12.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Prizreni dekorohet pa u nënshkruar kontrata me fituesin e tenderit

Prizreni dekorohetTenderin e shpallur nga Komuna e Prizrenit për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit e ka fituar firma “Elektromontimi” me pronar Myzhdat Gjinin.

Komuna thotë se e ka përzgjedhur kompaninë e cila ka dhënë ofertën më të lirë, por opozita po ankohet se përzgjedhja është bërë në bazë të afrisë familjare të pronarit të kompanisë me zyrtarë të komunës.

Myzhdat Gjini është bashkëshorti i një zyrtareje komunale në Drejtorinë e Urbanizmit por kjo, sipas zyrtarëve të komunës, nuk mund të merret si interferim në dhënien e tenderit.

“Absolutisht nuk ka mundur të ketë interferime të tilla. Edhe pse bashkëshortja e tij është zyrtare e komunës, tenderi ka qenë i hapur dhe e ka fituar ai që ka pasur çmimin më të ulët”, tha Berisha.

Përgatitja e njoftimit, për dhënien e kontratës nga Komuna e Prizrenit u bë më 16 dhjetor 2014, ndërsa data e planifikuar e nënshkrimit është më 26 dhjetor 2014.

Por me ta marrë njoftimin për dhënie të kontratës, ende pa e nënshkruar atë, firma fituese ka filluar dekorimin e qytetit.

Operatori fitues ekonomik kishte ofruar dekorimin e Prizrenit me 28 mijë e 660 euro.

I kontaktuar nga KALLXO.com, fituesi i tenderit Myzhdat Gjini tha se ka filluar dekorimin e qytetit për shkak se data e nënshkrimit të kontratës është planifikuar shumë vonë.

“Unë me shkresë e kam njoftuar komunën dhe kam filluar dekorimin, ngase dekorimi duhet të jetë i gatshëm edhe për festën e Krishtlindjeve. Për gjithçka komuna është e njoftuar”, tha Gjini.

Mirëpo, dhënia e tenderit po kritikohet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe qytetarët në Prizren.

Drita Millaku nga Vetëvendosje tha se nga një qeverisje e dënuar, edhe tenderët jepen në bazë të interesit personal.

“Është një ndër pjesëtarët e punëtorëve të kuvendit komunal që ju ka dhënë tenderi dhe kjo na tregon se jo rastësisht informacionet kanë shkuar te dhënia e shumës së tenderit, domethënë shuma më e vogël është lajmërue dhe çdo gjë ka qenë konkrete”, tha Millaku.

Por Myzhdat Gjini e quan “konstatim shumë të ulët” faktin se e ka bashkëshorten punonjëse të komunës.

“Kjo është marre. Marre është me thënë kështu, çka ka lidhje pse e kam shoqen punëtore të komunës, secili mund të ketë dikë të afërt që i punon në një institucion”, tha Gjini.

Ndërsa Lirim Krasniqi, nga grupi i Qytetarëve Aktiv për Prizrenin, tha se me rastin e dekorimit të qytetit nga kompania fituese, qytetarët kanë reaguar duke e cilësuar at si shëmtim, e jo dekorim të tij.

Më pas, sipas tij, Komuna ka reaguar për ta përmirësuar këtë dekorim, mirëpo sërish nuk ia ka arritur ta dekorojë atë si duhet.

“Ky dekorim i qytetit ka kushtuar rreth 29 mijë euro dhe ajo çka kemi pa ne, në qytet është dekoru vetëm sheshi Shatërvan edhe disa pjesë këtu përreth. Nuk e di çfarë vlere mundet me pas një dekorim kaq i mangët”, tha Krasniqi.

Në tenderin për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit, përveç fituesit të tenderit, kanë aplikuar edhe dy operatorë ekonomikë tjerë.

Pronari i firmës “Multi Biznis Group”, Jeton Bytyqi, që kishte aplikuar me çmimin prej 29 mijë e 990 euro, tha për KALLXO.com se nuk ka ndonjë vërejtje në këtë tender.

“Nuk ja kam qëllu për pak me dal më i liri, edhe tash nuk kam vërejtje në tender”, tha Bytyqi.

Ndërsa Granit Kutllovci, nga firma “El Trade- Mont” nga Fushë Kosova, që kishte qenë operatori ekonomik me çmimin më të lartë në këtë tender me 33 mijë e 200 euro, tha se ka pasur vërejtje qysh në hapje të këtij tenderi.

“Qysh në hapje të tenderit, zyrtarët e prokurimit në Prizren, nuk kanë qenë serioz me ne. Na kanë thënë “a doni me dekoru Prizrenin apo krejt Kosovën me këtë çmim” gjë që atyre nuk ju lejohet të reagojnë në atë mënyrë”, tha Kutllovci.

Për më tepër Kutllovci tha se kanë qenë të lajthitur nga Komuna e Prizrenit.

“Neve na është thënë se materiali do të mbetet në depot e komunës, e jo që në fund t’i marrë kompania. Ndërsa, tani kemi informata se kompania fituese do ta marrë materialin”, tha Kutllovci.

Këtë e mohon Myzhdat Gjini i cili thotë se i tërë materiali dekorues do të vendoset në depotë e komunës.

Ndërsa zëdhënësi i komunës, Ymer Berisha, thotë se ende nuk dihet ku do të grumbullohet materiali dekorues pasi festat të përfundojnë.

“Komisioni për vlerësim do të vendosë se çka do të ndodhë me atë material, ngase shumica e materialit është për një përdorim dhe nuk mund të përdoret edhe për vitin tjetër. Mirëpo, kjo në fund i mbetet Komisionit që ta vlerësojë”, tha Berisha. /Kallxo.com/

Më Shumë

Inzaghi: Gjashtë trofe për tri vjet nuk janë pak

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi ndihet i lumtur me fitoren e mbrëmshme në derbin e qytetit, i cili njëherësh ia siguroi edhe titullin e...

Shkolla ‘Bajram Curri’ në Romajë të Hasit, drejt një fushe sportive të re

Shkolla fillore “Bajram Curri” në Romajë të Hasit, shumë shpejt do të bëhet me fushë të sportit. Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit...

Lajmet e Fundit