9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Prizrenasit, në hall për parkingje

Koha kur posedimi i një veture konsiderohej si privilegj dhe tipi i saj mbase komentohej nëpër qytet, tashmë i takon të kaluarës. Për dallim nga ajo kohë jo vetëm shoferët, por edhe pronarët e dyqaneve dhe banorët në dy zonat qendrore, tashmë janë në siklet nga numri i veturave, mungesa e autoparkingjeve të komunës, por edhe nga parkimet ilegale.

Azem Krasniqi, banor i lagjes “Tabakhane”, tregon se shpesh i duhet të presë para derës derisa të kthehen pronarët e veturave, të cilët shpesh parkojnë para dyerve të shtëpisë. Rafet Bushati, një zejtar i vjetër në qendër të Prizrenit, shprehet se mungesa e parkingjeve të Komunës që do të ofronin çmime më të favorshme për shoferët po dëmton edhe bizneset në zonën qendrore, pasi në mungesë të një vendparkimi shoferët po preferojnë që furnizimin dhe qarkullimin ta bëjnë në periferi, në qendrat e mëdha tregtare. Në Prizren, jo se nuk ka parkingje private, por çmimet e tyre janë të larta apo disa herë më të larta se vetë kryeqendrën. Varësisht nga lokacioni i parkingjeve, çmimet sillen nga 30 centë deri në 1 euro për një orë. Kërkesat për një vendparkim dhe leverdia që sjell kjo ka joshur disa prizrenas që të merren me këtë veprimtari.

Prishen shtëpitë e vjetra, për t’u shndërruar në parkingje

Hajdullah Çeku, që drejton Organizatën Joqeveritare “Ec Ma Ndryshe”, ka thënë se disa qytetarë po prishin shtëpitë e vjetra që ndodhen në pjesën historike dhe vendin ta shndërrojnë në autoparking.

Prizreni, sidomos në pjesën e vjetër, karakterizohet me rrugë të ngushta. Pavarësisht që ka qarkullim urban të autobusëve linjat janë të rralla, apo një herë në orë dhe kjo shpesh bën që qytetarët t’i shfrytëzojnë automjetet personale.

Drejtori komunal për Shërbime Publike në Prizren, Hasan Hasani, thotë se në zonën e parë të qytetit ndodhen 27 autoparkingje private, që kanë kapacitet të ndryshme, varësisht nga hapësirat, që zakonisht në qendër janë të ngushta. “Nga një sondazhi i bërë, ka dalë se diku rreth 40 për qind shfrytëzohen parkingjet, ndërsa sa i përket çmimeve ato vendosen nga vetë pronarët, sipas ekonomisë së lirë të tregut”, ka thënë ai.

Disa hapësira publike dhe rrugë në Prizren me lejen e Komunës tashmë janë shndërruar në vendparkingje. Ato u janë dhënë në menaxhim kompanive private, por edhe shoqatave të dala nga lufta, përfshirë ato të Veteranëve, të të Burgosurve Politikë.

Për mungesë autoparkingu ankohen edhe autotaksitë. Haxhi Krasniqi që zakonisht me veturën e tij qëndron para ndërtesës së Postës në qendër, tha se lokacioni për ta vazhdimisht është zvogëluar, pasi një pjesë e hapësirës u është ndarë institucioneve që ndodhen aty, Postës dhe Bankës.

Në mungesë të parkingjeve u shtohet puna “merimangave”

Për shkak të parkimit pavend, një numër i veturave merret nga “merimangat”, ndërsa shoferët detyrohen të paguajnë gjoba të larta deri në 70 euro, përfshirë këtu edhe gjobat nga Policia.

Zëvendësdrejtori i stacionit policor “Alfa”, Avdi Kryeziu, ka thënë se gjatë vitit 2014 janë shqiptuar 5.170 gjoba, derisa në këtë vit numri i tyre ka arritur rreth 1.000. Ai tha se zona më problematike është ajo në qendër, si dhe rruga nga Stacioni i Autobusëve e deri tek Posta. “Kemi raste kur ndaj një qytetari janë aplikuar deri në 10 gjoba, ndërsa kjo tregon në vështirësitë për vetëdijesimin e tyre”, tha ai.

Prizreni në vitin 2005 ka provuar ndërtimin e një autoparkingu nëntokësor përpara selisë së Kuvendit Komunal (KK), të njohur si “Shtëpia e Bardhë”, por kjo nismë kishte dështuar në mungesë të operatorëve të interesuar për ta realizuar projektin.

Më vonë si nismë për këtë qëllim është përmendur edhe lokacioni te ish-kino “Punëtori” që ndodhet afër Xhamisë së Sinan Pashës, në qendër, por atje tashmë është ndërtuar kompleksi “Europa”. Komuna në vitin 2007 nuk ia kishte dalë të realizojë as një tjetër projekt kësisoj përballë hotelit “Theranda”, tashmë të privatizuar, që parashihej të ndërtohej me koncesion. Pas propozimit të Drejtorisë së atëhershme komunale për Komunikacion, ekzekutivi komunal pat miratuar Projektvendimin për lejimin e hartimit të planit rregullues urban, me qëllim të ndërtimit të parkingut nëntokësor, që parashihej të realizohej në bashkëpunim me pronarin e hotelit. Në formë koncesioni projekti parashihej të ndërtohej në dy kate, me një kapacitet parkimi deri afro 150 vetura.

Çfarë kishte sugjeruar administratori ndërkombëtar

Zyrtarët prizrenas për Shërbime Publike kanë thënë se qarkullimi në Prizren do të shkarkohet pas lëshimit në qarkullim të rrugës së re transitore, që pritet të hapet në muajin qershor, ndërsa të gjithë autobusët dhe automjetet e rënda do të detyrohen të lëvizin andej.

Në këtë kontekst, në mbyllje të këtij shënimi po kujtojmë një konstatim të ish-administratorit të UNMIK-ut për Rajonin e Dukagjinit, suedezit Lenard Mylback, sa qëndronte në krye të misionit në Prizren. Ai pat thënë se rrugët e ngushta, disa prej të cilave me kalldrëm, mungesa e hapësirave në zonat qendrore, si dhe forma e ndërtimit tregojnë se Prizreni nuk është ndërtuar për qarkullim veturash, por është një qytet i bukur, ku njerëzit, sidomos në zonën e parë duhet të ecin këmbë dhe me biçikleta”, pat thënë ai./zeri/

Më Shumë

Dramë e madhe në Suharekë – super derbi me katër gola

Ballkani dhe Drita ka luajtur një ndeshje të madhe duke barazuar me rezultat 2-2 në kuadër të derbit të javës së 30-të të Superligës...

Policia shqipton mbi 2 mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2038 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Lajmet e Fundit