8.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Legalizimi i ndërtimeve pa leje maskon pafuqinë e “Qeverisë Muja”

Artan AbrashiKryetari i Grupit të Asamblistëve të “Vetëvendosjes” në Prizren, Artan Abrashi, ka vlerësuar legalizimi i ndërtimeve pa leje do të mbulojë të metat e pushtetit të Qeverisë së Ramadan Mujës.

“Përmes këtij ligji është krijuar një mundësi, që ekzekutivi lokal ta maskojë pafuqinë e vet për t’i rrënuar ndërtimet pa leje dhe ta legalizojë përfundimisht krimin urbanistik, për të cilën vetë është fajtor”, ka thënë ai.

Abrashi ka vlerësuar se krimi urbanistik asnjëherë nuk ishte rezultat i mungesës së legjislacionit adekuat, por ishte kryekëput mungesë e vullnetit të qeverisë lokale, për ta zbatuar ligjin në përgjithësi.

Në procesin për legalizimi, përfshirë shtëpitë dhe lokalet afariste, të ndërtuara deri në fund të gushtit 2013, në Drejtorinë për Urbanizëm në Prizren janë dorëzuar mbi 450 aplikacione. Sipas zyrtarëve, pos personave nga qyteti, ka edhe aplikues nga fshatrat. Legalizimi po kryhet mbështetur në Ligjin për Trajtimin e Ndërtimeve Pa Leje, të Ministrisë për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, miratuar më 2013.

Në anën tjetër, deklarimet kësisoj janë hedhur poshtë nga zëdhënësi i Komunës, Ymer Berisha, i cili ka thënë se legalizimet bëhen mbi bazë ligjore dhe assesi politike.

“Komuna vlerëson si politikën më të madhe në dobi të qytetarëve, të cilët për shumë vite kanë pritur ligjin përkatës. LVV-ja me deklarata të tilla po dëshmon se asgjë nuk kupton nga interesi publik i qytetarëve dhe si e tillë është jashtë realitetit politik në Prizren”, ka thënë ai për “Zërin”.

Pas luftës, Prizreni ka marrë shtrirje të madhe. Në të gjitha skajet, pothuajse janë ndërtuar lagje të reja. Zyrtarët kanë thënë se madje në vetë Zonën e parë, ka një numër të objekteve të cilat nuk posedojnë dokumentacion. Sipas Berishës numri i objekteve të ndërtuara pa leje është mbi 10 mijë. Në këtë proces bëhet vetëm legalizimi i objekteve të ndërtuar e jo edhe i tokës. Për legalizim të një objekti, që ka 100 metra katrorë, pa marrë parasysh zonën e ndërtuar, qoftë edhe në fshat, duhet paguar 419 euro.

Arben Shala, koordinator për projektin pranë sektorit të Urbanizmit, ka thënë se në zonat në të cilat ka plan rregullativ, ndërsa aplikuesit për legalizim nuk i plotësojnë kushtet, objektet e tilla nuk do të legalizohen, pasi ka raste kur objekte sidomos ato afariste janë ndërtuar edhe në parcela që figurojnë si rrugë.

Abrashi, ndërkaq, ka hedhur dyshime se ndërtimet pa leje në komunën, rrjedhimisht do të vazhdojnë edhe pas përfundimit të procesit për legalizimin e tyre, duke e thelluar edhe më tej kaosin urbanistik në zonat urbane.

Deklarimit kësisoj zëdhënësi komunal Berisha i është përgjigjur se procesi i trajton vetëm objektet e ndërtuara, para datës 30 gusht 2013, kur është bërë edhe skanimi i gjendjes përmes fotografimit ajror, ndërsa për objekte të tjera nuk bëhet fjalë. “LVV-ja është në gjumin letargjik të ariut në politikën lokale”, ka vlerësuar ai.

Më Shumë

Koha për spektakël në gjysmëfinale

Në fundjavë fillojnë ndeshjet gjysmëfinale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë, ku pritet një spektakël i basketbollit. Në gjysmëfinale do të ndeshen katër skuadrat që...

Kurti vazhdon ta mbajë banesën 67 metërshe, deklaron 1.551 euro në bankë e kredinë deri në 2052-në

  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Kreu i qeverisë ka deklaruar se pasuri të...

Lajmet e Fundit