10.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Kuvendi i Kosovës dhe Presidenca “nuk dëgjuan” për vdekjen e Bujar Gjurgjealës

Asnjë reagim nga Kuvendi i Kosovës, asnjë nga Presidenca e Kosovës për ndarjen nga jeta të kryesuesit të mbledhjes historike të Kuvendit të Kosovës të 2 korrikut të vitit 1990, Bujar Gjurgjeala! A thua unë e kisha gabim që mendoja dhe mendoj se Bujar Gjurgjeala, pas 2 korrikut të vitit 1990 nuk ka qenë vetëm i Prizrenit?!

Ngjarjet historike kanë edhe protagonistët e vet, të cilët bashkë me atë ngjarje hyjnë në analet e historisë. Mbledhja e 2 korrikut 1990 e Kuvendit të Kosovës ishte një nga ngjarjet historike dhe Bujar Gjurgjeala, një nga protagonistët e rëndësishëm të saj, ngase e kryesoi atë mbledhje, në të cilën u miratua Deklarata Kushtetuese që institucionalisht përbën bazamentin e pavarësisë së Kosovës.

Bujar Gjurgjeala u nda nga jeta në moshën 72 vjeçare në mbrëmjen e 26 nëntorit 2018, pas një sulmi kardiak. Lajmin e hidhur e mësova të nesërmen, fillimisht nga një bisedë telefonike me mikun tim, Gani Bajrami, ndërkohë edhe në portalin Koha.net. Kur miku im më ngushëlloi për vdekjen e Bujarit, mbeta paksa i stepur për faktin se nuk isha i informuar dhe se nga Gjermania nuk mund të merrja pjesë në ceremoninë e tij mortore.

Tani kur mësova nga miku im, Gani Bajrami, se Bujari kishte ndërruar jetë, u bëra “sy e vesh” për të ndjekur reagimet e parisë tonë dhe të institucioneve tona. Dhe për habinë time, pos lajmit për vdekjen e tij dhe disa reagimeve nga Prizreni, hasa vetëm në telegramin e ngushëllimit të kryeministrit të Kosovës. Asnjë reagim nga Kuvendi i Kosovës, asnjë nga Presidenca e Kosovës për ndarjen nga jeta të kryesuesit të Mbledhjes historike të Kuvendit të Kosovës të 2 korrikut të vitit 1990! A thua unë e kisha gabim që mendoja dhe mendoj se Bujar Gjurgjeala, pas 2 korrikut të vitit 1990 nuk ka qenë vetëm i Prizrenit?!

Ishte njeri i qetë e modest, i ditur dhe i afërt me të gjithë

Ish-deputetin (delegatin) e përbërjes së Kuvendit të Kosovës që miratoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë, më 2 korrik 1990 dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, më 7 shtator 1990, Bujar Gjurgjealo, e kisha njohur që nga data 4 dhjetor të vitit 1989, kur ishte konstituuar legjislatura e fundit e Kuvendit të atëhershëm të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.

Ishte kjo legjislatura që i ra hise të përballet me pushtetin e Sllobodan Millosheviqit, jo vetëm duke u rreshtuar krahë për krahë me rezistencën politike të shqiptarëve ndaj pushtetit serb, por edhe duke qenë pararojë e kësaj rezistence brenda institucioneve të atëhershme të Kosovës. Të rikujtojmë se kjo legjislaturë e mori mandatin nëntë muaj pas ndryshimeve të dhunshme kushtetuese që u bënë më 23 mars të vitit 1989 në rrethana shtetrrethimi, me të cilat de jure suprimohej autonomia që Kosova e kishte me Kushtetutën e vitit 1947.

Më kujtohet se shumë delegatë, sidomos nga ata të Dhomës së Punës së Bashkuar, që neve të shërbimit profesional të Kuvendit të Kosovës na thoshin se nuk kanë fare frikë, por nuk dinë çka duhet dhe kur duhet të flasin, sepse nuk kishin njohuri të mjaftueshme për atë që “po zihej në kazanin” e politikës antishqiptare. Unë personalisht të tillët i drejtoja te miku im, Shaban Brunçaj, meqë ai ishte njohësi më i mirë i sistemit të kohës. Ndër delegatët e Dhomës së Punës së Bashkuar dalloheshin, prof. Skënder Skënderi, Bujar Gjurgjeala, Selvije Gjini, Muharrem Shabani, Ramadan Kelmendi po edhe ndonjë tjetër.

Mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik 1990, kur u miratua Deklarata Kushtetuese, që njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e kryesoi Bujar Gjurgjeala. Ajo mbledhje u mbajt para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, meqë forcat policore nuk i lanë delegatët të hynin në ndërtesën e Kuvendit. Nuk di si, ku dhe përse ishte vendosur që nga 111 delegatët e pranishëm, mbledhjen ta kryesonte Bujar Gjurgjeala, por e di një fakt se paraqitja e tij triumfale para delegatëve dukej sikur në një film artistik. Pa iu trembur syri fare, e hapi dhe e kryesoi atë mbledhje, të mbajtur nën rrethana të okupimit klasik nga regjimi i Beogradit, ku nga çdo anë ishte i rrethuar jo vetëm nga policë të armatosur deri në dhëmbë, por edhe me snajperitë që vëzhgonin nga vetë ndërtesa e Kuvendit dhe ndërtesat përreth.

Në mbrëmjen e asaj dite, kur kishte filluar të ikte vapa e të vinte një natë sa e freskët aq edhe e frikshme, meqë kishim frikë mos po u ndodh gjë delegatëve, pak para se të errësohej, Bujari, bashkë me sekretarin e Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Çështje Kushtetuese erdhën te banesa ime, në Kodrën e Diellit, për ta nënshkruar procesverbalin, të cilin e kisha hartuar unë gjatë asaj mbledhje, si dhe Deklaratën Kushtetuese që ishte miratuar atë ditë, të cilën, bashkë me Shabanin sapo e kishim përgatitur për botim në “Gazetën zyrtare të KSA të Kosovës” dhe ishim marrë vesh ta dërgonim menjëherë edhe në Arkivin e Kosovës që të mikrofilmohej e të ruhej. Me një modesti të admirueshme Bujari i nënshkroi këto dy dokumente në origjinal dhe shkoi. Ndihem krenar që nënshkrimi im si procesmbajtës i asaj mbledhjeje historike dhe i Bujar Gjurgjealas, si kryesues i asaj mbledhje janë njëri afër tjetrit.

Nga ajo ditë Bujar Gjurgjealën, inxhinier teknolog të shkolluar në Universitetin e Zagrebit, e njoha më afër dhe kisha dëshirë ta takoja shpesh. Mirëpo, rrethanat aktuale bënë që delegatët e Kuvendit të Kosovës, pas miratimit të Kushtetutës të Republikës së Kosovës në Kaçanik, më 7 shtator 1990, të degdisën nëpër botë. Me Bujarin takoheshim më shpesh, në Prizren e në Prishtinë, vetëm pas vitit 2000, kur kishte përfunduar lufta në Kosovë. Ishte njeri i qetë e modest, i ditur dhe i afërt me të gjithë. Nuk e kam ditur që është marrë edhe me sport. Kur e mora vesh këtë fakt e kuptova pse ishte i tillë, sepse sportistët janë më të durueshëm.

Guximi intelektual dhe modestia si cilësi

Bujari përherë spikata guximin intelektual dhe modestinë. Nuk e njoha asnjëherë si rrahagjoks se kishte bërë një punë sa të guximshme edhe historike. Sa e sa herë me modesti kishte deklaruar para gazetarëve “se u soll si përfaqësues i popullit të Kosovës dhe bëri atë që duhej ta bënte”.

Kur përgatitja librin tim “Një ditë midis dy epokash”, që i kushtohet ngjarjes së 2 korrikut 1990 dhe akterëve kryesorë të saj, e luta Bujarin që ta lexonte dhe të jepte mendimin e tij. Ai me kënaqësi e mori dhe pas pak ditësh në mes tjerash, për dorëshkrimin e librit tim, shkruante: “Plotësisht pajtohem me kronologjinë e përshkruar në libër. Më vjen mirë që më jepet rasti që të falënderoj publikisht, për kontributin e autorit dhe të bashkëpunëtorëve të tij në rrjedhat e Kuvendit të Kosovës në momentin e duhur dhe në kohën e duhur.

Kjo tregon se, kur të gjithë janë të përkushtuar për një vendim sublim të popullit, nuk mund të dështoj asgjë, madje as në kushte e rrethana tejet të rrezikshme”. (“Një ditë midis dy epokash”, Prishtinë 2012, fq. 125).

Në tetorin e këtij viti, kur isha për një qëndrim të shkurtër në Kosovë, me shkas për promovimin e monografisë “Tahir Z. Berisha – një jetë në mision të dijes dhe të idealeve kombëtare”, që e kishim hartuar bashkë me Mujë S. Berishën, u takova dy herë me Bujarin, një herë ishte vetëm e herën tjetër ishte bashkë me të shoqen dhe me nusen e djalit. Më shpaloi një brengë që kishte. As nusja e as djali nuk ishin të punësuar, ndërsa pensioni i tij dhe i të shoqes ishin shumë të ultë. U habita kur më tregoi për këtë gjendje bartësi i Medaljes Shtetërore të Pavarësisë, me të cilën ishte dekoruar nga Presidenti Ibrahim Rugova, më 2 korrik 2004. Tha se do të shkonte edhe te kryetari i Kuvendit të Kosovës t’ia shpaloste këtë brengë.

Dhe serish e pyes veten: A thua unë e kisha gabim që mendoja dhe mendoj se Bujar Gjurgjeala, pas 2 korrikut të vitit 1990 nuk ka qenë vetëm i Prizrenit?! Nuk më mbetet asgjë tjetër vetëm të uroj: Qoftë i përjetshëm kujtimi e nderimi për kryesuesin e mbledhjes historike të 2 Korrikut të vitit 1990 të Kuvendit të Kosovës, i cili me guxim e devotshmëri iu përgjigj thirrjes së epokës së tij, duke u bërë pjesë e historisë së re të Kosovës.

Dritë paç Bujar Gjurgjeala! Lavdi jetës dhe punës tënde! Ishe dhe do të mbetesh për jetë të jetëve në kujtesën tonë/Hamza Halabaku.

Më Shumë

Ndërron jetë ish-futbollisti i Lirisë së Prizrenit, Xhemajli Gashi

Ka ndërruar jetë Xhemajli Gashi, ish-futbollist i njohur i Lirisë së Prizrenit. Ai ka lënë gjurmë të thella në komunitetin sportiv të qytetit. Xhemajli Gashi ka...

Bëhen të ditura terminet për ndeshjet e dyta të gjysmëfinaleve të playoffit

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka publikuar sot në faqen zyrtare të saj terminet e ndeshjeve të dyta të serive gjysmëfinale të playoffit. Peja, që...

Lajmet e Fundit