8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Mbështetet ideja e qeverisë teknike

Analistë të politikës dhe deputetë të opozitës e mbështesin idenë e një qeverie teknike që do të bëjë reformën zgjedhore, sidomos reformën e drejtësisë,Vetting-un, dhe do të zgjidhë edhe çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe, por edhe formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe më pas do ta çojë vendin në zgjedhje të reja pas 12 ose 15 muajsh. Sipas specialistëve të kësaj fushe, të gjitha këto ndryshime duhet bërë, ngase tashmë kjo qeveri nuk ka më as legjitimitet, as shumicë parlamentare dhe është me paterica, e nga dita në ditë mund të bjerë përtokë. Andaj, ekspertët sugjerojnë se partitë politike doemos duhet që të ulen në tryezën e diskutimeve, që ta përgatisin vendin për procesin e parakohshëm zgjedhor, si dhe të ndryshojnë urgjentisht Ligjin e zgjedhjeve. Ata janë të mendimit se kjo Qeveri duhet të bjerë dhe në vend të saj të zgjidhet një qeveri teknike, kryesisht gjithëpërfshirëse e teknokrate, ndërsa duke u nisur nga kryeministri dhe pozitat e tjera, të ndahen sipas fuqisë parlamentare. Sipas analistëve, në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që liderët të jenë pjesë e një ekzekutivi të tillë teknik. Ata thonë se një ekuilibrim i tillë politik do ta ndalonte ecjen e rrezikshme drejt anarkisë dhe çka është më e rëndësishme, këto ndryshime do ta nxirrnin prej lojës përfundimisht presidentin e tejinkriminuar të Kosovës, duke e detyruar të ofrojë dorëheqjen ose të shkarkohet pas një debati publik me votat e shumicës absolute të Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare.

Pas skandaleve fshihet presidenti

Eksperti i integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për “Kosova Sot” tha se jo që është e nevojshme, por është e domosdoshme një marrëveshje gjithëpërfshirëse e subjekteve politike kosovare për themelimin e një qeverie teknike, apo si do të quhej Qeveria e Shpëtimit Kombëtar. “Kjo qeveri aktuale nuk ka legjitimitet se nuk e ka shumicën dhe kësaj kur i shtohet se kjo qeveria po përballet me skandale të njëpasnjëshme dhe shkelje të rënda ligjore që nga arrestimi dhe lirimi jashtë ligjshëm dhe lirimi i tij vetëm pas pesë minutash i zyrtarit të lartë serb, Gjuriq, dhe deri tek dëbimi i gylenistëve që ishte inskenuar nga presidenti turk”, tha ai.”Problemi është se këtë skenar e ka përgatitur Hashim Thaçi, që tragjikisht gjendet në krye të Kosovës”, vijoi Kelmendi. Sipas tij, kjo qeveri duhet të zhbëhet dhe në krye të Kuvendit të gjendet një njeri që është nga subjekti më i madh parlamentar dhe i pranueshëm nga të gjithë. Ai propozon që për kryeministër duhej zgjedhur një person nga shoqëria civile, i cili nuk i përket asnjë subjekti politik.”Veç saj, pozitat e ministrave do të duhej reduktuar në 14 ose 15 ministri, por mos të jenë si rezultat i subjekteve politike, pra këta ministra të jenë ekspertë të fushave përkatëse”, thotë Kelmendi.

Rezistenca ndaj ekzekutivit kalimtar

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani, për “Kosova Sot” tha se formimi i një qeverie teknike është vështirë të ndodhë përpara se të ndodhin zgjedhje të jashtëzakonshme dhe kjo për shumë arsye.”E para, është se qeveri teknike nënkupton një qeveri ekspertësh dhe kjo i bie se do të ketë një kryeministër profesional. Ndërsa, e dyta, të gjithë ministrat do të jenë të pavarur nga partitë politike që do të udhëheqin shtetin për 6 muaj deri në një vit”, theksoi ai. “Një qeveri gjithëpërfshirëse edhe mund të ketë me një kryeministër apartiak, pra si variant mund të jetë një qeverisje e gjerë, edhe pse VV-ja dhe deputetët e Grupit të pavarur nuk besoj se do të hynin në këtë qeveri, prandaj mbetet që vetëm LDK-ja t’i bashkëngjitet këtij koalicioni nëse duan, nëse shteti duhet të shkojë në zgjedhje”, tha Burjani.”Po shihet se vështirë është që të ndodhë formimi i një qeverie teknike në këtë kohë dhe në këtë momentum politik, andaj e rrugës do të ishte që LDK-ja të hynte në këtë koalicion të gjerë për të arritur stabilitetin, por kjo nuk mund të ndodhë fare, për shkak se LDK-ja kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme”, vijoi më tutje ai. Ndërsa analisti politik Arsim Haziri për gazetën “Kosova Sot” tha se qeveria teknike natyrisht se do t’i kontribuonte tejkalimit të këtij ngërçi të rëndë politik.”Ai tejkalim do të mund të merrej me formimin e një qeverie të proceseve apo siç njihet qeveri teknike. Mirëpo, unë konsideroj se një marrëveshje e tillë ku do të rezultonte me krijimin e një qeverie të procese, ku do të mund të shtriheshin të gjitha subjektet, nuk iu shkon përshtati subjekteve që janë të zhytura në kriminalitet, po ashtu edhe ndryshimet në sistemin e drejtësisë për disa subjekte politike janë të papranueshme”, theksoi ai. Ai tha se ndryshimi i Ligjit zgjedhor, reforma përmes Vetting-ut në drejtësi, janë disa nga rrugët që janë shfrytëzuar prej subjekteve më të pushtetshme për t’i implementuar projektet e tjera.”Shkuarja në një qeveri të përmbylljes së proceseve nuk u përshtatet PDK-së dhe LDK-së dhe disa subjekteve të tjera minore, pasi një organizim i tillë ndikon në çmontimin e strukturave të tyre që i kanë vendosur tash e 19 vjet. Ndaj konsideroj se vendi duke pasur në konsideratë gjendjen socio-politike duhet t’i nënshtrohet një procesi të jashtëzakonshëm zgjedhor, ndoshta një verifikimi elektoral mos ndoshta ndikon në ardhjen e një mendësie tjetër qeverisëse”, ka potencuar Haziri.

Zgjidhja e çështjeve të mëdha

Deputeti nga tabori i opozitës, Salih Salihu, tha për “Kosova Sot” se si deputet i opozitës e mbështet idenë e krijimit të një qeverie teknike, që do të bënte fillimisht reformën zgjedhore e në veçanti reformën e sistemit të drejtësisë që është i kapur nga shteti për të pasuar më pas me Vetting-un.”Ndërkaq kjo qeveri teknike do të mund të zgjidhte edhe çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ndërkaq, gjatë kësaj qeverisje teknike do të duhej të ndërmerrej hapi që është vonuar formimi i Ushtrisë dhe më pas do ta çojë vendin në zgjedhje të reja pas 12 ose 15 muajsh”, u shpreh ai. “Të gjitha këto ndryshime duhet bërë ngase tashmë kjo qeveri nuk ka më as legjitimitet, as shumicë parlamentare dhe është me paterica dhe nga dita në ditë mund të bjerë përtokë. Andaj, për t’u bërë kjo qeveri teknike hapi i parë që duhet është se partitë politike doemos duhet të ulen në tryezën e diskutimeve, që ta përgatisin vendin për procesin e parakohshëm zgjedhor, si dhe të ndryshojnë urgjentisht Ligjin e zgjedhjeve”, propozoi Salihu. “Në këtë qeveri teknike në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që liderët të jenë pjesë e një ekzekutivi të tillë teknik, ngase duhet hapur mundësinë për kandidatë teknokratë e profesionistë të përgjegjshëm, të papërfolur për krime e korrupsion. Sepse, një ekuilibrim i tillë politik do ta ndalonte ecjen e rrezikshme drejt anarkisë dhe çka është më e rëndësishme këto ndryshime do ta nxirrnin prej lojës përfundimisht presidentin e tejinkriminuar të Kosovës, duke e detyruar të ofrojë dorëheqjen ose të shkarkohet pas një debati publik me votat e shumicës absolute të Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare”, ka vlerësuar Salihu

“Do të duhej që me një automatizëm të shkarkohej presidenti dhe lënda për rastin të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse ajo nuk e shqyrton lëndën, atë duhet shkarkuar me 2/3 e votave në Kuvend, meqë ka fakte të mjaftueshme që vendi të përgatitej në vjeshtë ose në pranverën e ardhshme për zgjedhje të reja nacionale”, tha Jeton Kelmendi për “Kosova Sot”

“Qeveria mund të bjerë shumë shpejt, zgjedhjet po trokasin në derë, por më e keqja është se populli s’ka kë ta votojë, ngase këto parti të gjitha janë të komprometuara skajshmërisht dhe e keqja është se alternativë tjetër serioze nuk po ka”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot”

“Qytetarët nuk meritojnë këso qeverie, e cila më shumë njihet për skandale sesa për ndonjë organizim të rregullt shtetëror”, tha Arsim Haziri për “Kosova Sot”

Më Shumë

Sot varroset aktorja Shirine Morina

Sot në orën 16:00 do të bëhet varrimi i aktores së njohur, Shirine Morina. Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se sot do të organizojë...

16 kosovarë janë ndaluar nga autoritetet serbe, mbi 300 të bllokuar në kufi

16 kosovarë janë ndaluar nga autoritet serbe në pikën kufitare Kroaci-Serbi. Janë mbi 300 udhëtarë të cilët janë bllokuar në këtë pikë kufitare me...

Lajmet e Fundit