sirii“Shkuarja ime në Siri ka qenë e bazuar në aspektin fetar, edhe e kam parë se në Siri është filluar lufta mes sunitëve dhe shiitëve cilët (luftë) e kanë filluar shiitët me alevit”.
“Duke e parë, ndihmesën që i ka ardhur sektit alevit, nga sektet e tyre që janë shiitët, atëherë unë kam vendosur, i frymëzuar nga Kurani dhe Syneti i Pejgamberit S.A.S., të marr rrugën për t’i dalë në ndihmë atij vendi, ku Allahu dhe vetë Pejgamberi S.A.S., e kanë obliguar çdo mysliman që të marrë pjesë në luftë kundër një zullumqari dhe në luftën kundër qafirëve. Kur them qafirit, po flas për gjendjen aktuale në Siri”, nisi rrëfimin për Radion Evropa e Lirë, një shqiptar i Kosovës, që luftoi si vullnetar në Ushtrinë për Çlirimin e Sirisë, për tetë muaj.

Ai thotë të jetë konsultuar për atë që po ndodhte në Siri, ndërsa skenat tronditëse që kishte parë kundër civilëve, e kanë detyrat të marrë rrugën drejt këtij vendi, duke kaluar përmes tri shteteve tjera.

“Unë mendoj se Zoti është i mëshirshëm dhe e kam parë me sytë e mi, se jam nisur nga kjo rrugë, dhe Zoti m’i ka hapur rrugët, sepse kam mbërritur në një vend, ku s’e kam ditur as gjuhën. Ka pasur gjuhë tjetër, këndej kufirit, e gjuhë tjetër andej kufirit”, tregon ai.

Vullnetari nga Kosova thotë të ketë parë shumë kombe duke luftuar në krah me kryengritësit sirianë, raporton Evropa e Lirë.
Edhe pse nuk tregon se në cilën zonë luftoi në Siri, thotë se gjatë betejave kishte takuar edhe shqiptarë të tjerë. Dhe, rrëfen ngjarjen për takimin e tij me një tjetër shqiptar…

“Ka qenë shumë prekëse, sepse ai nuk e dinte se unë jam shqiptar. Ai fliste gjuhën angleze shumë rrjedhshëm. Edhe unë derisa e dëgjova duke folur, ku tregonte për vendin e tij, tregonte për një luftë që kishte bërë në Kosovë! Shumë trim! Edhe papritmas po e thërras unë në gjuhën shqipe dhe po i them \’Hej, o burrë a shqiptar je a?\’ E ai filloi të qante”, rrëfen për Radion Evropa e Lirë, në kushte anonimiteti një ish-luftëtar mysliman shqiptar i Kosovës.

“Ka plot të huaj. Plot ka. Kur them ka plot, nga Kosova nuk mund të ceki, sepse nuk e di. Por, nacionalitete të shumta kam parë. Nuk është më e mbyllur, kanë ardhur njerëz nga Gjermania – unë them me nënshtetësi gjermane, por mund të jetë edhe me prejardhje shqiptare – nga Holanda, nga Amerika, nga Britani, nga Turqia, nga Bosnja, Maqedonia, nga të gjitha vendet Arabia Saudite, Katari. Por, mund të themi se ka numër të madh”, shpjegon ai.

Prej fillimit të luftës në Siri, vetëm një shqiptar i Kosovës është raportuar të ketë vdekur në luftimet atje.
Bashkësia Islame e Kosovës, luftën në Siri e sheh si një luftë çlirimtare, e cila ka marrë përmasa globale dhe që po kalon përmes një krize humanitare.

Ahmet Sadriu, që është përgjegjës për media dhe publikime i këtij institucioni, argumenton për Radion Evropa e Lirë, se lufta në Siri nuk ka të bëjë asgjë me luftë fetare.

“Aty është duke u bërë një luftë për ndryshimin e regjimit. Është një regjim totalitar që sundon qe 40 vjet a më shumë. Krejt kjo ka një karakter të asaj [lufte] çlirimtare, e jo fetare. Absolutisht, nuk kemi të bëjmë me luftë fetare, sepse Siria faktikisht është një vend islam, vend mysliman. Ata nuk kanë nevojë të luftojmë për çështje fetare, kur vetë janë myslimanë”, thotë Sadriu për Radion Evropa e Lirë.

Ai krahason luftën atje, me luftën që Kosova e ka bërë, për t’u çliruar prej regjimit serb. E, për ata që shkojnë, apo duan të shkojnë për të luftuar në Siri, bazuar në bindjet fetare, ai thotë të mos ketë dëshirë të përfshihet në një kontekst të tillë.

“Nuk do të isha përzier në bindjet e askujt, sepse ne e kemi shumë të freskët luftën tonë që e kemi zhvilluar këtu në Kosovë, e që na kanë ardhur nga kënde të ndryshme të botës. Është çështje ideali i lirisë. Liria! Dhe, ka ardhur ai, e iu ka bashkangjitur ushtrisë sonë [UÇK-së], vetëm e vetëm, që të na mundësojë, e ndoshta edhe ne ta gëzojmë një liri siç e gëzojnë të tjerët. Këtu automatikisht po të them edhe në rastin konkret, se kemi të bëjmë me ideale, të cilat njerëzit në mënyrën e vet i konceptojnë dhe vendosin se si ata të veprojnë”, theksoi Sadriu.

Hoxhë Fatos Rexhepi, që ka jetuar në Siri, para shpërthimit të luftës atje, kurse tani është një nga drejtuesit e Lëvizjes Islamike “Bashkohu”, shpjegon për Radion Evropa e Lirë, se si regjimi aktual sirian sundon për 40 vjet me, siç thotë, “hekur, me vuajtje, dënime”.

“Kam parë ngjarje, dhe kam qenë përjetues i të gjitha atyre trazirave, luftërave, shpërthimeve që ishin në Damask – ato të mëdhatë. Edhe në qytet janë vrarë njerëz, kur snajperistët nga pikat e larta vrisnin njerëzit, vetëm për të shkaktuar kaos”, tregon Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Hoxhë Rexhepi thotë se u gëzohet lajmeve kur dëgjon se ka shqiptarë që kanë shkuar për të luftuar në Siri.

“Më ka gëzuar, sepse shqiptari, që është mysliman po ia kthen atij vendi me të mirë, sepse ka shumë argumente që është vend i shenjtë”, thotë Rexhepi për të shtuar se ndihet krenar me ata që kanë zgjedhur këtë rrugë.

Ndryshe nga ai, mendon kryeimami i Pejës, Enes Goga, të cilit i dhimbsen shqiptarët që shkojnë për shkak të lidhjes fetare të luftojnë në Siri.

“Unë mendoj se ata djem kanë shkuar me motiv të mirë. Neve na dhimbsen, sepse unë kur e pashë në media, se një djalë i ri nga Gostivari ka humbur jetën, edhe pse absolutisht nuk e di se kush është ai, mirëpo na dhimbsen. Tek e fundit, ka qenë zgjedhje e tyre e lirë. Dhe, unë mendoj se nuk duhet ta bëjmë këtë çështje”, tha kryeimami Goga për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, informacione të sakta për numrin e shqiptarëve që janë të angazhuar në Siri nuk ka, të paktën jo zyrtarisht, sikundër që s’ka as për numrin e atyre që mund të jenë vrarë, përveç disa raportimeve në mediat vendore