11.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Prizren: Kërkohet përjashtimi i anëtarit të trupit gjykues në gjykimin për korrupsion

Mbrojtja e të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Ismet Fejzullahu, Sabedin Kadriu dhe Nadime Kalenderi-Krasniqi, ka kërkuar përjashtimin e anëtarit të trupit gjykues, Artan Sejrani.

Një kërkesë e tillë është bërë gjatë shqyrtimit gjyqësor të së premtes, në Gjykatën Themelore në Prizren, nga mbrojtësi i të akuzuarit Sabedin Kadriu, avokati Sherif Sherifi.

Sipas tij, kërkesa e tij vjen pasi që nga shikimi i shkresave të lëndës, ka vërejtur se gjyqtari Sejrani, në Departamentin e Përgjithshëm, kishte marrë vendim me të cilin është lejuar shitja e plehut artificial, e cila siç ka thënë ai, është sekuestruar në kompaninë NTP “Agro Ylberi” dhe “Sara’.

“Pasi që këtë vendim e kishte marrë gjyqtari Sejrani në vitin 2013, dhe tani është në përbërjen e trupit gjykues në këtë çështje, për shkak të mos shkaktimit të shpenzimeve të panevojshme dhe zvarritjes së procedurës gjyqësore, e njoftoi gjykatën që kemi të bëjmë me gjyqtarin e njëjtë si në Departamentin e Përgjithshëm dhe në Departamentin e Krimeve të Rënda”, ka deklaruar avokati Sherifi.

Pas kësaj kërkese, gjykatësja Ajser Skenderi, e ka ndërprerë seancën, e cila pritet të vazhdoi më 26 dhe 29 janar 2018, në ora 10:00, me çka edhe do të plotësohet trupi gjykues më një gjykatës tjetër.

Ndër të tjera, në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej dëshmitari Isuf Cikaqi dhe eksperti Agim Kastrati.

Më 17 qershor 2014, Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve  Ismet Fejzullahu, Sabedin Kadriu dhe Nedime Kalenderi-Krasniqi, të cilët i akuzonte se duke qenë persona zyrtarë pranë Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, me qëllim të përfitimit material për personin tjetër, nuk kanë përmbushur detyrat e punës, në atë mënyrë që kanë lejuar importimin e plehut artificial, pa bazë ligjore, nga firma “Inter Kompani” në masë prej 999.66 ton, në mënyrë të parregullt.

Me këtë rast, në bashkëkryerje ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Më pas, Gjykata Themelore në Prizren, më 4 korrik 2016, kishte shpallur aktgjykimin me të cilin të akuzuarit janë dënuar me nga 6 muaj burgim me kusht dhe janë detyruar që të paguajnë shumën prej 300 euro, në emër të paushallit gjyqësor.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, trupi gjykues, kishte vlerësuar se të akuzuarit nuk kanë pasur të drejtë të lejojnë importimin e sasisë prej mbi 900 ton, të plehut artificial në formën e pa paketuar, sipas ligjit, sepse firma nuk ka pasur të drejtë ta paketojë dhe po ashtu se malli në atë formë nuk guxon të hyjë në Kosovë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 3 mars 2017, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Sabedin Kadriu dhe Nadime Kalenderi-Krasniqi dhe e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, për shkak, që siç thuhej në aktvendim, të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, me ç’rast edhe e ka kthyer lëndën në rigjykim./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Komuna e Prizrenit organizon takime për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Komuna e Prizrenit, ka filluar mbajtjen e takimeve informuese me qytetarët për Hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK). Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, është...

Totaj: Amerikanët janë lodhur me Albin Kurtin

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, deklaroi se amerikanët janë lodhur nga qasja e Qeverisë Kurti dhe se durimi i tyre po përfundon. “Duhet...

Lajmet e Fundit