21.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Nepotizmi shfaqet ‘këmbëkryq’ në komunën e Prizrenit

Se çfarë do të ndodh me qeverisjen lokale në Prizren, pas paralajmërimit për bojkot të opozitës, mbetet të shihet, por ditë më parë vetë koalicioni brena qeverisjes pas dy vitesh ka treguar shenja të ndarjes. Koalicionit të partisë fituese në zgjedhjet lokale “Vetëvendosje” iu bashkuan Nisma dhe LDK, por u desh një seancë e jashtëzakonshme që të jepen shenja se ky koalicion po shkon drejt rënies.

Kuvendarët e LDK-së bojkotuan këtë seancë. Kjo pastaj mobilizoi degën e LDK-së në terren, ku po shqyrtohet mundësia e daljes së LDK-së nga koalicioni. Kuvendari i LDK-së, Petrtit Hoxhaj, pohon se duhet të rishikohet ky koalicion, pasi që u bënë dy vite dhe ende nuk ka reflektuar kryetari për një bashkëpunim të koalicionit.

“Pakënaqësitë janë të shumta te elektorati ynë, andaj kësaj qeverisje që ka menduar se do të jetë një qeveri më ndryshe se qeveritë tjera po i vjen fundi”. I këtij mendimi ishte edhe nënkryetari i komunës së Prizrenit, Eshref Memaj, i cili është edhe zyrtar i LDK-së, duke thënë se në komunë ka nepotizëm në punësim.

Punësimet partiake

LDK-ja akuzon partinë e Albin Kurtit se ka shfrytëzuar komunën e vetme ku qeveris përmes kryetarit Mytaher Haskuka, që të sigurojë vende pune edhe për militantë partiakë nga komuna të tjera. Dhjetëra militantë e familjarë janë rehatuar në pozita të ndryshme.

Ish- drejtori i ekzekutivit në kohën e PDK-së, tani anëtar i Këshillit Drejtues, Visar Islamaj, pohon për gazetën “Kosova Sot” se tanimë janë bërë publike të gjitha proceduarat e dyshimta të konkurseve të pranimit të bërë nga VVja.”Kërkojmë nga Prokuroria që sa më parë të merren masat përkatëse. Sepse këtë nepotizëm nuk e ka asnjë komunë në Kosovë, e as që ka pasur që nga paslufta. Punësime vetëm për militantë partiakë që kryesisht janë të VV-së. Tashmë të punësuar janë edhe Jetmira Vrenezi, kandidate për asamble e VV-së në zgjedhjet lokale. Ani pse Vrenezi jeton dhe është e angazhuar në degën e VV-së në Malishevë.

Zgjim Kryeziu, një nga aktivistët kryesorë të degës së VV-së në Prizren. Kandidatja tjetër për asamble të Prizrenit në zgjedhjet e fundit lokale, Afërdita Avdyli, është rehatuar nga qeverisja e VV-së, Sazan Cukaj, po ashtu kandidat për Asamblenë komunale të Prizrenit nga VV, është rehatuar në Drejtorinë e Kulturës. Aktivisti Fatlum Berisha është punësuar në Drejtorinë e Shëndetësisë, Zija Krusha në Drejtorinë për Zhvillim e Turizëm dhe Nol Bytyqi në Drejtorinë e Shërbimeve Publike.

E punësuar si përgjegjëse për IT është edhe aktivistja e kësaj partie, Dua Slishani. Kurse të angazhuar si zyrtarë komunalë janë edhe dy aktivistë të tjerë nga VV-ja, Ron Shehu e Dijedon Shala, për të vazhduar pastaj me emërime të drejtorëve të shkollave dhe në QKMF”, është shprehur ai. Kërkon që sa më parë prokuroria të fillojë të hetojë këto punësime.

Kurse Ilir Baldedaj nga AAK-ja është njëri nga kuvendarët më të zëshëm për keqqeverisjen në komunën e Prizrenit. “Këta që thërrasin protesta kundër punësimeve mjafton të shikosh në komunën e Prizrenit se çfarë kanë bërë për një vit e gjysmë. Kjo qeverisje se jo mahi është. Në qytetet tjera edhe mund të gënjejnë e të shiten shtrenjtë. Në Prizren ‘Vetëvendosje’ po del qesharake. Ata që nuk lanë farefis pa punësuar në Komunën e vetme që e udhëheqin. Ata që s’lanë militantë pa punësuar në Komunën e Prizrenit, ndërsa sjellin “kuadro deficitare” nga Malisheva e Prishtina, duke e nënçmuar qytetin dhe qytetarin e Prizrenit, organizojnë tubime e shesin moral. Është e habitshme se si nuk e shohin se nuk u ka mbetur asnjë pikë morali në fytyrë, sepse më pak se një vit e gjysmë të udhëheqjes në Prizren u shqye maska. Të paaftë e të padijshëm e ushqejnë nepotizmin në çdo hap, ndërsa flasin kundër tij. Të paaftë e të padijshëm në çdo hap e ushqejnë keqpërdorimin e flasin kundër keqpërdorimit”, theksoi ai për gazetën “Kosova Sot”

/Kosova Sot/

Më Shumë

Moti për sot me diell, vranësira dhe reshje shiu

Për të dielën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku mund të ketë ndonjë reshje të izoluar shiu gjatë ditës. Në orët...

Bruce Springsteen bashkohet në skenë me Zach Bryan dhe Maggie Rogers (Video)

Legjenda e folk-rokut, Bruce Springsteen, iu është bashkuar dy yjeve të reja të muzikës, Zach Bryan dhe Maggie Rogers. Bosi gjeti kohë për t’u shkëputur...

Lajmet e Fundit