9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Prizren / Dështon gjykimi ndaj të akuzuarve për dhënien e banesave pa kriter për shoqatat e dala nga lufta

Ka dështuar të mbahet seanca, e paraparë për të premten, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, Reshat Mehmeti, Fidan Shala dhe Arben Rexhepi.

Shkak i këtij dështimi, ishte mungesa e përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, si palë e dëmtuar në këtë rast, për të cilin sipas gjykatëses Ajser Skenderi, nuk ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për më tepër, Mehmeti, Shala dhe Rexhepi, akuzohen se si persona përgjegjës, anëtarë të komisionit, i kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista dhe në bazë të tyre, tu jepet e drejta e përfitimit të shfrytëzimit të banesave pa e bërë fare verifikimin e tyre, kështu duke i privuar nga kjo e drejtë familjet skamnore, të cilat sipas akuzës, i kanë plotësuar këto kritere.

Seancën e radhës, gjykatësja Skenderi, e ka caktuar më 15 maj 2019, prej orës 9:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 28 shkurt 2019, të akuzuarit Mehmeti, Shala dhe Rexhepi, ngarkohen se gjatë vitit 2013, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Organi i akuzës, ata i ngarkon se duke qenë pjesë e komisionit për vërtetimin e kushteve të banimit dhe përcaktimin e përfituesve të të drejtës së shfrytëzimit të banimit, të njëjtit nuk i përmbushin detyrat e tyre dhe me këtë rast, sipas akuzës, i kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista dhe në bazë të tyre, tu jepet e drejta e përfitimit të shfrytëzimit të banesave pa e bërë fare verifikimin sipas udhëzimit administrativ nr 21/2010.

Për ndërtimin e këtyre banesave kishte marr vendim Komuna e Prizrenit, e cila edhe i kishte caktuar anëtarët e komisionit.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit u kanë shkelur të drejtat familjeve skamnore, të cilat i kanë plotësuar kriteret, por për shkak se familjet e rekomanduara nga shoqatat e dala nga lufta e kanë përfituar shfrytëzimin e këtyre banesave me automatizëm, familjet skamnore kanë qenë të privuar nga kjo mundësi, me këto veprime të pandehurit nuk i kanë përmbushur detyrat dhe obligimet e tyre.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par 1, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Memorandum për rritje ekonomike dhe inovacion në Komunën e Prizrenit

Kryetari Shaqir Totaj ka nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi me OJQ “Agjencia për Zhvillim Rajonal Jug” (AZHR Jug). Ky memorandum synon të zbatohet për politikat e...

Zhduket një e moshuar në Rahovec

Një grua e moshës 86-vjeçare është zhdukur në fshatin Ratkoc të Rahovecit, ndërsa operacioni për kërkimin e saj ka filluar. Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të...

Lajmet e Fundit