9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Piramida kriminale në drejtësi shembet vetëm me një Vetting

Duke analizuar të dhënat e fundit rreth efikasitetit të institucioneve të drejtësisë, trajtimit të rasteve që lidhen me krimin e korrupsionin, njohësit e kësaj fushe theksojnë së mosfunksionimi i këtyre institucioneve është edhe një tregues se si drejtësia, veçanërisht prokuroria, është tërësisht në duart e pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës se mafio-oligarkëve. Këtë e ilustron më së miri fakti se më shumë se 80 për qind e personave, që janë hetuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 për veprat që lidhen me korrupsionin, nuk kanë përfunduar me akuzë! Pra, edhe sipas Raportit të Komisionit Mbikëqyrës për Zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, prokuroria në vetëm 20 për qind të rasteve thotë se gjoja ka pasur bazë për ngritjen e akuzave, derisa pothuajse të gjitha këto raste tjera tani do të amnistohen nga gjyqësori, po ashtu i kontrolluar nga pushtetarët e inkriminuar. Kjo gjendje tregon se si e pse po i pushojnë hetimet nga prokuroria edhe pas denoncimeve të qytetarëve me fakte ndaj ‘peshqve të mëdhenj’ në të dyja nivelet e qeverisjes, si dhe shumë rasteve të mafio-oligarkëve, prapa të cilëve qëndrojnë sërish mafio-pushtetarët e nivelit të lartë. Për më keq, gjendja flet se si as rritja e pagave nuk ka dhënë asnjë efekt pozitiv në rritjen e efikasitetit të drejtësisë, mirëpo përkundrazi po shihen efektet e plota se politika e inkriminuar i ka blerë gjyqësorin dhe prokurorinë tani edhe me mjete financiare të buxhetit të shtetit.

AHMETI: KRIMI MË I MADH I PASLUFTËS KA NDODHUR FALË INSTITUCIONEVE TË DREJTËSISË! Njohësi i fushës së sundimit të Ligjit, Hidajet Ahmeti, konsideron se hierarkia kriminale është ndërtuar në mënyrë sistematike, të orkestruar dhe duke funksionuar brenda hallkës zinxhirore të krimit, prandaj politika e inkriminuar ka politizuar çdo institucion publik të ashtuquajtur “institucione publike të pavarura”, duke ndërtuar komoditetin për komunitetin e tyre, krejt falë ndërtimit të institucioneve, e posaçërisht njerëzve super të dëgjueshëm, që udhëheqin institucionet e rëndësishme publike.”Kjo lidhje kriminale e njerëzve të pushtetshëm kanë krijuar një anarki totale në institucionet kyçe të shtetit. Krimi më i madh i pasluftës ka ndodhur falë institucioneve të drejtësisë që janë kapur nga pushtetet e pasluftës, duke amnistuar çdo veprim kriminal të pushteteve të pasluftës. Qytetarët e Kosovës nuk duan, por as nuk e meritojnë një trajtim të tillë, pasi që vuajtjet, maltretimet e sakrificat e tyre janë bërë brenda idealeve të ndërtimit të një shteti, i cili do të jetë në shërbim të qytetarëve, e jo të një komuniteti të vogël njerëzish, që udhëheqin brenda interesave reciproke të tyre. Kjo piramidë kriminale mund të shembet vetëm me çlirimin e institucioneve të pavarura, duke ia dhënë mandatin kushtetues e ligjor institucioneve të drejtësisë”, theksoi analisti Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”. Sipas Ahmetit, duhet të ndodhë njëfarë vetting-u për gjyqtarët e prokurorët, duke pastruar ata të cilët janë emëruar nga politika dhe duke nxjerrë në shesh meritokracinë, profesionalizmin dhe integritetin moral.”Jemi të vetëdijshëm për gjendjen faktike në sistemin e drejtësisë, e cila dita-ditës po krijon komoditetin me pazaret që bëhen me qeveritë e njëpasnjëshme. Marrëveshja interne për rritje pagash të gjyqtarëve e prokurorëve, por edhe stafit qeveritar, është një lojë politike, e cila përveçqë është jashtëkushtetuese dhe e jashtëligjshme, është edhe e pamoralshme e me qëllime tendencioze. Personalisht nuk jam kundër rritjes së pagave në sistemin e drejtësisë, por rritja e pagave nuk është garanci për efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit të drejtësisë. Në njërën anë rritja e pagave është e rrugës të bëhet me ligj të veçantë për paga, por njëkohësisht të ndodhë një reformë substanciale në sistemin e drejtësisë, duke filluar nga procesi i vetting-ut për gjyqtarët e prokurorët, inicimi i disa ligjeve të domosdoshme, por edhe plotësim-ndryshimi i disa ligjeve për t’i plotësuar boshllëqet që paraqiten gjatë proceseve administrative, të cilat vakume ligjore kanë qenë të qëllimshme gjatë hartimit të ligjeve”, theksoi analisti Hidajet Ahmeti

PRETENI:VETËM 20% TË AKTAKUZAVE PËRFUNDOJNË NË GJYKATA, ABSURDITET I PASHPJEGUESHËM! KU TRETEN 80% TË HETIMEVE?
Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, njohës i mirë i kësaj fushe, Hasan Preteni, thotë për “Kosova Sot” se aspak nuk ka efikasitet në fushën e luftës kundër krimit e korrupsionit. “Të tillë i do politika. Kushte të mira, paga të mira dhe heshtje morti. Të gjitha veprimet hetimore që i bën policia duhet të jenë të harmonizuara me Prokurorinë. Hetuesit policorë dhe prokurorët duhet të bashkëpunojnë në çdo fazë të hetimit. Dhe çka ndodh? Si rezultat i hetimeve, bëhen edhe kallëzimet penale dhe ngrihen aktakuzat! Vetëm 20% të aktakuzave përfundojnë në gjykata, absurditet i pashpjegueshëm. Ku treten 80% të hetimeve? Nuk ka logjikë, por tek gjyqësori kosovar asgjë nuk është normale. Ngrihen aktakuza vetëm kundër atyre “fakirëve” që nuk e kanë askënd në politikë, që nuk janë pjesë e grupeve kriminale, që nuk janë të veshura me petkun partiak. Këto aktakuza përfundojnë edhe me aktgjykime dënuese! Hajnat e bagëtive në burg, dëmtuesit e pyjeve në burg, fajdexhinjtë anonimë në burg. Statistikat përmirësohen me të dhëna, për të cilat gjyqësori do të krekoset se e bëri namin. Ky është paravan, pas të cilit fshihen keqpërdoruesit e vërtetë dhe gllabëruesit e mëdhenj të buxhetit të shtetit”, thotë analisti Hasan Preteni për gazetën “Kosova Sot”.

ALIU: GJYQËSORI, I KONTROLLUAR NGA PUSHTETARËT E INKRIMINUAR
“Pa mëdyshje, prokuroria është një tregues i qartë se ajo është tërësisht në duart e pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës së mafio-oligarkëve, me vetë faktin se më shumë se 80 për qind e personave, që janë hetuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, për veprat që lidhen me korrupsionin, nuk kanë përfunduar asnjeri me akuzë?! Edhe sipas Raportit të Komisionit Mbikëqyrës për Zbulimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike thuhet se prokuroria vetëm në 20 për qind të rasteve ka ngritur aktakuza, ajo thotë se ka për bazë për ngritjen e akuzave, pothuajse të gjitha këto raste, tani do të amnistohen nga gjyqësori, po ashtu i kontrolluar nga pushtetarët e inkriminuar dhe këta persona do të shpallen të pafajshëm. Pra, edhe pas rritjeve të pagave, nuk ka dhënë asnjë efekt pozitiv në rritjen e efikasitetit të drejtësisë, por përkundrazi po shihen efektet e plota se politika e inkriminuar e ka blerë gjyqësorin dhe prokurorialin tani edhe me mjete financiare të buxhetit të shtetit”, theksoi analisti Bislim Aliu për “Kosova Sot”.

Anarki totale
Sipas profesorit të së drejtës, Blerim Burjani, që nga viti 2004 ka pasur vepra penale dhe lëndë për të ngritur padi, por kjo nuk ka ndodhur dhe janë përplot raste të krimit të lartë korruptiv dhe ekonomik, por s’ka pasur asnjë reagim.”Këto lëndë mbeten në sirtar, pastaj ka pasur raste të mëvonshme dhe skandale publike, por nuk ka pasur reagim zyrtar, edhe pse prokuroria është i vetmi organ kompetent që vlerëson për bazën për ndjekje penale. Tash, nëse ndodhin veprime tjera, si fshehja e lëndëve dhe parashkrimi i qëllimshëm, është diçka tjetër. Deri më tash ka ndodhur shpesh që nuk ka fare as sqarim nga ky organ për dosjet e bëra që nga viti 2004 e këndej, prova ka, por s’ka reagim. Realisht prokuroria duket të mos jetë e pavarur, pra duket të jetë e kapur apo e shantazhuar. Organet e drejtësisë në Kosovë funksionojnë drejt vetëm në rastet e krimit të ulët ekonomik, apo rastet individuale që nuk vërehen fare dhe nuk ndikojnë në Raportin e Progresit. Ende mbetet larg kjo çështje, nuk ka ndonjë reaksion pozitiv të dhënies së provave se gjyqësia është e pavarur, pra ka shumë gjëra për të dyshuar në këtë drejtim, drejtësia e tillë e kapur është problem i madh, se është selektive dhe ndërtohen struktura kriminale të fuqishme në shtet dhe kërkohet kohë e gjatë e luftimit të këtij krimi”, theksoi analisti Blerim Burjani për “Kosova Sot”.

Më Shumë

‘O do të flasësh, o do të vdesësh’- Dëshmia tronditëse e ish-partizanit: Kapiteni dhe nëntogeri më torturonin

Antifashistët që ishin burgosur në Itali në rrethana të ndryshme, por që u liruan nga anglo-amerikanët në vitin 1943, pas largimit të misionit amerikan...

Selmanaj synon shtrirjen e LDK-së në çdo familje të Prizrenit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren, Driton Selmanaj, ka bërë thirrje te të gjithë anëtarët e partisë që të bashkohen për...

Lajmet e Fundit