8.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Nëntoka kriminale, në ofensivë

Pas incidenteve të vazhdueshme të fundit në Kosovë, analistët, njohësit e fushës së drejtësisë, si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë hedhur dyshimet e tyre se nëntoka kriminale është aktivizuar sërish përmes skenarëve të bombave dhe ashpërsimit të gjuhës publike politike, për ta paraqitur kësisoj Kosovën si një shtet të pasigurt ku nëse, “të fortët” nuk mbështeten nga ndërkombëtarët dhe po ashtu nëse oligarkët nuk janë në pushtet, nuk do të ketë paqe të përgjithshme në vend, pasi, veç të tjerash, ata tashmë edhe po e shohin se po demaskohen si asnjëherë më parë në publik, shkruan gazeta Kosova Sot.

Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se situatat e rënda në Kosovë i shfrytëzojnë lloj- lloj forcash destruktive e agjenturash të ndryshme, të cilat, sipas tij, kanë për qëllim të fundit destabilizimin e Kosovës dhe defaktorizimin e saj. “Në anën tjetër, të “fortët” në vazhdimësi kanë qenë të dëgjueshëm dhe të shantazhueshëm, ngase ata gjithmonë e kanë luajtur rolin e dëgjuesit, duke zbatuar gjithmonë politikat e të tjerëve si primare e asnjëherë tonat. Në këtë mënyrë janë dëmtuar rëndë interesat tona nacionale e shtetërore. Ne nuk e dimë saktë se kush janë autorët e bombave, por një gjë është e sigurt se ata nuk ia duan të mirën Kosovës. Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë,por gjithmonë duke pasur në rend të parë interesat tona e jo interesat e të tjerëve”, ka theksuar ai.

Dibrani: Skenar i përgatitur për të bartur vëmendjen e popullsisë në tema të tjera

Ndërkaq, avokati Tomë Gashi ka vlerësuar se sido që të jetë, së pari duhet të identifikohen dhe të gjenden personat e vërtetë që kanë hedhur bomba apo mjete shpërthyese, ose çfarëdo tjetër që kanë vepruar, e që janë padyshim vepra inkriminuese dhe vepra të rënda penale. Ai shtoi se përderisa nuk do të zbulohen ata dhe nuk gjykohen mund të jetë secili variant i mundshëm. Në anën tjetër, analisti Shefqet Dibrani thotë se siç duket nëntoka e veprimeve kriminale është në ofensivë, derisa, sipas tij, bombat më shumë duhet të shikohen me dyshim si një skenar i nëntokës sa për të shprehur pasiguri në nivel Kosove. ” Rastet po ndodhin sipas një planimetrie e cila rrit dyshimin, pasi shpërthimet po bëhen në një kohë që, përveç panikut dhe dëmeve materiale, deri më tani nuk paraqisnin rrezikun e jetëve njerëzore.

Pastaj nëse analizohen deklaratat e zyrtarëve shtetërorë, presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit, se si u bëjnë thirrje organeve të drejtësisë për t’i ndriçuar rastet, lë përshtypjen e personave që nuk kanë asnjë përgjegjësi udhëheqëse, ngase këto thirrje irritojnë qytetarin, në vend se ata të lëshojnë urdhëresa për t’u kapur personat që kryejnë akte terroriste, ndërsa lihet po ashtu përshtypja se rastet po ndodhin në një shtet tjetër, ndërsa këta kanë kompetencë vetëm të bëjnë thirrje publike për t’u ndriçuar rastet”, u shpreh ai. Më tej, Dibrani ka nënvizuar se po aq shqetësuese janë deklaratat e personave të atakuar, të cilët në emër të një vendosmërie shprehin guximin e tyre për të shkuar më tutje dhe për të mos u zmbrapsur, andaj, sipas tij, e tëra duket si një skenar i përgatitur, sa për të bartur vëmendjen e popullsisë në tema të tjera, më pak të rëndësishme. “Shqetësuese është kur deklaratat e Qeverisë dhe të Parlamentit lidhen me një subjekt politik, veçanërisht për t’u gjykuar është deklarata e Bordit të RTK-së, ku rastin me bombë e lidhin drejtpërdrejt me një subjekt politik, madje pa u dhënë raporti policor, është joprofesionale dhe veprime të pafalshme që mund të kualifikohet si vepër penale. Edhe sikur të shihej qartë personi që kryente veprën penale, edhe sikur atij t’i dihej emri, mbiemri dhe përkatësia partiake, shteti nuk guxon të drejtojë gishtin nga një subjekt politik, i cili është pjesë e Parlamentit, aq më pak këtë gabim nuk është dashur ta përsërisë RTK-ja si medium publik. Hedhja e bombave dhe deklaratat janë për keqardhjen, por nëse këto gjëra janë skenar i grupeve dhe individëve që kanë kapur shtetin, prandaj policia dhe drejtësia janë vetëm instrumente në duart e tyre. Derisa policia nuk e ka kapur asnjë rast, dyshimet mund të shtohen se këto ngjarje janë një skenar i strukturave të nëntokës të cilat e kanë kapur shtetin dhe nga aty po tallen jo vetëm me qytetarët dhe me fatin e Kosovës, por edhe me rolin e bashkë- sisë ndërkombëtare në Kosovë”, është shprehur Dibrani për gazetën “Kosova Sot”..

Më Shumë

Reja, afër të emërohet trajner i skuadrës në Seria A

Ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja raportohet se mund të marrë drejtimin e skuadrës së Udineses deri në përfundim të këtij sezoni. Mediet...

Totaj pret U.D. të Kryeshefit Ekzekutiv të ASK’së, diskutojnë për procesin e regjistrimit të popullsisë

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj priti sot U.D. të Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati. Siç bëhet e...

Lajmet e Fundit