16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Prizren: Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarit të Ministrisë së Bujqësisë dhe të tjerëve

Mungesa e të akuzuarve Afrim, Ermir dhe Xhavit Sallauka është bërë shkak për shtyrjen e gjykimit ndaj tyre dhe të akuzuarve tjerë, Iljaz Sopi, Alban Sopi, Veton Kabashi, Avni Palushi, Lulzim Palushi, Labinot Telaku, Fatos Hoti dhe Luan Statovci, i paraparë të mbahej të enjten.

Zyrtari për pagesa në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Luan Statovci, akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, kurse për mashtrim me subvencione dhe falsifikim akuzohen Afrim Sallauka, Iljaz Sopi, Ermir Sallauka, Alban Sopi, Veton Kabashi, Avni Palushi, Lulzim Palushi, Xhavit Sallauka, Labinot Telaku, Xhemajl Sallauka dhe Fatos Hoti.

Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, ka kërkuar që ndaj të njëjtëve të lëshohet urdhër për sjellje me forcë, pasi që ata sipas saj, kanë qenë të informuar për seancën, ndërsa mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Njëri nga të akuzuarit ka njoftuar trupin gjykues se të akuzuarit në fjalë mungojnë sepse punojnë në Mal të Zi dhe punëdhënësi nuk u ka dhënë pushim, ai ka shtuar se të njëjtët nuk do të jenë në Kosovë deri më 14 janar 2018.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, në mungesë të kushteve ligjore, ka shtyrë seancën për 15 janar 2018, në ora 10:00, ndërsa për të akuzuarit që munguan ka lëshuar urdhër për sjellje me forcë.

Po ashtu është anuluar seanca gjyqësore e paraparë të mbahej më 12 janar 2018.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, me të cilën të pandehurit akuzohen se kanë falsifikuar dokumentin “Certifikata e vreshtarit” për të përfituar subvencione në mënyrë të paligjshme.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke u paraqitur rrejshëm në MBPZHR si kultivues të vreshtave, kanë përdorur “Certifikatat e vreshtarit” të falsifikuara, me ç’rast kanë përfituar subvencione në shumë deri 3 mijë euro.

Ndërsa, zyrtari për pagesa në MBPZHR, Luan Statovci, akuzohet se pa verifikuar dokumentet e fermerëve dhe gjendjen në teren, ka lejuar të ekzekutohen pagesa direkte në emër të subvencioneve për aplikantët, me ç’rast i ka shkaktuar buxhetit të shtetit humbje në vlerë prej rreth 30 mijë euro.

Sipas organit të akuzës, Luan Statovci ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ndërsa të akuzuarit tjerë, veprën penale të mashtrimit me subvencione dhe falsifikimit të dokumentit.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Ardit Bajraktari nga Suhareka, por i njëjti, gjatë shqyrtimit fillestar, ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me gjobë prej 1400 euro./betimiper drejtesi/

Më Shumë

Moti sot, temperaturat deri në 23 gardë Celsius

Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot i ngrohtë dhe me diell. Kështu bën të ditur Meteo Kosova. Sipas njoftimit të MK-së, do të fryjë erë...

Zhduket një e moshuar në Rahovec

Një grua e moshës 86-vjeçare është zhdukur në fshatin Ratkoc të Rahovecit, ndërsa operacioni për kërkimin e saj ka filluar. Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të...

Lajmet e Fundit