6.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Kryeministri e ka përkrahjen e popullit, s’hiqet taksa

Kryetari i Rahovecit njëherit nënkryetar i AAK-së, Smajl Latifi, mendon se kryeministri Haradinaj nuk ka mbetur i vetëm edhe pse qëndrimi i tij për mospezullimin e taksës nuk po përkrahet nga partnerët e koalicionit, SHBA-ja dh BE-ja. Aplikimi i taksës ndaj produkteve serbe e boshnjake do të vazhdojë derisa Serbia japë garanci për njohjen e Kosovës, thotë ai
Latifi tregon se a është e gatshme AAK në rast se vendi shkon në zgjedhje të reja

Smajl Latifi flet edhe për lëkundjet e koalicionit aktual qeverisës, rrezikun për prishjen e raporteve me shtetet aleate.

“Duhet të ndryshojë qasja e Republikës së Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, duhet me pas garancione për marrëveshje që siguron pashamngshëm njohje të ndërsjelltë dhe kur kemi këso garanci, të plota dhe ndërkombëtare. Edhe mund të pezullohet taksa”, thotë Latifi.

Këto dhe të tjera Latifi i tha gjatë ditës së shtunë në një interviste dhënë Gazetës Express, përmes telefonit.

Jemi në një situatë që qëndrimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për mospezullimin e taksës nuk po e përkrahin partnerët e koalicionit, SHBA-të e as BE-ja. A ka mbetur i vetëm kryeministri?

-Mendojmë që vendimi për vendosjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, është vendim i drejtë, i arsyeshëm i domosdoshëm, legal, legjitim. Mbajtja në fuqi e kësaj takse është e nevojshme edhe më tutje dhe ne natyrisht e mbështesim edhe më tej këtë vendim. E mbështesim edhe më tej mbajtjen e mëtutjeshme të taksës për shkak se përmes mbajtjes në fuqi të taksës jemi të bindur që do të realizojmë synimet që janë në interes të Republikës së Kosovës, sovranitetit dhe integritetit të saj, natyrisht edhe të ruajtjes së parimeve bazë të një shteti që është i pavarur, demokratik dhe sovran. Taksa është kundërpërgjigje ndaj shtetit të Serbisë, ndaj arrogancës, agresivitetit të tyre. Kryeministri s’ka mbetur i vetëm, populli i Kosovës është me kryeministrin. Janë të gjithë njerëzit që i kuptojnë situatat në të cilat gjenden Kosova dhe pozitën e Kosovës në raport me zgjidhjet diplomatike.

Kur po thoni do të vazhdojë aplikimi i mëtejmë i taksës, sa nënkupton vazhdimi i mëtejmë. Cili është limiti kohor që kryeministri dhe AAK-ja të dorëzohet para partnerëve të koalicionit, SHBA-së dhe BE-së?

Natyrisht se shtetet e BE-së kanë një marrëveshje kontraktuale me Republikën e Kosovës, siç është puna me liberalizimin e vizave, apo veprimeve tjera që e përshpejtojnë ecjen nëpër rrugët euroatlantike që i shpresojmë dhe i mirëpresim nga BE. Sugjerimet edhe kërkesat nga BE dhe shtetet tjera që të hiqet taksa, ne natyrisht i respektojmë dhe i mirëkuptojmë. Por mendojmë se ka nevojë për lëvizje esenciale. Po, besoj që duhet të ndryshojë qasja e Republikës së Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, duhet me pas garancione për marrëveshje që siguron pashmangshëm njohje të ndërsjellët dhe kur kemi këso garanci, të plota dhe ndërkombëtare. Edhe mund të pezullohet taksa. Përderisa nuk i kemi të definuara këto pozicione, përderisa Serbia vazhdon me agresivitet dhe veprime diverse kundër Kosovës, ka vendos kushte për dialogun, marrëveshjen përfundimtare, ne nuk kemi arsye ta heqim taksën.

A mund t’i prish taksa raportet Kosovë –SHBA, Kosovë-BE?

I mirëpresim sugjerimet, i mirëkuptojmë. Por kjo nuk e cenon partneritetin tonë si Kosovë me SHBA dhe shtetet mike të BE-së. Jemi mirënjohës e falënderues dhe i mirëpresim e mirëkuptojmë shqetësimet eventuale të tyre por gjithsesi duke ruajtur parimet e shtetit të Kosovës e sidomos përballë një fqinji që mbetet fqinj i pandreqshëm me tendenca armiqësore ndaj Republikës së Kosovës.

Mbrëmë, kryeministri Haradinaj dha një ide të re për dialogun Kosovë-Serbi. Ai kërkoi ndërhyrjen e Gjermanisë në marrëveshjen finale mes dy shteteve. A e ka mbështetjen e partnerëve të koalicionit qeverisës për këtë ide?

Do të ishte ideale sikur kancelarja Merkel dhe presidenti Trump të përfshiheshin në marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e obligueshme mes dy vendeve. Tash Kosova ka platformë të qartë për bisedimet që duhet të rifillojnë. Nuk do dëshironim t’i komentojmë qëndrimet e partnerëve, ka partneritet dhe mirëkuptim brenda koalicionit.

Vendimi i AAK-së që taksa të mos hiqet deri sa Serbia ta njohë Kosovën, a po e rrezikon rrëzimin e Qeverisë. A janë lëkundur raportet mes koalicionit?

Taksa është vendim i drejt, mund të ketë mospajtime dhe situata të vështira.

Qeveria e Kosovës dhe Haradinaj është qeveri e sfidave, por është njeri i përgatitur për mu përballë me proceset të cilat edhe janë të vështira edhe shumë sfiduese. Besoj që gjatë gjithë qeverisjes së tij janë evidentu ato përballje dhe sfida. Si edhe janë evidentu edhe vendimet që i ka marrë Haradinaj. Ka përfitu Kosova. I vetmi përfitues i të gjitha këtyre do të jetë populli i Kosovës dhe dinjiteti i shtetit më të ri në botë. Përfitues është shteti dhe populli nga vendimmarrja nën udhëheqjen e kryeministrit Haradinaj. Ka arsye të vazhdojë mandatin deri në fund.

A është e gatshme AAK-ja për zgjedhje të reja dhe a i frikësohet një situate të tillë?

Nuk i frikësohemi zgjedhjeve të reja, jemi të përgatitur si parti dhe kemi një kapital të madh edhe politik edhe moral dhe argumente të shumta që do të përballemi për besimin e qytetarëve. Tashmë ata e dinë që Kosova po mbrohet nën udhëheqjen e z.Haradinaj dhe ka përfituar në udhëheqjen e tij.

Më Shumë

Lajmet e Fundit