13.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Prizren: Dështon rigjykimi ndaj ish-gjyqtares Shemsije Sheholli

Nuk ka arritur të nis rigjykimi i ish-gjyqtares, tash avokates Shemsije Sheholli, e akuzuar se ka keqpërdorur pozitën e saj zyrtare, si gjyqtare, pavarësisht se lënda penale ndaj saj vjetërsohet më 2 korrik 2017.

Megjithëse, në seancën e kaluar gjykata ka lëshuar urdhër për sjellje ndaj të akuzuarës Sheholli, Policia e Kosovës nuk ka arritur ta zbatojë një urdhëresë të tillë.

Në seancën e së martës, në sallën e gjykimit janë paraqitur të dëmtuarat, Ifeta dhe Zineta Nikoqeviq, e po ashtu edhe prokurori i rastit, Genc Nixha, por edhe kësaj here kanë munguar e akuzuara, Shemsije Sheholli dhe mbrojtësja e saj, avokatja, Shpresa Berisha.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka njoftuar të pranishmit në sallë se para seancës ka pranuar një njoftim nga stacioni policor “Qendra” në Prishtinë, se nuk kanë guxuar të transportojnë të akuzuarën, pasi që e njëjta ka probleme shëndetësore, konkretisht e ka këmbën të thyer.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i të dëmtuarës Ifeta Nikoqeviq, e cila ka thënë se në raportin e mjekut rreth lëndimit të këmbës së të akuzuarës, të përpiluar më 2 maj 2017, shkruan se pacientja mund të lëvizë me paterica. Andaj, sipas saj, të gjitha veprimet e të akuzuarës janë në drejtim të ikjes së përgjegjësisë penale dhe zvarritjes së procedurës, pasi që rasti ndaj saj do të vjetërsohet më 2 korrik 2017.

Po ashtu, ka reaguar edhe e dëmtuara tjetër, Zineta Nikoqeviq, e cila ka kërkuar që gjykata të bëjë hetime të veprimtarisë së të akuzuarës prej janarit 2017, e deri më tani, që të vërtetoi se e njëjta i është shmangur drejtësisë me anë të pretendimit se është e sëmurë, ndërsa sipas saj, ka kryer shërbime si avokate në rastet e saj.

Të dëmtuarat kanë thënë se e kanë humbur besimin në sistemin e drejtësisë, pasi siç thonë se që nga viti 2009, padrejtësisht prona e tyre me vlerë milionëshe, është tjetërsuar me anë të vendimeve gjyqësore, e deri më tani, problemi i tyre nuk është rregulluar.

Në këto rrethana, shqyrtimi është shtyrë për 29 qershor 2017, në ora 13:00 dhe sërish është lëshuar urdhër për sjellje ndaj të akuzuarës, Shemsije Sheholli.

Me datën 12 shtator 2013, Prokuroria e Shtetit, ka ngritur aktakuzë ndaj Shemsije Shehollit, të cilën e akuzon se në cilësinë e gjyqtares në ish-Gjykatën Komunale në Prishtinë, ka keqpërdorur pozitën e saj zyrtare.

Sipas aktakuzës, Sheholli ka aprovuar kërkesën e paditësve Jetullah, Sherife dhe Naim Krasniqi, me të cilën ka vërtetuar se ata janë pronarë të një prone, në vendin e quajtur “Kroi i Bardhë”, pa ftuar në shqyrtimin gjyqësor, palën paditëse.

Po ashtu, sipas aktakuzës, Sheholli i ka caktuar palës së paditur, përfaqësues të përkohshëm, pa u munduar që të sigurohet, se i njëjti nuk jeton në Kosovë, por se është mjaftuar me deklaratën e paditësve se i padituri, Ustun Sylejman, është shpërngulur në Turqi.

Tutje, Sheholli, akuzohet se nuk ka zbatuar ligjet pozitive që të shpallë në gazetën zyrtare, vendimin mbi caktimin e përfaqësuesit të përkohshëm, me çka i është mohuar e drejta e pjesëmarrjes në kontest, trashëgimtarëve ligjorë të të paditurit Ustun, mbesat dhe nipat e tij, Zineta, Ifeta dhe Eroll Nikoqeviq dhe Emil Popoviq.

Me 27 maj 2016, e akuzuara Shemsije Sheholli, është shpallur fajtore për veprat penale me të cilat ngarkohet dhe është dënuar me 3 muaj burgim efektiv.

Ndaj këtij aktgjykimi, palët e dëmtuara dhe prokurori i rastit, kanë parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kanë kërkuar që të rritet lartësia e dënimit.

Po ashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Shpresa Berisha-Rexhepi, ka bërë ankesë ku ka kërkuar që të prishet aktgjykimi dhe rasti të kthehet në shkallën e parë për rivendosje.

Me 5 dhjetor 2016, Gjykata e Apelit, ka marrë aktvendim me të cilin ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e ka kthyer rastin në shkallën e parë, për rivendosje.

Sipas aktvendimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur që të vërtetojë në tërësi gjendjen faktike, pasi që nuk ka administruar si provë, lëndën kontestuese për të cilën bëhet fjalë në aktakuzë, ku do të vërtetoheshin nëse janë të sakta pretendimet e palës akuzuese apo asaj mbrojtëse.

Lënda penale që nga janari 2017 është tentuar të rigjykohet, por Gjykata Themelore në Prizren ka qenë e pafuqishme që të mbajë një seancë të vetme, për shkak se e akuzuara ka refuzuar të marrë pjesë në gjykim me arsye se vuan nga një sëmundje e rëndë.

Nga një raport mjekësor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përpiluar sipas kërkesës së gjykatës, thuhet se e akuzuara ka refuzuar të ekzaminohet për arsye se e ka lënduar këmbën. Tutje, thuhet se nga shkresat mjekësore që përmban lënda, pacientja nuk ka probleme neurologjike për të përballuar një gjykim, ndërsa sa i përket aspektit psikiatrik dhe kardiologjik, nuk mund të përcaktohet, pasi që nuk është bërë ekzaminim direkt./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Lajmet e Fundit