5.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

PDK në Prizren: LDK-në do ta mundim edhe më bindshëm

Zyrtarët komunalë të Prizrenit i kanë cilësuar si “të paqëndrueshme” dhe “retorikë boshe” kritikat e bëra një ditë më parë nga drejtuesit e Degës së LDK-së për “kryerjen shkel e shko” dhe “me borxhe” të projekteve.

Përveç kësaj, zyrtarët e PDK-së në pushtet premtojnë se herën e katërt do ta mundin edhe më bindshëm partinë më të madhe opozitare në këtë qytet.

Pas kritikave që kanë ardhur nga kryetari i Degës së LDK-së, Haxhi Avdyli, të martën ka reaguar pushteti prizrenas. Më i zëshmi ishte drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Hasan Hasani, mbi sektorin e të cilit janë përqendruar më së shumti vlerësimet negative.

Pas mbledhjes së Këshillit të Drejtorëve Komunalë, Hasani ka thënë për “Zërin” se deklarimet e Avdylit janë “një farsë”, janë “larg realitetit në terren” dhe se më shumë janë bërë në stilin “për të thënë diç”.

Kryeopozitari prizrenas pos tjerash ka kritikuar Komunën për realizim të punëve publike “shkel e shko dhe me borxhe”, duke thënë se kjo po bëhet “pasi PDK-ja ka filluar ta nuhasë aromën e zgjedhjeve të parakohshme lokale”.

Derisa ka kujtuar disa projekte, të cilat kanë filluar shumë më herët, por që kanë mbetur ende të papërfunduara, Avdyli ka thënë se punët që po kryhen me nguti dhe shpesh pa shikuar prioritetet urbanistike, sikur tregojnë që ky pushtet e ka me ngut shpenzimin e buxhetit komunal dhe atë pa ndonjë planifikim paraprak.

Hasan Hasani, ndërkaq, që është njëri ndër faktorët kyç edhe në PDK-në e Prizrenit, ka thënë se projektet po kryhen sipas parashikimeve, ndërsa në ndonjë rast është dashur edhe të pritet ribalancimi i buxhetit, meqenëse gjatë punimeve në disa projektet kanë dalë punë shtesë dhe këto duhet realizuar sipas ligjit.

“Nuk dimë nëse ka të drejtë dikush të flasë pa mbikëqyrjen teknike të projekteve në terren”, ka thënë ai duke aluduar në vlerësimet e kreut opozitar lokal.

Po ashtu, Hasani ka thënë se për projektet e realizuara në Prizren më së miri mund të flasin vetë qytetarët, të cilët për tri mandate radhazi ia kanë dhënë besimin për ta qeverisur PDK-në.

“Po ashtu ia kujtoj Avdylit, se në herën e katërt, pavarësisht kur mbahen zgjedhjet lokale, do ta mundim edhe më bindshëm”, ka thënë ai.

Avdyli ndër tjera ka thënë se Dega e LDK-së në Prizren fton pushtetin aktual që “së paku në fund të këtij mandati, i cili pritet të përfundojë para kohe për shkak të kryetarit të dënuar Muja, të reflektojë sadopak dhe të abstenojë nga keqmenaxhimi i parasë publike, të cilat i paguajnë qytetarët tanë”.

Ndryshe, nëse gjërat nuk ndryshojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale, Dega e LDK-së në Prizren do të udhëhiqet nga neurokirurgu, Haxhi Avdyli, i cili disa muaj më parë në këtë post e ka zëvendësuar kryetarin “legjendar” të kësaj partie, Eqrem Kryeziun, i cili pos që humbi në zgjedhjet lokale të vitit 2013, në zgjedhjet e fundit qendrore nuk arriti as të sigurojë mandatin e deputetit.

Pos reagimit të Drejtorit për Shërbime Publike ndaj deklarimeve të LDK-së ka reaguar edhe zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, duke i vlerësuar kritikat si një retorikë boshe të opozitës. /Zëri/

Më Shumë

Edhe 17 biznese të reja të mbështetura nga komuna e Prizrenit dhe Preda Plus, me mbështetjen e ASB-së

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë me dije se kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me përfaqësuesit e projektit “Integra – Nxitja e...

Ish-gazetari Ramadan Baraliu aderon në Vetëvendosje

Ish-gazetari dhe politikologu, MSc. Ramadan Baraliut ka aderuar sot në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai ëshvë mirëpritur nga kryetari i Qendrës së LVV-së në Prizren, Artan Abrashi...

Lajmet e Fundit