10.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

PDK në kërkim të mundësisë për Specialen

Partia Demokratike e Kosovës po shikon të gjejë mënyrën për bindjen e deputetëve të saj për ta votuar Gjykatën Speciale, në rast se riprocedohet në Kuvend sërish amandamenti 24.

Ishin 13 deputetë të PDK-së ata që e dështuan javën e votimin e amandamentit që i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci nuk ka dashur të flas për mos unitetin e deputetëve të PDK-së, ndërsa analistët politikë, e konsiderojnë ‘lojë politike’ votimin e PDK-së për Specialen.

“Nga mosdija dhe patriotizmi i rrejshëm, ata deputetë që votuan kundër bënë gabim trashanik në dëm të interesit shtetëror”. Këtë përkufizim e bëri kreu i PDK-së, Hashim Thaçi për deputetët e partisë së tij që votuan kundër Gjykatës Speciale. Por, kështu nuk mendojnë ata që votën e tyre e dhanë kundër në seancën e javës së kaluar. Edhe pse nuk dëshirojnë të flasin, disa prej deputetëve që votuan kundër, thonë se nëse procedohet i njëjti amandament pa ndryshime, prapë do të votojnë kundër, megjithë pasojat që thonë se janë të vetëdijshëm që mund t’i bartin brenda partisë.

Përkundër insistimit të Radio Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, nuk ka dashur të flas për mungesën e unitetit të deputetëve të PDK-së për Gjykatën Speciale, sikur që nuk kanë dashur të flasin as deputetë të tjerë të kësaj partie. Sidoqoftë, analistët politikë, e konsiderojnë si ‘lojë politike’ mungesën e këtij uniteti. Driton Selmanaj nga KDI-ja që e monitoron punën e Kuvendit, e konsideron të planifikuar mungesën e unitetit në Grupin Parlamentar të PDK-së.

“Ky mosunitet i deritanishëm, sikur ka qenë i planifikuar, dhe tash e tutje nuk e besoj se mund të vazhdojë kështu, sepse Grupi Parlamentar i PDK-së është shquar për një unitet dhe disiplinë të brendshme të funksionimit të tij si grup parlamentar”, tha Selmanaj për Radio Kosovën.

Analisti Imer Mushkolaj, duke e quajtur lojë, votimin e PDK-së për Specialen, thotë se deputetët nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse ta votojnë Gjykatën Speciale.

“Loja e pretenduar me votimin ose mosvotimin e një pjese të deputetëve nga PDK-ja është bërë më tepër për një pazar, ose për një lojë, e cila thjesht është një lojë që po e shohin dhe po e dinë të gjithë, por edhe ata e dinë se nuk do të kenë zgjidhje tjetër, pos ta votojnë Gjykatën Kushtetuese”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.

Burime brenda Grupit Parlamentar të PDK-së, flasin për përpjekjet e kësaj partie që të arrijë një unitet të grupit, në rast se sërish kthehet në Kuvend çështja e Speciales. Madje, disa prej deputetëve të kësaj partie shprehen të bindur se nëse amandamenti 24 procedohen sërish në Kuvend, do të kalojë me dy të tretat e votave të deputetëve. Driton Selmanaj nga KDI-ja beson se nëse riprocedohet çështja e Gjykatës Speciale në Kuvend, PDK-ja do të ketë qëndrim më unik.

“Duket sikur ata janë duke u konsultuar brenda vetes, janë duke u përgatitur dhe besoj që kjo çështje do të përfundojë në kuptimin e asaj që do të kemi një qëndrim shumë më kompakt, sesa që kishim në seancën e kaluar”, tha Selmanaj.

Ndryshe, në seancën e javës së kaluar 7 deputetë të PDK-së votuan kundër amandamentit 24 i Kushtetutës, që i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, 2 abstenuan, ndërsa 4 nuk morën pjesë fare në votim. Kjo bëri që ky amandament të mos kalojë, pasi mori vetëm 75 vota ishin, ndërsa kërkohen së paku 80 vota për ndryshime kushtetuese. /Radio Kosova/

Më Shumë

Lajmet e Fundit