7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Prizren: Zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë nuk e pranon fajësinë

Zyrtari për pagesa në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Luan Statovci, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, të martën, nuk e ka pranuar fajësinë.

Po ashtu edhe të akuzuarit për mashtrim me subvencione dhe falsifikim, Afrim Sallauka, Iljaz Sopi, Ermir Sallauka, Alban Sopi, Veton Kabashi, Avni Palushi, Lulzim Palushi, Xhavit Sallauka, Labinot Telaku, Xhemajl Sallauka dhe Fatos Hoti, janë deklaruar të pafajshëm.

Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, në fjalën e saj hyrëse, ka deklaruar se gjatë seancave të shqyrtimit kryesor, pas administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, me padyshim do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

12 të akuzuarit për mashtrim me subvencione dhe falsifikim të dokumenteve për subvencione, në fjalën hyrëse kanë deklaruar se aktakuza është e pabazë, sepse ata nuk kanë nxjerrë dokumente në Rahovec dhe se nuk kanë prezantuar dokumente për subvencione. Ata kanë thënë se kur kanë kuptuar se janë mashtruar, paratë e përfituara nga subvencionet i kanë kthyer sërish në ministri.

Mbrojtësi i të akuzuarit Luan Statovci, avokati Naim Rudari, në fjalën hyrëse ka thënë se akuzat e prokurorisë nuk kanë bazë, sepse klienti i tij nuk ka qenë përgjegjës për verifikimin e dokumenteve të fermerëve dhe gjendjes në terren, por vetëm në ekzekutimin e pagesave.

Rudari ka thënë se për verifikimin e gjendjes në terren është përgjegjësi e drejtorive komunale dhe se verifikimi është bërë në 50% të rasteve, ashtu si e parasheh edhe udhëzimi administrativ për dhënie të subvencioneve.

I akuzuari Luan Statovci është pajtuar me deklaratat e mbrojtësit të tij, duke shtuar se aplikacionet janë shqyrtuar nga studentë dhe praktikantë, të cilët kanë qenë të angazhuar përkohësisht në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Në këtë seancë, ka dëshmuar shefi i divizionit të teknologjisë informative në (MPBZhR), Ismajl Kastrati, i cili ka thënë se aplikacioni i çdo aplikuesi merr një numër unik dhe nuk mund të përsëritet në dy parcela.

Ky dëshmitar ka thënë se ka raste kur ka probleme me aplikimin e fermerëve, sepse ata tentojnë të aplikojnë disa herë për të njëjtën parcelë ose zyrtari komunal nuk e mbyll aplikacionin online pasi që has në ndonjë problem.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, në mungesë të dëshmitarëve tjerë, ka ndërprerë shqyrtimin.

Seancat e radhës në këtë rast penal janë caktuar për 11, 12 dhe 15 janar 2018, në ora 10:00.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, me të cilën të pandehurit akuzohen se kanë falsifikuar dokumentin “Certifikata e vreshtarit” për të përfituar subvencione në mënyrë të paligjshme.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke u paraqitur rrejshëm në MBPZHR si kultivues të vreshtave, kanë përdorur “Certifikatat e vreshtarit” të falsifikuara, me ç’rast kanë përfituar subvencione në shumë deri 3 mijë euro.

Ndërsa, zyrtari për pagesa në MBPZHR, Luan Statovci, akuzohet se pa verifikuar dokumentet e fermerëve dhe gjendjen në teren, ka lejuar të ekzekutohen pagesa direkte në emër të subvencioneve për aplikantët, me ç’rast i ka shkaktuar buxhetit të shtetit humbje në vlerë prej rreth 30 mijë euro.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Ardit Bajraktari nga Suhareka, por i njëjti, gjatë shqyrtimit fillestar, ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me gjobë prej 1400 euro./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Totaj: Amerikanët janë lodhur me Albin Kurtin

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, deklaroi se amerikanët janë lodhur nga qasja e Qeverisë Kurti dhe se durimi i tyre po përfundon. “Duhet...

Moti sot: Shi dhe reshje bore

Në Kosovë parashihet që sot të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu të intensitetit mesatar deri të lartë, ndërsa në viset...

Lajmet e Fundit