15.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Përgjegjësit e skandalit në Prizren të shkarkohen

Sikurse edhe në shumë raste të tjera, ka dështuar protokolli i shtetit në kremten e 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sjellja arrogante e kryeministrit Ramush Haradinaj, që largoi një grua që po fliste, ishte kulmi i skandalit. Eksperti i diplomacisë dhe protokollit, diplomati Tomor Avdiaj, për gazetën “Kosova Sot” tha se veprimet në ceremoninë e 140- vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që i bënë krerët e Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës, ishte një shkelje e normave protokollare.

“Me veprimet e tyre kanë dëmtuar në një masë jo të vogël imazhin e shtetit. Në bazë të atyre veprimeve ata e kanë zbehur edhe përvjetorin e 140-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, potencoi Avdiaj.”Për këto veprime duhet të ketë edhe përgjegjësi ndaj atyre që i shkaktuan. Protokolli i shtetit dhe i kryeministrit e kanë përgjegjësinë”, vlerësoi ai.

 

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga tabori opozitar, Ali Lajqi (VV), për gazetën “Kosova Sot”, tha se pa asnjë dyshim rasti i së dielës ishte një komprometim i rëndë i shkeljes së protokollit të shtetit nga vetë krerët e shtetit tonë, që ndodhi ditë më parë në kryeqytetin historik në kremten e 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.”Lirshëm e themi se ky ishte një axhamillëk i institucioneve tona, që e treguan Kadriu dhe Ramushi, duke treguar se ishin të pakordinueshëm, se janë inatçinj dhe se janë skandal”, theksoi ai.

“Sikur Kosova të kishte institucione shtetërore të përgjegjshme dhe në nivelin që do të duhej të ishin, ata të dy vetë do të duhej që t’i thonë vetes se e bëmë punën helaq dhe jemi bërë horë”, vlerësoi Lajqi. Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani, për “Kosova Sot” tha se në Kosovë ka pasur edhe më herët dështime të tilla. “Tash problemi nuk është te protokolli shtetëror, por te mosgatishmëria për të trajtuar raste individuale dhe raste kolektive të banorëve për problemet që janë prezent në një kohë të gjatë dhe pa zgjidhje”, theksoi ai.”Rasti i fundit në Prizren kur dy persona kanë tentuar të flasin ishte një dështim i rojës dhe sigurisë së konferencës, sepse kryeministri nuk duhet të jetë i involvuar në gjëra të tilla, ngase ka kush të merret me këta persona, të cilët mund të ndikojnë negativisht në agjenda të tilla dhe përvjetorë historikë”, shtoi më tej Lajqi.

Institucione të papërgjegjshme

Analisti politik Arsim Haziri për “Kosova Sot” tha se protokolli i djeshëm shtetëror me rastin e 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit me të vërtetë na nxori mjaft keq si Republikë parlamentare.”Dje, ai organizim aq dobët ishte organizuar sa njëmend shpërfaqi mosseriozitetin e shtetit tonë në ngjarje të rëndësishme”, theksoi ai.

“Përfshirja e kryekuvendarit në rolin e stafit teknik dhe kryeekzekutivit në rolin e sigurimit, më se miri dëshmojnë për nivelin e papërgjegjshmërisë për funksionet që i bartin. Largimi i zonjës prej foltores dhe intervenimi i dyanshëm institucional për këtë ngjarje të veçantë historike edhe një herë tregon për dështimin e shtetit tonë”, ka thënë më tutje Haziri. Sipas tij, shteti ynë çdo ditë e më shumë po pasqyron karakterin e një shteti të zaptuar, ku kapësit e saj përfaqësojnë mendësinë më të dobët dhe analfabetë dhe duke qenë brenda një menaxhimi të tillë, s’mund asnjëherë të reflektojë administrim dinjitoz në çështje me rëndësi jetike.

Ndërsa, eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot” tha se fatkeqësisht institucionet më të larta të shtetit në të dyja nivelet, ato më të larta të shtetit, kanë dështuar në aspektin profesional. “Ajo që pamë të dielën në Prizren nga kryeministri Haradinaj, që e largon nga skena një zonjë nga Shqipëria, që deshi të marrë fjalën, sigurisht se ishte një dëshmi që tregon për nivelin më të ulët të mundshëm të institucioneve të politikës, të njeriut, nga më të lartit e institucioneve të shtetit”, potencoi ai.

Pasojat e injorantëve

Sipas Kelmendit, Ramush Haradinaj nuk di profesion tjetër pos atij të bodigardit dhe kjo u shfaq sado që ai mbështillet në atë lëkurën e tolerantit të politikanit.”Skandali tjetër është që kryepalamentari, përkatësisht njeriu i dytë i shtetit, Kadri Veseli, ia aktivizon mikrofonin, kjo në radhë të parë edhe po na tregon për hilen në mes tyre, që e kanë krerët e institucioneve shtetërore ndërmjet vete dhe po ashtu e tregon një perversitet, ku kryeparlamentari e luan rolin e një digjej të muzikës, pra të një tekniku që i hap ata mikrofona, ndërsa kryeministri e luan rolin e bodigardit”, u shpreh ai.”Kosova nuk është se nuk ka njerëz të ditur. Por njerëzit e ditur po mënjanohen dhe është i turpshëm veprimi i djeshëm në manifestimin e Lidhjes së Prizrenit”, ka thënë Kelmendi. Ndërsa, qytetari Hakif Hamiti, nga Prishtina, për gazetën “Kosova Sot” thotë se skandali i ditës së diel në Prizren më së miri na tregon se sikur Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli po të kishin vetëm pak moral në trupin e tyre, ata të dy ka qenë dashur që të japin menjëherë dorëheqje të parevokueshme.

“Dorëheqjet e tyre do të duhej të pasonin jo vetëm pas këtij skandali të Prizrenit, por edhe më herët, sepse kjo nuk është hera e parë që nga liderët tanë shtetërorë po shkelet protokolli i shtetit, pasi edhe më herët ka në shumë raste”, theksoi ai.”Ishte për keqardhje sjellja arrogante e kryeministrit Ramush Haradinaj si dhe ndezja e mikrofonit të zonjës nga Kadri Veseli. Këtu u pa se si Haradinaj e mori rolin e bodigardit dhe e largoi me dhunë nga foltorja këtë zonjë nga Shqipëria. Ndërkaq sjellja e z. Kadri Veseli, që gjoja më ‘gjentelmen’ ia ndezi mikrofonin, paraprakisht e tregon moskordinimin dhe ndërskamcën që ai i kishte përgatitur z. Haradinaj. Sepse, dalja në skenë dhe ndezja e mikrofonit të zonjës së moshuar nga ana e z. Veseli, sikur na i hap sytë e na tregon se ky ishte një skandal i qëllimshëm dhe i përgatitur më herët nga z. Veseli për të prishur imazhin e përvjetorit të madh të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që ishte organizuar nën patronazhin e kryeministrit Haradinaj”, vlerësoi Hamiti.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Asfaltohet rruga Zym-Lugishtë-Dedaj në Has

Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur sot se është shtruar shtresa e dytë me asfalt në rrugën Zym-Lugishtë-Dedaj të Hasit. "U shtrua sot shtresa...

Prizren/ Ushtarët ukrainas certifikohen për deminim nga FSK-ja

Gjatës ditës së sotme në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës “Lidhja e Prizrenit” në Prizren është mbajtur ceremonia e diplomimit të kontingjentit...

Lajmet e Fundit