14.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Mustafa: Është e pavend që 17 vjet pas luftës të flitet për kthimin e Serbisë në Kosovë

Kryeministri Isa Mustafa, po merr pjesë në një takim me përfaqësues të shoqërisë civile që për temë ka tejkalimin e krizës politike në vend.
Mustafa, në fjalimin e tij para të pranishmëve, tha se Qeveria vlerëson rolin e shoqërisë civile, të mediave e të tjerëve për kontributin e tyre në daljen e vendit nga kriza.

“Sot jam para jush me rivalin më të madh të LDK-së, zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi, sepse dihet se gjithmonë kemi qenë rivalët më të mëdhenj. Jam i bindur se për të dy do të ishte më lehtë sikur njëra palë të ishte në pozitë e tjetra në opozitë, por realiteti është ndryshe. Dje kemi pasur një bisedë te presidentja Atifete Jahjaga. Falënderoj ambasadorin amerikan dhe përfaqësuesin e BE-së për angazhim në dialogun që është mënyra e vetme për të paraqitur argumentet tona dhe të gjejmë zgjidhjet tona”, ka thënë Mustafa në fjalimin e tij, raporton Koha.net.

Kreu i ekzekutivit, Mustafa, theksoi se pozita deri më tani e ka pasur të pamundur t’i paraqet qëndrimet e Qeverisë për arsye të, siç tha ai, “pengesave që janë bërë në funksionimin e rregullt të Kuvendit të Kosovës”.

“Republika e Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, kompromis i një shumice autoktone shqiptare. Republika e Kosovës është projekt i përbashkët i qytetarëve dhe aleatëve të tyre, se nga data 12 qershor e 1999 Serbia është vetëm fqinji ynë verior me të cilin kemi konteste të vazhdueshme, por i kemi mbyllur relacionet e varësisë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, se Kosova është orientuar drejt integrimeve euroatlantike”, ka potencuar më tej Mustafa.

“Po ashtu dëshiroj të potencoj se 17 pas çlirimit është e pavend të flitet për kthimin e Serbisë në Kosovë”, u shpreh Mustafa.
Kryeministri Mustafa tha se pjesëmarrja e pakicave në projektin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës ka qenë obligim ndërkombëtar për të drejtat e pakicave. Kjo, tha Mustafa, nuk duhet t’i pengojë askujt në Kosovë.

“Neve na takon t’ju ofrojmë këto mundësi edhe qytetarëve që nuk janë shumicë në vendin tonë, dhe janë obligime që na vijnë nga aleatët tanë”, tha më tej ai.

Mustafa tha se Kosova ka arritur që të gjejë gjuhë të përbashkët me të gjitha pakicat në vend, dhe ka arritur të integrojë popullatën jo-shumicë, sidomos serbët, në qeverinë e Kosovës.

“Është mandati i parë që kemi arritur të integrojmë komunat serbe të veriut të Kosovës. Mendoj se këto janë të arritura që s’duhet t’i mohojmë”, theksoi ai.

Duke iu referuar protestave të partive opozitare, brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës, Mustafa përsëriti se dhuna nuk është alternativë.

“Pengimi i punës së institucioneve të Kosovës nuk është alternativë, dhuna nuk është alternativë. Dhuna rrezikon funksionalitetin e Kosovës, dëmton imazhin tonë, dhe inkurajon kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

Ndërkaq, në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin, Mustafa tha se marrëveshja e parë, ajo për AKS-në, është marrëveshje që derivon nga marrëveshja e vitit 2013.

Por, tha se Asociacioni do të krijohet në bazë të opinionit të Gjykatës Kushtetuese dhe Ligjeve të Kosovës.

“Përkushtimi ynë si qeveri është që Asociacioni të formohet në bazë të opinionit të Gjykatës Kushtetuese”, potencoi Mustafa.

Për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Mustafa tha se Kosova nuk do të humb asnjë metër katror territor në këtë marrëveshje.

“Kosova s’mund të humb asnjë metër katror të territorit. Nuk besoj që asnjë deputet i Kuvendit do të pranonte të humbte një metër katror të territorit të Kosovës. Por, duhet të flasim vetëm me argumente për këtë çështje”, potencoi i pari i Qeverisë së Kosovës.

Ai u shpreh i bindur se motivet e opozitës për kundërshtimin e këtyre marrëveshjeve nuk qëndrojnë, por tha se janë për përfitime politike dhe pushtetore.

“Duhet të argumentojmë çdo dyshim në mënyrë që vendi të mos bie në gjendje të pakëndshme, por të krijojmë mundësi që të zhvillojmë debat në Kuvend me argumente, sepse dhuna në Kuvend dhe jashtë tij po dëshmon se kundërshtarët e këtyre marrëveshjeve nuk janë të gatshëm të dialogojnë”, theksoi kryeministri Isa Mustafa.

Në fund, ai ripërsëriti se zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme nuk do të ketë, por tha se ato do të mbahen më 2017, zgjedhjet lokale, dhe më 2018 zgjedhjet parlamentare.

Më Shumë

Pse e ndërpreva seksin për një vit!

“Në mars të vitit 2018, ndalova seksin. Vendosa që për një vit të mos bëj seks apo ndonjë gjë që lidhet me të.” Francisco...

Zhduket një person në Prizren

Një person ka njoftuar se axha i tij që vuan me probleme të shëndetit mendor ka dalë nga shtëpia e tij dhe nuk dihet...

Lajmet e Fundit