7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Prizren:Mungon i akuzuari, shtyhet seanca për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Mungesa e të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Flurim Gallopeni, është bërë shkak që të mos mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj tij, i paraparë për të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka njoftuar se mbrojtësi i të akuzuarit Gallopeni, avokati Sehad Haliti, ka njoftuar me parashtresë se i akuzuari është duke marrë trajtim mjekësor dhe nuk mund të prezantoi në gjykim.

Seanca e radhës, në këtë rast penal, do të mbahet më 1 mars 2018, duke filluar në ora 13:00.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së ish-Prokurorisë së Qarkut në Prizren, të ngritur në shtator 2012, me të cilën Flurim Gallopeni, akuzohet se duke qenë drejtor i fabrikës “Anthea”, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke i dëmtuar bashkë investitorët italianë.

Sipas aktakuzës, Gallopeni, nga shtatori 2011 e deri në janar 2012, ka larguar në mënyrë kundërligjore mallin, maska për karnavale, nga depo e fabrikës, duke u shkaktuar bashkë-investitorëve dëm në vlerë prej 14.319 euro.

Më 11 nëntor 2013, Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor të akuzuarin Gallopeni dhe e ka dënuar me 6 muaj burgim efektiv, mirëpo më 21 nëntor 2014, ky aktgjykim është prishur nga Gjykata e Apelit, me arsye se nuk është vërtetuar drejtë gjendja faktike.

Gjykata, pas rigjykimit të rastit, më 19 nëntor 2015, sërish e ka gjetur fajtor të akuzuarin Gallopeni, por kësaj radhe e ka dënuar me burgim prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse i akuzuari brenda dy viteve nuk do të kryente vepër të re penale.

Aktgjykimin e dytë e ka vërtetuar edhe Apeli, duke refuzuar si të pabazë kërkesën e mbrojtjes për prishjen e vendimit dhe kërkesën e organit të akuzës për rritjen e dënimit.

Por, duke u bazuar në ankesën e avokatit mbrojtës, për mbrojtje të ligjshmërisë, Gjykata Supreme, më 22 gusht 2016, ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe atë të Apelit, duke urdhëruar që rasti të kthehet sërish në shkallë të parë për rigjykim.

Sipas aktgjykimit të Supremes, gjykata në rastin konkret është përballur më dy ekspertiza financiare të cilat kundërshtojnë njëra-tjetrën, pasi që njëra konstaton dëm dhe keqpërdorim të shumës prej mbi 14 mijë euro të të akuzuarit, ndërsa tjetra thotë se nuk ka fare dëm.

Andaj, Supremja ka rekomanduar që në rigjykim të bëhet një super-ekspertizë, e cila do të vendosë rreth kundërthënieve të dy ekspertizave të para dhe do të vërtetojë nëse ka apo nuk ka keqpërdorim të mjeteve materiale nga i akuzuari në fjalë.

Në shkurt 2017, gjykata e shkallës së parë, ka parashtruar kërkesë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Publik të Prishtinës për të kryer super-ekspertizën financiare, por ky institucion vetëm më 28 shtator 2017, ka kthyer përgjigje se nuk kanë mundur të bëjnë ekspertizën.

Fakulteti Ekonomik ka kthyer lëndën duke shkruar se nuk kanë mundur të bëjnë ekspertizën sepse në lëndë nuk janë gjendur librat e kontabilitetit menaxherial dhe financiar.

Në seancën e 11 nëntorit 2017, trupi gjykues ka vendosur që ekspertizën në fjalë ta kryejnë tre ekspertë financiarë që gjenden në listën e ekspertëve të gjykatës./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Lajmet e Fundit