16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Prizren / Dy nga tre të akuzuarit kërkojnë hudhjen e aktakuzës që i ngarkon për dhënien e banesave pa kriter për shoqatat e luftës

Dy nga tre të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Fidan Shala dhe Arben Rexhepi, kanë kërkuar të hudhet poshtë aktakuza ndaj tyre.

Ndërsa, një kërkesë të tillë nuk e ka paraqitur i akuzuari i tretë në këtë rast, Reshat Mehmeti.

Ata akuzohen se si anëtarë të komisionit në Komunën e Prizrenit, i kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista dhe në bazë të tyre, tu jepet e drejta e përfitimit të shfrytëzimit të banesave pa e bërë fare verifikimin e tyre, kështu duke i privuar nga kjo e drejtë familjet skamnore, të cilat sipas akuzës, i kanë plotësuar këto kritere, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e shqyrtimit të dytë që është mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren, të akuzuarit Fidan Shala dhe Arben Rexhepi, përmes mbrojtësve të tyre, avokatëve Besim Kiqina dhe Behar Avdyli kanë kërkuar që aktakuza ndaj tyre të hudhet si e pabazuar.

I akuzuari Shala, ka deklaruar se nëse Komuna e Prizrenit ndihet e dëmtuar në këtë rast, atëherë një gjë të tillë sipas tij, e kanë shkaktuar asamblistët e Kuvendit Komunal, pasi siç ka thënë ai, vendimin për dhënien e këtyre banesave dhe që ato t’u shpërndahen të gjitha familjeve të dëshmorëve si shpërblim për sakrificën e tyre, e jo të jepen për rastet sociale.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Reshat Mehmeti, avokati Esat Gutaj, ka thënë se heqin dorë nga kërkesa për hudhje të aktakuzës, pasi kërkojnë që për seancën e shqyrtimit gjyqësor, përveç ballafaqimit të provave dhe dëshmitarëve të prokurorisë, në cilësi të dëshmitarëve të ftohet dhe drejtoresha për Mirëqenie Sociale si dhe ish-kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja.

Nga ana tjetër,  prokurori i rastit, Metush Biraj ka kërkuar që aktakuza të pranohet pasi që ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës dhe se fajësia e të akuzuarve, sipas tij, do të vërtetohet dhe nga dëshmia e dëshmitarëve gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore.

Gjykatësja Ajser Skenderi, ka thënë se për kërkesën e palëve do të marrë vendim brenda afatit ligjor.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 28 shkurt 2019, të akuzuarit Mehmeti, Shala dhe Rexhepi, ngarkohen se gjatë vitit 2013, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Organi i akuzës, ata i ngarkon se duke qenë pjesë e komisionit për vërtetimin e kushteve të banimit dhe përcaktimin e përfituesve të të drejtës së shfrytëzimit të banimit, të njëjtit nuk i përmbushin detyrat e tyre dhe me këtë rast, sipas akuzës, i kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista dhe në bazë të tyre, tu jepet e drejta e përfitimit të shfrytëzimit të banesave pa e bërë fare verifikimin sipas udhëzimit administrativ nr 21/2010.

Për ndërtimin e këtyre banesave kishte marr vendim Komuna e Prizrenit, e cila edhe i kishte caktuar anëtarët e komisionit.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit u kanë shkelur të drejtat familjeve skamnore, të cilat i kanë plotësuar kriteret, por për shkak se familjet e rekomanduara nga shoqatat e dala nga lufta e kanë përfituar shfrytëzimin e këtyre banesave me automatizëm, familjet skamnore kanë qenë të privuar nga kjo mundësi, me këto veprime të pandehurit nuk i kanë përmbushur detyrat dhe obligimet e tyre.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par 1, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Gjendet e vdekur e moshuara nga Rahoveci që u zhduk dje

Është gjetur e vdekur e moshuara që ka humbur dje në Rahovec. Nipi i saj, Ardian Hoti njoftoi se ajo është gjetur sot pa shenja...

“Fëmija po rrezikohen”- vozitje të “çmendura” në një fshat të Malishevës, pamje nga kamerat

Në njërën rrugë të fshatit Drenoc të Komunës së Malishevës banorët atje po rrezikohen nga ngasësit e veturave. Pamjet nga kamerat e sigurisë që janë...

Dhimbja

Lajmet e Fundit