9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Prizren: 19 policë të akuzuar për ryshfet, deklarohen të pafajshëm

Sasha Nedeljkovic, njëri nga njëzetë policët e akuzuar për ryshfet, nuk pranoi të deklarohet rreth fajësisë apo pafajësisë në shqyrtimin fillestar të së enjtes. Ndërkaq, të pafajshëm u deklaruan 19 policët tjerë, Shemsi Demolli, Safet Veliu, Naser Rama, Afrim Rafuna, Muhamet Buzhala, Ivica Djokiç, Ismail Azemi, Alush Elshani, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Shaban Gerguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka dhe Nuhi Zogaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nedeljkovic, avokati Asdren Hoxha, tha se ai nuk i ka pranuar provat mbi të cilat mbështetet aktakuza, e të cilat prova, sipas tij, prokurori ka pasur për obligim t’ia dorëzojë para se të mbahet shqyrtimi fillestar. avokati Hoxha deklaroi se klienti i tij nuk do të deklarohet rreth fajësisë pasi që dispozitat ligjore janë imperative në këtë rast dhe nuk mund të bëhet kompromis, andaj ka kërkuar që çdo afat të caktohet pasi që ai të ketë provat.

Provat i ka kërkuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Azem Goxhufi, avokati Mexhid Syla. I njëjti deklaroi se nuk e di nëse mbrojtja mund të paraqesë brenda afatit të paraparë kundërshtimin e provave, pasi që varet se kur ato prova do të jepen nga prokurori.

Lidhur me këtë, prokurori i rastit Genc Nixha tha se shumicën e mbrojtësve i ka pajisur me shkresat e lëndës dhe se deri në fund të javës tjetër do t’i furnizojë edhe mbrojtësit tjerë me provat që nuk i kanë.

Nërkaq, kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani deklaroi se seancën e ka zhvilluar pasi që kur ka pyetur a ka kushte për të mbajtur të njëjtën, asnjëri nga mbrojtësit nuk ka treguar që ka pengesa të tilla. Mirëpo, në bazë të rrethanave të krijuara, Sejrani e ka konstatuar shqyrtimin fillestar si të papërfunduar, ndërsa vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 14 korrik 2017, në ora 10:00.

Poashtu gjyqtari Sejrani e ka obliguar prokurorin e rastit që deri më 10 korrik 2017, të pajisë të gjithë mbrojtësit me shkresat e lëndës.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila i akuzon policët, Shemsi Demolli, Safet Veliu, Naser Rama, Afrim Rafuna, Muhamet Buzhala, Ivica Djokiç, Ismail Azemi, Alush Elshani, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Sasha Nedeljkovic, Shaban Gerguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka dhe Nuhi Zogaj, se kanë marrë ryshfet si policë trafiku.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, gjatë dhjetorit 2016, duke patrulluar në autostradën “Ibrahim Rugova”, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkojnë dhe pranojnë ryshfet nga shkelësit e rregullave të komunikacionit, për të mos u shqiptuar atyre dënimet kundërvajtëse.

Në aktakuzë përshkruhet se si këta policë, duke vepruar në grup prej 2 dhe 3 zyrtarësh, brenda orarit të punës, kanë mbledhur në mënyrë të kundërligjshme shuma të të hollave deri rreth 400 euro e pastaj të hollat i kanë ndarë mes veti, në mënyrë proporcionale.

Në këtë rast, që nga 17 marsi 2017, është tentuar që të mbahet shqyrtimi fillestar por një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani. Në seancën e 17 marsit mbrojtësit nuk kanë qenë të pajisur me shkresat e lëndës, andaj seanca është ndërprerë dhe prokurori ka premtuar se palët do ti furnizojë me shkresat e lëndës.

Megjithëse kanë kaluar më shumë se 3 muaj nga seanca e parë e shqyrtimit fillestar në këtë rast penal, prokurori i rastit nuk e ka kryer obligimin e tij ndaj palëve akuzuese.

Neni 244 i Kodit të Procedurës Penale e obligon prokurorin e çështjes që në afat maksimal prej 10 ditësh pas ngritje së aktakuzës, të i sigurojë të akuzuarit apo mbrojtësit të tij, provat në të cilat mbështetet aktakuza./betimiperdrejtesi/ 

Më Shumë

Bruce Springsteen bashkohet në skenë me Zach Bryan dhe Maggie Rogers (Video)

Legjenda e folk-rokut, Bruce Springsteen, iu është bashkuar dy yjeve të reja të muzikës, Zach Bryan dhe Maggie Rogers. Bosi gjeti kohë për t’u shkëputur...

Zhduket një e moshuar në Rahovec

Një grua e moshës 86-vjeçare është zhdukur në fshatin Ratkoc të Rahovecit, ndërsa operacioni për kërkimin e saj ka filluar. Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të...

Lajmet e Fundit