6.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Prokurori kërkon që ish-inspektori në Prizren të dënohet për mos rrënim të objekteve pa leje, mbrojtja kërkon lirimin e tij

Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar që ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Bashkim Krasniqi, të shpallet fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe të dënohet sipas ligjit.

Ish-inspektori Krasniqi, akuzohet se gjatë vitit 2014, nuk e ka ekzekutuar vendimin e Drejtorisë së Inspektorateve në Prizren, për rrënimin e kompleksit “Crazy Love”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një propozim të tillë, prokurori i rastit, Metush Biraj, e ka bërë në seancën e së premtes, duke thënë se qëndron pran fjalës përfundimtare të dhënë në seancën e kaluar që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren.

Në atë seancë, prokurori Biraj ka deklaruar se me provat e administruara gjatë këtij gjykimi është vërtetuar se i akuzuari Krasniqi ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

“Nga provat e administruara materiale, por edhe me dëgjimin e dëshmitarëve Bedri Bytyqi, e Faik Hoxha, por edhe në bazë të ligjit është vërtetuar se kompetent për ta ekzekutuar konkluzionin për rrënimin e objektit “Crazy Love”, të ndërtuar pa leje, ka qenë inspektori i çështjes, këtu i akuzuari Bashkim Krasniqi”, ka thënë prokurori Biraj.

Ndërsa, në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Driton Shehu, në seancën e së premtes në fjalën përfundimtare, ka kërkuar nga gjykata që të mbrojturin e tij, pas administrimit të provave ta lirojë nga akuza me të cilën ngarkohet.

Ai ka thënë se vepra penale për të cilën akuzohet klienti i tij, parasheh që personi zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare i tejkalon kompetencat e tij, ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për veten apo për personin tjetër apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që seriozisht t’i shkel të drejtat e personit tjetër, e kjo dispozitë sipas tij, në asnjë mënyrë nuk mund të inkriminojë të mbrojturin e tij.

“Nga asnjë provë nuk mund të vërtetohet fakti që i mbrojturi im, në ndonjë mënyrë ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, pasi që ai nuk ka përfituar dobi pasurore për veten apo për ndonjë person tjetër”, ka thënë avokati Shehu.

Sipas Shehut, i mbrojturi i tij kishte ndërmarr të gjitha veprimet të cilat i kishin takuar.

“I mbrojturi im ka ndërmarr të gjitha veprimet që i takojnë dhe atë: njoftimin i datës 20.10.2010, procesverbalet për inspektimet e kryera të datës 21.03.2014, 09.04.2014, 26.01.2015, aktvendimet të datës 25.03.2014, 07.04.2014, 14.04.2014, konkluzionin mbi lejimin e ekzekutimit 02.05.2014, kërkesën për fillimin e procedurës kundërvajtëse të datës 25.03.2014, dhe kallëzimi penal i datës 28.01.2015”, ka thënë ai.

Avokati Shehu, ka deklaruar se të gjitha këto akte administrative të nxjerra nga i mbrojturi i tij, janë ende në fuqi, andaj sipas tij, Komuna e Prizreni nuk i ka shtjerrë të gjitha mjetet e brendshme administrative para inicimit të kësaj çështje penale.

Ai i ka propozuar gjykatës që sipas dispozitave ligjore i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi, shpalljen e aktgjykimit për këtë rast e ka caktuar më 18 nëntor 2019, në ora 09:30.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 25 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Bashkim Krasniqi, të cilin e ngarkon se në cilësinë e personit zyrtar, inspektor i ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit, nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se përkundër njoftimit të fundit të lëshuar më 20 tetor 2014, nga Drejtoria e Inspektorateve në Prizren, adresuar investitorit Xhavit Bytyçi, pronar i kompleksit hotelier – shtëpizave nga konstruksioni i drurit “Crazy Love” në Prizren, i bazuar në konkluzionin mbi lejimin e ekzekutimit të dhunshëm të lëshuar më 2 maj 2014, nuk e ka bërë ekzekutimin më 24 tetor 2014 edhe pas kësaj date, edhe pse i njëjti ka qenë i detyruar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

Ndërmarrja “Guraziu” është specializuar në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes. Pronari, Arton Guraziu, ka një përvojë prej 20 vjetësh. Adresa e...

15 mars 1875/ Faik Konica, propagandues i çështjes kombëtare

Më 15 mars të vitit 1875 u lind në Konicë, Faik bej Konica, propagandues i çështjes kombëtare, studjues i historisë kombëtare dhe i gjuhës...

Lajmet e Fundit