7.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Prizren: Si u mashtruan 489 qytetarë me ‘punësim’ në Gjermani

Shqyrtimi fillestar i gjykimit të të akuzuarve për mashtrimin e qindra qytetarëve të Kosovës për punësim në Gjermani ka dështuar të mbahet.

Kjo për shkak të një moskoordinimi të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Gjyqtari i rastit, i Gjykatës së Prizrenit, Xheladin Osmani, konstatoi se në një bisedë telefonike prokurori special Sylë Hoxha e ka lajmëruar që më nuk do të jetë prokuror i kësaj çështjeje, pasi që tanimë rasti i ka kaluar prokurorit tjetër Atdhe Dema, por ky nuk ka qenë i informuar dhe i njoftuar për seancën ngase tash shpejt është emëruar prokuror në Prokurorinë Speciale.

Në seancën e paraparë të mbahej mungoi i edhe i akuzuari Besim Rexhaj, për të cilin gjyqtari i rastit Xheladin Osmani i kishte drejtuar një kërkesë për transferim të përkohshëm të personit të ndaluar Ministrisë së Drejtësisë – Departamentit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, mirëpo nga i njëjti departament nuk kanë marrë kurrfarë informate për ekzekutim të kërkesës.

Në këto rrethana mbrojtësi i të akuzuarit Flamur Hoxha, avokati Bashkim Nevzati deklaroi se nga rrethanat e krijuara shihet qartë se nuk do të ketë mundësi që çështja të startojë në kohë të arsyeshme.

Avokati shtoi se meqë nuk ka asnjë rrezik që klienti i tij të arratiset dhe meqë të gjitha hetimet kanë përfunduar dhe janë marrë të gjitha provat, nuk ka kuptim që i mbrojturi i tij të mbetet nën masën e paraburgimit.

Po ashtu, avokati Nevzati potencoi se duke marrë parasysh rastet tjera që janë identike si kjo çështje dhe raste të njëjta të cilat i përfaqëson Prokuroria Speciale, asnjëri nga të akuzuarit në raste të tjera nuk qëndron nën masën e paraburgimit sikurse i mbrojturi i tij.

Lidhur me kërkesën e avokatit, gjyqtari i rastit kërkoi që ai me shkrim t’i drejtohet Gjykatës.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale i ngarkon të akuzuarit Flamur Hoxha, Besim Rexhaj , ashtu që në vazhdimësi dhe bashkëkryerje kanë kryer veprën penale shpëlarje parash, veprën penale të mashtrimit, si dhe të njëjtit akuzohen se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

I akuzuari Flamur Hoxha ngarkohet edhe me veprën penale të shmangie nga tatimi.

Ndërsa i akuzuari tjetër Veprim Rexhepi sipas aktakuzës ngarkohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të akuzuarit Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj në periudhën kohore qershor 2016 deri në muajin gusht 2017, në Prizren me qëllim të përfitimit për vete dhe persona tjerë, pasi që më parë kanë pranuar mjete monetare të shumta dhe duke i mashtruar një numër shumë të madh të qytetarëve të Kosovës, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, duke përfituar me anën të veprës penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve nga secili i dëmtuar shumën prej 2.500 – 3.000 euro, ku numri i të dëmtuarve është 489, të njëjtit fare nuk i kanë punësuar të dëmtuarit në Gjermani, duke fshehur fonde në fjalë, transferuar ato te personat tjerë pastaj duke shtresuar pasurinë e paligjshme përmes blerjes së pronave të luajtshme vetura të shtrenjta, apo të paluajtshme shtëpi dhe banesa.

Kështu të njëjtit kanë përvetësuar shumën prej 1,220,175,00 euro, nga kjo kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775,00 euro.

Në këtë rast aktakuzën e përfaqëson Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, dhe lënda është një prej rasteve të shënjestruara për liberalizimin e vizave.

Seanca e radhës është caktuar për më 15 nëntor.

Ndërsa për të akuzuarin Besim Rexhaj, gjyqtari konstatoi se edhe një herë do t’i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë – Departamentit për ndihmë juridike ndërkombëtare, me kërkesë për transferimin e përkohshëm të personit të ndaluar, në këtë rast të akuzuarit Besim Rexhaj./kallxo.com/

Më Shumë

Beteja për titull zhvillohet në Suharekë

Ndeshje vendimtare për titullin e kampionit mund të jetë derbi që zhvillohet sot (e shtunë) në Suharekë mes liderit aktual në elitë, Ballkanit dhe...

Kurti vazhdon ta mbajë banesën 67 metërshe, deklaron 1.551 euro në bankë e kredinë deri në 2052-në

  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Kreu i qeverisë ka deklaruar se pasuri të...

Lajmet e Fundit