16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Pakicat i drejtohen presidentes

Yagcilar-grupi 6plusDeputetët e komuniteteve sot (e hënë) nëpërmjet një shkrese do të kërkojnë nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim shtesë lidhur me pikën 127 të vendimit të Kushtetueses.

Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Mahir Jagxhillar, ka thënë për “Epokën e re” se kjo shkresë do të nënshkruhet vetëm nga deputetët e pakicave dhe se, sipas tij, kjo ka për qëllim tejkalimin e krizës politike në vend.

“Besoj se pas nënshkrimit të deputetëve të hënën do të dërgohet edhe zyrtarisht shkresa. Kjo shkresë do të nënshkruhet vetëm nga deputetët e komuniteteve të tjera dhe deputetët nga komuniteti serb. Nëpërmjet kësaj shkrese do të kërkojmë nga presidentja e vendit ta dërgojë edhe një herë në Kushtetuese që të qartësohet më hollësisht se cila është dalja prej krizës, pra nëse ka ndonjë interpretim rreth mënyrës së zgjedhjes së kryeparlamentarit”, ka thënë Jagxhillar.

Ai ka treguar se kjo ide ka ardhur pas takimit që përfaqësuesit e komuniteteve kanë pasur të premten.

“Ne deputetët e komuniteteve të premten e patëm një takim dhe menduam se ndoshta do të ishte mirë ta dërgojmë një shkresë te presidentja e Kosovës, e cila do t’i drejtohet prapë Gjykatës Kushtetuese për sqarim se si të shkohet më tutje dhe të tejkalohet situata aktuale politike”, ka deklaruar Jagxhillar.

Lideri i KDTP-së nuk ka treguar se si do të veprojnë në rast se presidentja e vendit nuk do të kërkojë sqarime shtesë nga Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, në këtë rast edhe shefja e shtetit mund të japë ndonjë shpjegim.

“Sigurisht se ajo do të japë ndonjë shpjegim se pse nuk do ta dërgojë në Kushtetuese. Pra, do të ketë konsultime të tjera. Krejt qëllimi i kësaj shkrese është zhbllokimi i situatës aktuale dhe të zgjidhet kryetari i Kuvendit të Kosovës”, është shprehur ai.

Jagxhillar ka bërë me dije se në takimet që komunitetet kanë pasur me presidenten Jahjaga, kjo e fundit nuk ua ka përmendur si opsion mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Në takimet që kemi pasur me presidenten, ajo nuk na i ka përmendur zgjedhjet. Dihet se ne në këto takimet e fundit nuk kemi qenë prezentë, por në takimet e mëhershme kur jemi takuar aty nuk ka qenë debat çështja e zgjedhjeve”, është shprehur ai.

Jagxhillar ka përsëritur edhe një herë se zgjedhjet e reja janë të panevojshme.

“Dihet se gjithë komunitetet, por edhe partia ime në këtë moment, jemi kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja. Vlerësimi ynë është se tani vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të reja sepse parlamenti ekziston. Mendimi ynë është se zgjedhjet nuk do të sjellin asgjë të re dhe nuk do të kemi ndryshim të situatës. Ndoshta zgjedhjet do ta komplikojnë edhe më shumë situatën”, ka deklaruar Jagxhillar.

Duke folur për ngërçin politik, ai ka vlerësuar se partive kryesore politike u takon të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e situatës.

“Mendoj se situata aktuale tejkalohet nëse partitë kryesore politike ulen, diskutojnë dhe arrijnë te një zgjidhje. Atyre u takon kjo çështje”, ka deklaruar kryetari i KDTP-së.

Sa i përket qëndrimit të deputetëve të pakicave joserbe në rast të mbajtjes së vazhdimit të seancës konstituive, ai ka thënë se do t’i respektojnë Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne mendimin tonë e kemi qartësuar edhe më herët. Do të marrim pjesë në çdo seancë e cila është në përputhje me Kushtetutën dhe me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Mahir Jagxhillar.

Më Shumë

Haradinaj në Prizren: Koalicioni i prirë nga Aleanca është shndërruar në forcë serioze politike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se koalicioni parazgjedhor i prirë nga AAK, është shndërruar në forcë serioze politike. Haradinaj...

Kurti: Me guximin e familjes Haradinaj, Epopeja e Dukagjinit dëshmoi vendosmërinë për çlirim

Kryeministri Albin Kurti, tha se bashkë me guximin e familjes Haradinaj, Epopeja e Dukagjinit dëshmoi vendosmërinë e popullit për çlirim. “Kushtrimi i lirisë dhe lufta...

Lajmet e Fundit