13.8 C
Prizren
E mërkurë, 17 Prill, 2024

Prizren: Shtatë të akuzuarit për fajde nuk e pranojnë fajësinë

Të akuzuarit për fajde, detyrim, kanosje dhe armëmbajtje pa leje, Pal Morina, Engjëll Thaqi, Albert Kala, Nue Karica, Bernard Perlazeri, Gjon Kushnini dhe Eduard Morina, të mërkurën, sërish janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave me të cilat ngarkohen.

Kjo ka ndodhur pasi që shqyrtimi ka rifilluar për arsye se kjo seancë është mbajtur tre muaj nga seanca e kaluar, e që sipas procedurës penale ashtu duhet të veprohet.

Palët në procedurë kanë qëndruar pranë të gjitha seancave të mbajtura deri më tani dhe janë pajtuar që deklaratat e dhëna nga të dëmtuarit të lexohen.

Më pas është vazhduar me administrimin e provave, ku janë administruar disa procesverbale nga bastisjet e bëra në pronat e të akuzuarve, në të cilat janë sekuestruar dokumente, telefona, automjete dhe armë zjarri.

Po ashtu, është lexuar një fletore pune e dorëzuar nga i dëmtuari Sefedin Kazazi, në të cilën shkruante se sa para ka marrë borxh, nga kush ka marrë dhe për borxhet e kthyera. Në njërën prej faqeve figuronin tre emra dhe një shumë prej 5 mijë eurosh, të cilën i dëmtuari Kazazi e ka paguar si borxh.

Në një faqe tjetër të kësaj fletoreje shkruhej një numër prej 10 mijë eurosh dhe tre nënshkrime dhe dy numra të telefonit.

I akuzuari Bernard Përlazeri ka thënë se ky shkrim ka të bëjë me një borxh prej 10 mijë eurosh që ai u ka dhënë familjes Kazazi dhe sipas tij, me këtë rast kanë nënshkruar ai dhe të dëmtuarit Sefedin dhe Ibrahim Kazazi.

Përlazeri po ashtu, ka polemizuar me prokurorin e rastit, Genc Nixha, duke thënë se padrejtësisht është duke u akuzuar, sepse ai thjesht i ka dhënë borxh të dëmtuarve dhe se ata vetë i kanë kërkuar borxhet.

Ndërsa, në një letër tjetër shkruhej shuma prej 109 mijë e 400 eurosh, për të cilën letër, i akuzuari Engjëll Thaqi ka thënë se tregon shumën të cilën ai ia ka dhënë Sefedin Kazazit për t’ia blerë shtëpinë. Ai ka thënë se marrëveshja për shitje ka qenë 150 mijë euro.

Në këtë seancë do të shikoheshin edhe DVD-të e lokalit të të dëmtuarit dhe fotoalbumet nga bastisjet e bëra në pronat e të akuzuarve, por një gjë e tillë është shtyrë për seancën e radhës.

Videot nga DVD-të patën probleme pasi që ishin pa zë, ndërsa fotografitë ishin pa ngjyra dhe nuk mund të dalloheshin objektet e fotografuar.

Me këtë rast, prokurori Nixha ka propozuar që seanca të ndërpritej dhe për seancën e radhës ai do të marrë nga hetuesit policorë origjinalet e fotove dhe videove e po ashtu, do të tentojë të sjellë hetuesin e këtij rasti, i cili do të sqarojë nëse ka pyetje rreth tyre.

Palët në procedurë janë pajtuar me propozimin e prokurorit, andaj kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka ndërprerë shqyrtimin dhe i njëjti do të vazhdojë më 11 shtator 2017, nga ora 11:00.

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve në fjalë me pretendimin se ata përmes imponimit të fajdesë ndaj familjes Kazazi, kanë marrë prej tyre shuma të mëdha të parave dhe kanë tentuar t’ua marrin shtëpinë, me anë të kërcënimit me armë.

Sipas organit të akuzës, të akuzuarit Engjëll Thaqi dhe Albert Kala, kanë shkuar në shtëpinë e të dëmtuarve, u kanë bërë presion me armë, që të paguanin kinse një borxh prej 150 mijë euro, përndryshe duhej ta bartnin shtëpinë në emër të tyre.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon grupin se kanë shfrytëzuar pozitën e vështirë financiare të personave të ndryshëm, u kanë dhënë para borxh atyre dhe më vonë u kanë kërkuar shuma më të mëdha.

Ibrahim Kazazi, më 11 janar 2017 është plagosur me armë zjarri nga dy persona, një ditë para se të fillonte dëshminë në këtë gjykim. I njëjti tani jep dëshminë përmes pajisjeve audio, nga një dhomë e veçantë në gjykatë.

Në këtë rast, përveç Ibrahimit, i dëmtuar është edhe babai i tij, Sefedin Kazazi, i cili ka përfunduar dëshminë e tij në këtë rast.

Në njërën nga seancat e këtij rasti, përderisa ishte duke dëshmuar Ibrahim Kazazi, të njëjtit i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe seanca është ndërprerë.

Në seancën e radhës, i njëjti ka sjell me vete një dokument mjekësor i cili tregonte se ky i dëmtuar, nuk është në gjendje që të dëshmojë, me këtë rast dëshminë ka filluar ta japë, babai i tij, Sefedin Kazazi.

Në seancën e mbajtur në fund të majit, Sefedin Kazazi, në dëshminë e tij ka treguar se si ky grup kishte përfituar nga ai shuma të mëdha të parave.

Ai ka treguar se të akuzuarve u kishte dhënë para në shumë prej 1500, 5300, 9300, në emër të kinse borxhit që u kishte djali i tij, atyre.

Tutje ka thënë se të akuzuarit Pal Morina, i kishte dhënë para në shumë prej 5300 euro, në emër të një borxhi që ia kishte pasur djali i tij, Ibrahimi.

Ka përmendur edhe dy raste kur të akuzuarit Engjell Thaqi dhe Albert Kala, i kishin dhënë atij shumat prej 20 mijë dhe 25 mijë, kinse për të mbuluar borxhin që djali i tij kishte ndaj dy personave.

Ky i dëmtuar gjatë atij shqyrtimi, ka thënë se ato para nuk i kishte marrë asnjëherë, sepse të njëjtat para, Engjulli dhe Alberti i kishin marrë dhe ia kishin dhënë Bernard Perllazerit.

Përlazëri, po ashtu është duke u gjykuar për vrasjen e Hekuran Morinës, pas një konflikti për një borxh të pretenduar nga ai, prej 70 mijë eurosh./betimiperdrejtesi/ 

Më Shumë

Xhamia e Mlikës së Dragashit më e vjetër në Kosovë, besohet se u ndërtua nga një familje siriane

Xhamia e ndërtuar 735 vjet më parë në fshatin Mlikë të Komunës së Dragashit në jug të Kosovës është xhamia më e vjetër në...

Policia shqipton mbi një mijë e 500 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1501 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Lajmet e Fundit