4.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Prizren, i akuzuari: Kjo prokurori që po më akuzon për krime lufte, më ka shpallur veteran të rrejshëm

I akuzuari Remzi Shala, ka deklaruar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), përveç që po a akuzon për krime lufte, atë e ka shpallur edhe veteran të rrejshëm.

Një deklaratë të tillë, i akuzuari Shala e ka dhënë në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ka vazhduar gjykimi për krime lufte ndaj tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai akuzohet se duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, Haxhi Përteshi, ku pas disa dite trupi i pajetë i tij ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël.

“Prokuroria që po më akuzon për këtë vepër, e njëjta më ka shpallur edhe veteran të rrejshëm. Nuk e di se çfarë është duke ndodhur me këtë drejtësi në këtë vend, ku gjërat nuk janë të koordinuara ashtu siç duhet”, ka thënë i akuzuari Shala.

Prokurori special, Haki Gecaj, ka thënë se ky nuk është objekt i asaj akuze dhe se për këtë çështje është ngritur një aktakuzë ndaj disa prej figurave shtetërore, e cila sipas tij, së shpejti pritet të marrë epilogun e vet.

Në seancën e së premtes, janë thirrur për të dëshmuar dy dëshmitarët Nezir Përteshi dhe Avdi Trolli.

Propozimin për dëgjimin e tyre e ka bërë prokurori Gecaj në pjesën e paradites të seancës, derisa ata pastaj janë ftuar dhe janë dëgjuar pasditen e së premtes, pasi një propozim i tillë, megjithëse është kundërshtuar nga pala e dëmtuar, e ka aprovuar kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi.

Këta dy dëshmitarë, në shumicën e rasteve janë përgjigjur se nuk dinë asgjë, përveç atyre që kanë dëgjuar lidhur me rastin në fjalë.

Dëshmitari Nezir Përteshi, që është fqinj i tani te ndjerit, ka treguar për fjalët që ishin thënë në një tubim, e ku sipas tij, ishte përmendur rasti i vrasjes së Haxhi Përteshit.

“Bajram Qatana i ka thënë komandant Gurit se nëse nuk më bëni veteran, atëherë unë do të tregojë se kush e ka mbytur Haxhi Përteshin. Në këtë tubim kur ka ndodhur ky diskutim, unë nuk kam qenë prezent, por ma ka thënë komandant Guri”, ka deklaruar ky dëshmitar.

Kurse, dëshmitari tjetër Avdi Trolli, gjithashtu është pyetur lidhur me atë që kishte dëgjuar rreth vrasjes së Haxhi Përteshit.

“Kam dëgjuar nëpër lokalet dhe kafiteritë e fshatit duke thënë se nuk është dashur ta mbytni Haxhiun”, ka deklaruar dëshmitari Avdi Trolli.

Ai ka thënë se bashkëfshatarëve u kishte thënë se për këtë rast, personat që ia kanë bërë këtë Haxhi Përteshit, nuk duhet të kërkohen në fshatrat tjerë, por në fshatin Duhël.

Fillimisht dëgjimin e këtyre dy dëshmitarëve e kishte kundërshtuar pala e dëmtuar, ku avokati Asdren Hoxha, pas një konsulte me të dëmtuarin Zenel Përteshi, kanë qenë kundër një propozimi të tillë të prokurorit Gecaj.

“Bajram Qatani ka dëshmuar në këtë proces dhe i njëjti nuk ka pranuar që të sqaroj se si është vrarë Haxhi Përteshi, andaj kërkesa që i dëmtuari Zenel Përteshi të jep emra tjerë është e kotë”, ka thënë avokati i palës së dëmtuar, Asdren Hoxha.

Kurse, i dëmtuari Zenel Përteshi, ka thënë se shumica e dëshmitarëve që po dëgjohen në këtë proces gjyqësor, nuk po thonë të vërtetën.

“Jam i bindur se edhe pse do ti thirrni këta dëshmitarë, të njëjtit nuk do të jenë real në dëshminë e tyre, pasi që janë dëgjuar edhe shumë dëshmitarë të tjerë në këtë gjykim, në seancat paraprake, të cilët edhe pse kanë pasur njohuri për këtë rast, nuk e kanë thënë të vërtetën, ka deklaruar i dëmtuari, Zenel Përteshi

Në këtë seancë, ka qenë i paraparë që të dëshmojë edhe Skender Krasniqi, por sipas prokurorit Gecaj, zëvendëskomandanti i policisë në Malishevë, e ka njoftuar atë se ky dëshmitar ka ndërruar jetë para një dite.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit, Natal Bullakaj, ka thënë se ky gjykim po zgjatet pa nevojë dhe se për një gjë të tillë sipas tij, nuk është fajtore as gjykata e as mbrojtja, duke shtuar se prokuroria ka ftuar dëshmitarë që nuk janë propozuar në aktakuzë, edhe pse nuk e kundërshtoi propozimin e prokurorit Gecaj.

Seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 15 dhe 16 nëntor, në orën 9:15, si dhe për këto seanca janë ftuar dëshmitarët, Murtez Zekolli dhe Muhamet Bilalli.

Ndryshe, Remzi Shala akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babin e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

“Gratë e Trojës” udhëtojnë në Prizren për të treguar fatin e tyre përmes thirrjeve për paqe

“Gratë e Trojës”, më 15 prill, 2024, do të prezantojnë para publikut një udhëtim të tragjedisë njerëzore, nga Troja në ditët e sotme, dhe...

Mbi 1 mijë e 500 gjoba trafiku të shqiptuara për 24 orë në Kosovë

Policia e Kosovës ka shqiptuar një mijë e 516 gjoba trafiku në 24 orët e fundit. Ndërkaq, janë regjistruar edhe numri i përgjithshëm i aksidenteve...

Lajmet e Fundit