10.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Prokuroria kërkon dënim për ish-drejtorin Bedri Bytyçi

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga gjykata që ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Bedri Bytyqi dhe inspektori i ndërtimit në këtë drejtori, Bashkim Krasniqi, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Prokurori i rastit, Metush Biraj, gjithashtu dënim ka kërkuar edhe për të akuzuarin për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme, Faton Hoxha.

Këtë kërkesë prokurori Biraj e ka bërë të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ku është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast, i cili ishte kthyer në rigjykim nga gjykata e shkallës së dytë.

Prokurori Metush Bira, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se pas administrimit të provave në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar në tërësi teza e aktakuzës, se të akuzuarit me dashje dhe dijeni kanë kryer veprën penale për çka janë akuzuar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bedri Bytyqi, avokati Florin Vërtopi, në fjalën e tij përfundimtare, ka kërkuar nga gjykata që klienti i tij të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga akuza.

Ai ka deklaruar se në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin ky rast është kthyer në rigjykim, është theksuar se kjo çështje juridike penale më shumë ka të bëjë me një kontest juridiko-civil dhe sipas tij, në këtë çështje penale nuk ka palë të dëmtuar.

I akuzuari Bedri Bytyqi, e ka mbështetur fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, duke shtuar se është i bindur se ai i ka kryer të gjitha obligimet ligjore.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bashim Krasniqi, avokati Dardan Morina, në fjalën përfundimtare deklaroi se aktakuza e prokurorisë deri më tani nuk është vërtetuar, duke kërkuar që klienti i tij të lirohet nga akuza.

I akuzuari Bashkim Krasniqi, e ka mbështetur fjalën përfundimtare të avokatit të tij.

Kurse, avokati Florent Latifi, mbrojtës i të akuzuarit Faton Hoxha, duke i referuar vendimit të Gjykatës së Apelit, ka deklaruar është i habitur se si një person mund të konsiderohet edhe blerës edhe uzurpator.

I akuzuari Faton Hoxha, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se e mbështet avokatin duke mos shtuar asgjë më shumë.

Paraprakisht në këtë seancë janë administruar provat materiale, si dhe iu ka dhënë mundësia që të akuzuarit të japin mbrojtjen e tyre, por të njëjtit iu kanë qëndruar mbrapa deklaratave të dhëna më parë.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 5 janar 2018, nga ora 14:00.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit tjetër për uzurpim, Ilaz Susurit, trupi gjykues, ka vendosur që të ndahet lënda penale, pasi që sipas raportit të policisë, i njëjti është i sëmurë dhe nuk mund të lëvizë fare.

Ndryshe, në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim në këtë rast, me të cilin e ka dënuar të akuzuarin Faton Hoxha me gjashtë muaj burgim efektiv, ndërsa të akuzuarit tjerë i ka liruar nga akuza.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 3 gusht 2017, ka vendosur që të anulojë aktgjykimin e shkallës së parë, andaj çështja është kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Apeli ka arsyetuar se aktgjykimi është kundërthënës në disa pjesë të tij, duke thënë se nuk mund të kuptohet se si mund të dënohej Faton Hoxha i cili e ka blerë pronën prej Ilaz Susurit, ndërsa nuk është gjetur fajtor vetë i akuzuari Susuri.

Po ashtu, Apeli ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë nuk është dashur të marrë për bazë vendime administrative të institucioneve shtetërore dhe komunale, për të liruar të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Krasniqi dhe Bytyqi.

Pas kthimit të lëndës në rigjykim, dy seancat e para kanë dështuar të mbahen pasi që ka munguar i akuzuari Ilaz Susuri, i cili sipas raportit të policisë, është i sëmurë dhe nuk mund të lëvizë, andaj në këto rrethana trupi gjykues ka vendosur që lënda penale ndaj tij të veçohet.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, në qershor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Bashkim dhe Bedri Bytyqi, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndaj të akuzuarve Ilaz Susuri e Faton Hoxha, për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Sipas aktakuzës, Bashkim Krasniqi, akuzohet se në cilësinë e inspektorit komunal për ndërtim, nuk ka vepruar për rrëzimin e objektit afarist-banesor të të pandehurit Faton Hoxha, të ndërtuar pa leje në pronë komunale.

Bedri Bytyqi, akuzohet se duke qenë drejtor i Inspektoratit, megjithëse ka nënshkruar aktvendimin për rrënim të objektit, nuk ka vepruar për të realizuar atë, duke i mundësuar Faton Hoxhës që të vazhdojë ndërtimin.

Ndërsa, Ilaz Susuri akuzohet se ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën ku është ndërtuar objekti, ku të njëjtën, pa fletë-poseduese, ia ka shitur të pandehurit Faton Hoxha për 35 mijë euro.

Po ashtu, Faton Hoxha akuzohet se pa kontratë të vërtetuar dhe pa dokumentacionin përkatës ka blerë pronën në fjalë nga i pandehuri, Ilaz Susuri dhe më pas ka ndërtuar objekt afarist në atë pronë./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Lajmet e Fundit