8.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Malishevë: PDK-LDK, koalicion për fshehje të krimit të organizuar dhe korrupsionit

albin kurti ne malisheveKryetari i VETËVNEDOSJE!, Albin Kurti, bashkë me deputeten Shqipe Pantina dhe koordiantorin e Qendrës së Lëvizjes në Malishevë, Muhamet Bytyqin, u takuan sot me qytetarët e Malishevës, për të diskutuar bashkë me ta mbi situatën politike nëpër të cilën po kalon Kosova sot.

Qytetarët e Malishevës ishin të interesuar të dinin se si ndodhi që pas gjithë kësaj kohe, në fund të ndryshojë gjithçka në mes të subjekteve politike që ishin nënshkruese të marrëveshjes së 10 shtatorit. “Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i është nënshtruar PDK-së, përkatësisht Thaçit. Konsultimet që i ka zhvilluar me struktura kanë qenë sa për t’i hedhur hi syve të anëtarësisë së LDK-së, se kinse po konsultohet edhe me të tjerët, për vendimin e mbrapshtë që e kishte marrë tashmë. Nuk bëhet fjalë këtu për demokraci të brendshme, por për keqpërdorim të anëtarësisë dhe strukturave për t’i legjitimuar interesat e tij personale”, u shpreh Kurti, duke shtuar se çështja e pozitës së kryeministrit e rrënoi LAN-in. gjithnjë edhe më shumë, filloi acarimi dhe helmimi i atmosferës me militantët e tyre, dhe sa më shumë që e sulmonin njëri-tjetrin, aq më shumë të dy bashkë afroheshin me Thaçin. “Prej frontit kundër regjimit të PDK-së, përfunduan në garë negative se cili po i afrohet Thaçit më shumë dhe cili po ia zbret pazarin tjetrit më kollaj. As Isa Mustafa e as Ramush Haradinaj nuk mund ta imagjinonin njëri-tjetrin si kryeministër, ndërkohë që edhe Isa Mustafa edhe Ramush Haradinaj nuk mund të mos e fantazonin veten si kryeministër. Pra, kishim dy trupa, një karrige, asnjë tru”, potencoi Kurti.

Ai më tej tha se shpejtësia me të cilën filluan bisedimet mes Thaçit dhe Mustafës, e posaçërisht shpejtësia me të cilën arritën ujdinë, përveç ambicieve të papërmbajtura për pushtet, e ka edhe faktorin tjetër shtesë. “Shpjegimi shtesë është faktor shtesë. Janë ato 70 dosje, ato 70 lëndë në prokurori për krimin ekonomik dhe urbanistik në Komunën e Prishtinës. Ato lëndë u politizuan nga Ambasadorja amerikane Jackobson, që ia përmendi Mustafës, dhe vetëm dy ditë më pas shkoi e vizitoi ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit, Sylë Hoxhën, prej nga dërgoi porosinë e qartë. Me fjalë tjera: rrini urtë, se do të veprojë drejtësia nëse nuk jeni të dëgjueshëm”, shpjegoi Kurti, duke thënë se Mustafa tashmë e ka pranuar shtetin e kapur nga PDK-ja dhe ka vendosur t’i bëhet argat Hashim Thaçit. “Situata ishte e thjeshtë. Isa Mustafa e kishte e penalltinë. Ishte ai, topi dhe portieri. Mustafa, vetëm pse kishte portier, nuk e goditi penalltinë, por e dha autogol në anën tjetër!”

Në këtë tubim me qytetarë u diskutua ndër të tjerë edhe për deputetët e Kuvendit, të cilët qëndruan përballë presioneve dhe shantazheve të PDK-së, e të cilët as nuk u frikësuan e as nuk u shitën. Deputetja Shqipe Pantina tha se gjatë kësaj periudhe, PDK ka përdorur metoda shumë të ulëta për t’ua ndërruar mendjen deputetëve. “Kanë shantazhuar, si dhe kanë qenë të gatshëm t’i japin milionat. E respektoj qëndrimin e këtyre deputetëve që nuk e shitën votën e tyre, nuk u përkulën. Nuk di si ndihen ata sot, kur lideri i tyre i shiti të gjithë ata përnjëherë? Në seancën e ardhshme këta edhe do të obligohen të votojnë për PDK-në”, tha Pantina.

Qytetarët e Malishevës u shprehën thellësisht të zhgënjyer me marrëveshjen në mes të LDK-së dhe PDK-së, duke theksuar se koalicioni i tillë është koalicion i cili jo vetëm që nuk do ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, por do ta mirëmbajë e do ta shtojë atë. “Me PDK-LDK bashkë, nuk ka gjasa të luftohet as krimi i organizuar i ShIK-ut, as korrupsioni i pushtetarëve, as ndërhyrjet dhe obstruksionet e Serbisë, as varfëria dhe papunësia, dhe njëkohësisht nuk mund të ngjallen shpresat e qytetarëve për ardhmëri më të mirë në kuadër të mandatit të ardhshëm”, u tha në këtë tubim.

Thaçi vet nuk kishte mundësi. Fuqia i erdhi prej Isa Mustafës. LDK në fushatë thoshte “vetëm ne mundemi”. Po pra, vetëm këta munden, për Thaçin. Vetëm këta mund t’ia zgjasin jetën në pushtet atij.

Më Shumë

Lajmet e Fundit