7.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Prizren: Kërkohet dënimi i tre zyrtarëve të AUV-it

Prokurori Mehdi Sefa, të hënën, gjatë dhënies së fjalës përfundimtare të tij, ka kërkuar nga trupi gjykues që zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë(AUV), Ismet Fejzullahu, Sabedin Kadriu dhe Nedime Kalenderi-Krasniqi, të shpallen fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Prokurori Sefa, ka deklaruar se gjatë administrimit të provave dhe dëgjimit të ekspertit financiar, Agim Kastrati, me padyshim është vërtetuar se të akuzuarit në cilësinë e zyrtarëve të AUV-it, kanë kryer veprime jo ligjore për t’i mundësuar përfitim material kompanisë “Inter Company”, në shumë prej rreth 11.500 euro.

Sefa tutje ka thënë se të akuzuarit në kundërshtim me udhëzimet administrative të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural(MBPZHR), kanë lejuar të hyjë në Kosovë plehu artificial i pa paketuar sipas udhëzimeve, në sasi prej rreth 1 mijë ton, i cili pleh më pas është konfiskuar nga inspektorët e brendshëm sanitarë.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve, kanë kërkuar që klientët e tyre të lirohen nga akuzat sepse, sipas tyre, nuk është arritur të dëshmohet se të njëjtit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen dhe se prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë se cilat janë veprimet e tyre kundërligjore.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Fejzullahu, avokati Naim Rudari, ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se plehu artificial në këtë rast ka qenë i lejuar të importohet në Kosovë dhe se klienti i tij nuk ka luajtur asnjë rol në lejimin e tij brenda territorit sepse ajo është kompetencë e inspektorëve kufitar, ndërsa ai është përgjegjës për inspektimet e brendshme.

Po ashtu edhe avokati Sherif Sherifi, i cili mbron të akuzuarin, Sabedin Kadriu, ka thënë se si mund të jetë një pleh artificial i palejuar të futet në Kosovë ndërsa më pas të lejohet shitja nga ana e gjykatës, duke shtuar se pretendimet e prokurorisë janë kundërthënëse.

Edhe i akuzuari Sabedin Kadriu, na fjalën e tij të fundit, ka thënë se dikush nga MPBZHR ka tentuar me anë të një shkrese të ndryshojë kuptimin e qartë të nenit që flet për mënyrën transportit të plehut artificial në Kosovë, andaj ka kërkuar që prokuroria ta hetojë një gjë të tillë.

I akuzuari Kadriu, ka shtuar se prokurori, fjalët e përdoruar nga eksperti financiar se kompania “Inter Company” ka kursyer 11 mijë euro duke mos e paketuar plehun artificial, i cilëson gabimisht si përfitim i kompanisë në fjalë dhe po ashtu, sipas tij, ngatërron listën e plehrave që lejohen të importohen, me listën e kompanive që kanë të drejtë të importojnë pleh artificial.

Mbrojtësja e të akuzuarës Nadime Klenderi-Krasniqi, avokatja Myrvete Qollaku, ka deklaruar se i përkrah të gjitha fjalët e kolegëve dhe se mbetet pranë fjalës së shkruar gjatë gjykimit të parë, andaj ka kërkuar që të merret aktgjykim lirues në mungesë të provave.

Para se palët të jepnin fjalët e tyre përfundimtare, e akuzuara Nadime Kalenderi-Krasniqi, ka dhënë mbrojtjen e saj, ku ndër të tjera ka thënë se importimi i plehut artificial në fjalë është bërë sipas të gjitha rregullave që parasheh udhëzimi administrativ përkatës.

E akuzuara ka thënë se kur ka ardhur në kufi plehu, ka qenë i ngarkuar në maune të cilat akne qenë të bllombuara dhe se pasi që kanë parë se dokumentacioni është në rregull, kanë marrë mostra për analiza laboratorike dhe pasi kanë dalë analizat në rregull, është lejuar hyrja në Kosovë.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skednderi, ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor në këtë çështje penale dhe ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 26 prill 2018, në ora 15:00.

Ndryshe, më 17 qershor 2014, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Ismet Fejzullahu, Sabedin Kadriu dhe Nedime Kalenderi-Krasniqi, të cilët i akuzon se duke qenë persona zyrtarë pranë Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, kanë lejuar në mënyrë të parregullt importimin e plehut artificial nga firma “Inter Company”, në sasi prej rreth 1000 ton.

Gjykata Themelore në Prizren, më 4 korrik 2016, kishte shpallur aktgjykimin me të cilin të akuzuarit janë dënuar me nga 6 muaj burgim me kusht dhe janë detyruar që të paguajnë shumën prej 300 euro, në emër të paushallit gjyqësor.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, trupi gjykues, kishte vlerësuar se të akuzuarit nuk kanë pasur të drejtë të lejojnë importimin e sasisë prej rreth  1000 ton, të plehut artificial në formën e pa paketuar, sipas ligjit, sepse firma nuk ka pasur të drejtë ta paketojë dhe po ashtu se malli në atë formë nuk guxon të hyjë në Kosovë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 3 mars 2017, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Sabedin Kadriu dhe Nadime Kalenderi-Krasniqi dhe e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, për shkak, që siç thuhej në aktvendim, të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, me ç’rast edhe e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Apeli ka kërkuar që në rigjykim, të përcaktohen qartë veprimet e secilit të akuzuar dhe përgjegjësia e secilit prej tyre kundrejt pretendimeve të organit të akuzës, të përshkruara në dispozitiv të aktakuzës./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Serbia paraburgos mërgimtarin nga Hasi që e ndaloi dje, akuzohet për krime lufte

Policia serbe ka arrestuar një kosovar me pretendimet se i njëjti si ish-pjesëtar i UÇK-së, ka kryer krime luftë kundër popullatës serbe. Bëhet fjalë për...

Komuna e Prizrenit organizon takime për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Komuna e Prizrenit, ka filluar mbajtjen e takimeve informuese me qytetarët për Hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK). Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, është...

Lajmet e Fundit