13.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Kurti: Mustafa i ka tre shefa që përfaqësojnë tre lloje të ndryshme të krimit

AlbinKurti1205Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Abin Kurti, u ka kujtuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie se marrëveshjen e VLAN-it, në nëntor, e prishën dy gjëra.

“Në njërën anë, lakmia egoiste për pozitën e kryeministrit që përfytyrohej si një fron mbretëror thua se jemi monarki klasike e jo republikë parlamentare; dhe, në anën tjetër, frika nga burgu pasi që ambasadorja amerikane përmendi dosjet e korrupsionit në prokurori, sidomos ato të qeverisjes së Isa Mustafës në komunë të Prishtinës. E, kur iu prish pazari, edhe LDK edhe AAK rendën te Thaçi se mos merrnin pazar më të mirë pa u brengosur që shteti vazhdonte të ishte i kapur prej të njëjtit”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se që prej ditës së parë, pra që prej 10 qershorit për tre muaj ditë rresht është penguar e rezistuar marrëveshja e 10 shtatorit; por, edhe pas arritjes së saj, ajo është luftuar edhe për tre muaj të tjerë, deri më 9 dhjetor atëherë kur brenda natës u arrit marrëveshja Thaçi-Mustafa-Jabllanoviq.

“Marrëveshja shqip e 10 shtatorit për një kurs të ri të shtetit të Kosovës, u zëvendësua me marrëveshjen serbisht të 9 dhjetorit për kursin e vjetër që e lë Kosovën pa republikë. Prandaj, pikërisht tash që u zgjidh kriza institucionale u intensifikua emigrimi i shqiptarëve nëpër Serbi për në BE. Ashtu siç ka thënë Lëvizja jonë, u vërtetua që problemi nuk ka qenë kriza institucionale por institucionet me orientim e udhëheqje të mbrapshtë”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, Isa Mustafa në Qeveri i ka tre shefa, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Aleksandër Jabllanoviqin.

“Këta tre shefa përfaqësojnë tre lloje të ndryshme të krimit: Krimin mafioz, në shërbim të interesave të errëta të huaja, që e ka bërë Kadri Veseli dhe organizata me të cilin PDK-ja e ka marrë pushtetin dhe e ka ndërtuar kapjen e shtetit, pra SHIK-u; kKrimin nacional-shovinist, të përfaqësuar nga Jabllanoviqi, i cili selinë e vërtetë e ka në Beograd, prej nga u sajua Lista Serbe porsi një formacion çetnik; krimin kombëtar, përfaqësuar nga Hashim Thaçi, i cili e transformoi UÇK-në, për ta shuar edhe TMK-në, i cili e zëvendësoi bashkimin kombëtar me pavarësinë e Ahtisaarit që sot e negocion me Serbinë, dhe i cili ekonominë kombëtare e mirëqenien shoqërore ia nënshtroi privatizimit të egër dhe padrejtësisë së gjykatave të korruptuara”, ka thënp Kurti.

Me të tillë shefa Isa Mustafa e fillon punën si kryeministër me 70 dosje të korrupsionit trashëguar nga Prishtina, por mund ta mbarojë këtë punë me një numër disa fish më të lartë dosjesh, ka shtuar ai.

Nuk ka më iluzione për partitë në Kosovë, e, humbja e iluzioneve është fitore shumë e rëndësishme. Ne nuk i trembemi kësaj qeverie, por i trembemi rezultateve të saj.

Sipas Kurtit, Kosova i ka dy sëmundje kronike – pazaret me Serbinë që quhet dialog dhe privatizimin neoliberal që quhet tranzicion – por, e ka edhe sëmundjen akute koalicionin PDK-LDK-Srpska.

“Kjo qeveri me shumë gjasa nuk do ta përfundojë mandatin e saj. Shkak do të jetë varfëria ekstreme, e cila do t’i nxjerrë njerëzit në protesta, pasi që emigrimi tash po ndalohet edhe me polici. Në këtë pikë detyra jonë si Lëvizje është që të bëhemi të afërt me njerëzit, që t’u japim atyre shpresë e t’i thërrasim në organizim. Kjo punë do të duhet të fillojë qysh tash, bashkë me një reflektim të strukturave mbi atë se si do të mund të afrohemi edhe më shumë me të papunët, me të varfrit, me fshatarët”, ka thënë Kurti.

Tash, kur jemi në një prej periudhave më të errëta të Kosovës, Kurti u ka thënë aktivistëve të LVV-së se duhet të shndërrohennë një dritë për popullin.

“Kjo nuk nënkupton vetëm kritikë në Kuvend, apo në foltoret e konferencave. Kjo nuk nënkupton as vetëm protesta të thirrura në data të caktuara. Kjo nënkupton ngjalljen e një dashurie politike për njerëzit tanë dhe për vendin tonë, dhe fillimin e takimeve të pandërprera me ta, jo vetëm formale, siç janë tubimet e organizuara, por edhe jo-formale. Fundja, aty ku njerëzit janë sadopak tubë, me pjesëmarrjen e aktivistëve të Lëvizjes bëhet tubim”, ka thënë ai.

“Por, mbi të gjitha, ajo që na duhet sot është entuziazmi. Ky entuziazëm duhet të na drejtojë në punën tonë të Grupit Parlamentar, në Komunën e Prishtinës, në punën e asambleistëve tanë në qendra, në punën e secilit aktivist kudo dhe çdo herë. Deri tani është bërë punë e mirë. Tash e tutje kjo punë duhet të dyfishohet”, ka shtuar ai.

Më Shumë

Zhduket një person në Prizren

Një person ka njoftuar se axha i tij që vuan me probleme të shëndetit mendor ka dalë nga shtëpia e tij dhe nuk dihet...

Sot diplomon gjenerata e 59-të e Policisë së Kosovës

Sot me fillim nga ora 09:00 në sallën “1 tetori” do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Në...

Lajmet e Fundit