10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Limaj në Gjykatë: Po më shkelen të drejtat!

I akuzuari Fatmir Limaj paralajmëroi sot për mundësinë që ai dhe avokati i tij ta ndërpresin ofrimin e mbrojtjes për shkak të, siç tha ai, mënyrës se si po zhvillohet procedura gjyqësore ndaj tij dhe të akuzuarve të tjerë.

Ky reagim i Limajt erdhi pasi që kryetarja e trupit gjykues, Maria Tuma, mori vendim që të pranohet propozimi i prokurorit për dëgjimin e dëshmitarit Enver Demolli dhe të një tjetri, të cilit nuk iu zbulua identiteti.

Gjyqtarja e arsyetoi vendimin me faktin se palët deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor kanë të drejtë të paraqesin prova të reja.

“Është shqetësuese që para syve tanë po na shkelen të drejtat. Do të bisedoj me ekipin tim mbrojtës për të parë se a duhet të vazhdohet me mbrojtje sepse nuk e di sa ia vlen me pasë mbrojtje në këtë mënyrë se si është duke u zhvillu kjo procedurë”, tha Limaj pas vendimit të gjyqtares.

Prokurori Charles Hardaway këtë deklaratë të të akuzuarit e quajti mediale, por Limaj u kundërpërgjigj duke thënë se prokurori po bën spekulime sepse ai nuk ka përmendur mediat.

Mirëpo, gjyqtarja sqaroi se vendimi është marrë për shkak të zhvillimit të procedurës e jo deklaratave të Mehmet Shkodrës në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Më herët gjatë seancës së gjatë e nganjëherë edhe të tensionuar, prokurori tha se këta dëshmitarë janë paraqitur për shkak se ata janë marrë me ankesat që Mehmet Shkodra ka bërë në AKK.

Prokurori pretendoi se këta dëshmitarë mund të vërtetojnë origjinalitetin e audio-incizimeve që Gjykata e Apelit i ka konsideruar si provë të papranueshme.

Ky propozim ngjalli kundërshtim të ashpër te të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.

Fatmir Limaj theksoi se arsyetimi i prokurorit se janë dëshmitarë që nuk janë të njohur më herët nuk qëndron sepse sipas tij me këtë çështje janë marrë dy trupa gjykues dhe janë evidentuar emrat e dy dëshmitarëve.

“Ne kërkojmë të respektohet barazia e armëve dhe nuk duhet të lejojmë që të ngriten të vdekurit. Kjo provë është e vdekur. Për këtë provë thjeshtë është shkelur ligji”, tha ai.

Ndërsa, avokati i Limajt, Tahir Rrecaj tha se deklarata e Mehmet Shkodrës e dhënë në AKK nuk mund të trajtohet si dëshmi pasi atë deklaratë e kanë marrë personat e paautorizuar, nuk është marrë nga prokurori apo nga personi i autorizuar policor me autorizim të prokurorit, nuk është njoftuar që është dëshmitar, nuk I janë marrë të dhënat gjenerale dhe nuk ka nënshkruar asnjë dokument,

“Gjykata e Apelit e ka vërtetu vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e ka marrë formën e prerë. Çdo provë që merret në kundërshtim me ligjin është provë e papranueshme dhe kjo është ABC-ja e drejtësisë”, tha avokati.

Po ashtu, Rrecaj tha se përsëritja e asaj çështje të vendosur nga Apeli do të shkelte vendimin e Apelit, do të shkelte të drejtat për gjykim të drejtë dhe do të krijonte precedent që çështjet e mbyllura të hapen përsëri.

Edhe mbrojtësit dhe të akuzuarit tjerë kërkuan që të refuzohet kërkesa e prokurorit.

Në këtë proces gjyqësor, i njohur si rasti MTPT, të akuzuar për krim të organizuar janë Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi, Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 13 shtator. /KALLXO.com/

Më Shumë

Zyrtare: Roma konfirmon se De Rossi do të vazhdojë si trajner në 2024-25

Dan dhe Ryan Friedkin njoftojnë se Daniele de Rossi do të qëndrojë në krye të Roma-s në sezonin 2024-25. Pronarët e Roma-s, Dan dhe Ryan...

Ish-gazetari Ramadan Baraliu aderon në Vetëvendosje

Ish-gazetari dhe politikologu, MSc. Ramadan Baraliut ka aderuar sot në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai ëshvë mirëpritur nga kryetari i Qendrës së LVV-së në Prizren, Artan Abrashi...

Lajmet e Fundit