohet se ai ka ndërruar...

Lajmet e Fundit