7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Mbetje mortore në Prizren, dyshohet për viktimë të luftës

Në varrezat e qytetit të Prizrenit, në lagjen “Tusuz” janë gjetur mbetje mortore të cilat dyshohet se i takojnë ndonjë personi të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Lajmi.net, nga burime brenda policisë së Rajonale në Prizren, ka mësuar se trupi është gjetur të hënën nga mirëmbajtësi i varrezave, gjatë hapjes së një varri për një person, vdekje e natyrshme.

Ndërsa sot, ekipet mjeko-ligjore të vendit dhe EULEX-it, janë duke punuar për zhvarrimin e këtyre mbetjeve mortore, kanë konfirmuar për lajmi.net, në Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Burime policore kanë thënë për lajmi.net, se ajo çfarë ka bërë që rasti të procedohet si dyshim për viktimë të luftës, është se trupi ishte gjetur i varrosur cekët, jo i drejtuar në formën tradicionale dhe i pështjellur me një batanije ushtarake.

Në anën tjetër, Kushtrim Gara, Udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, i kontaktuar nga lajmi.net, përveç se e ka konfirmuar rastin, ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme ata si Komision e kanë vizituar lokacionin, ndërsa sot është proceduar me zhvarrimin e mbetjeve mortore.

“Së bashku me kryetarin e Komisionit Prenk Gjetaj dje kemi vizituar lokacionin e shënjuar. Njësitet përkatëse të policisë por edhe ekspertët mjeko-ligjorë kanë ndjekur procedurat e nevojshme për të siguruar urdhëresën e Prokurorisë, në bazë të së cilës ekipet mjeko-ligjore vendore dhe të EULEX-it sot do të zhvarrosin mbetjet mortore”, ka thënë Gara.

Ai ka thënë se është herët të flitet mbi identitetin e këtyre mbetjeve mortore, dhe se duhet pritur ekspertizën për identifikimin e tyre.
“Me profesionalizëm të lartë, mostrat do të procedohen për ekzaminim të mëtutjeshëm. Në këtë rast vetëm analiza e ADN-së mund të konfirmojë identitetin e viktimës”.

Rritjen e dyshimet se bëhet fjalë për viktimë të luftës, Gara thotë e bën edhe fakti se në atë zonë edhe më herët janë gjetur mbetje mortore që pas ekzaminimeve kanë rezultuar se u takojnë personave të vrarë gjatë luftës së fundit.

“Gjetjet e fundit, kanë qenë ato të muajit mars 2013, ku janë gjetur mbetjet mortore të një viktime, pikërisht në afërsi të mbetjeve mortore të gjetura së fundi. Atëherë supozimet janë se edhe këto mbetje mortore i përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë”.

“Gjithashtu, duhet theksuar se fenomeni i gjetjeve të rastësishme brenda hapësirave të varrezave të qyteteve apo fshatrave, tashmë ka konfirmuar se Serbia në përfundim të luftës ka përdorur hapësirat e varrezave për fshehje të trupave të viktimave, në përpjekje të saj për të fshehur gjurmët e krimit”.

“Siç e kemi thënë edhe më herët, ne edhe 16 vite pas luftës, jemi të varur nga informatat që duhet të ofrojë Serbia, meqë në bazë të dhënave që kemi është konfirmuar se Serbia të gjitha rastet i ka evidentuar, ka të dhëna, siç janë skica dhe dëshmi. Dhe po që se nuk arrijmë t’i sigurojmë këto evidenca nga pala serbe, është e vështirë për të pasur gjetje, sepse përqindja e mundësisë së gabimit është gjithmonë e madhe. Në hapësirë të varrezave, po nuk i pate të dhënat e sigurta mundësia e gabimit është shumë e madhe, pasi çdo herë do të hasësh në pjesë kockore të të varrosurve të tjerë, që nuk lidhen me luftën e fundit në Kosovë”, ka thënë Gara. /lajmi.net/

Previous article
Next article

Më Shumë

Hapet konkursi për Kryeshef Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Hidroregjioni Jugor” në Prizren

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” SH.A. ka shpallur një konkurs publik për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv. Kjo pozitë ka përgjegjësi të rëndësishme në menaxhim...

Moti sot me diell, temperaturat deri në 26 gradë Celsius

Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesshme gjatë ditës.   Vonë pasdite mund të ketë reshje të izoluara në verilindje...

Lajmet e Fundit