14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Prokuroria kërkon dënime më të larta për të dënuarit për grabitjen e barnatores në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar që të rriten dënimet ndaj Artan Jasharit dhe Përparim Rexhës, të cilët ishin dënuar për një grabitje që kishte ndodhur në vitin e kaluar në barnatoren “Vjosa-Pharm” në Komunën e Suharekës.

Lidhur me këtë grabitje, Gjykata Themelore në Prizren, në janar të këtij viti, i ka shpallur fajtorë Artan Jasharin dhe Përparim Rexhën, pasi që paraprakisht të dy të akuzuarit kishin pranuar fajësinë.

Jashari ishte dënuar me tre vjet burgim dhe 200 euro gjobë, kurse Berisha ishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim dhe 200 euro gjobë.

Të dy të akuzuarve në dënimet e tyre, do tu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 5 shkurti 2017 e deri në plotfuqishmërinë e dënimit.

Mirëpo, me dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë nuk është ndarë e kënaqur Prokuroria në Prizren, e cila me ankesë i është drejtuar Apelit.

Në ankesën e prokurorisë, të cilën e lexoi gjykatësi raportues për këtë rast, Xhevdet Abazi, thuhet se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarve është i butë duke marr parasysh se ata kanë qenë edhe më parë të dënuar.

Sipas prokurorisë, edhe përkundër pranisë së disa rrethanave lehtësuese për të akuzuarit e sidomos pranimit të fajësisë nga të njëjtit, shkalla e parë sipas prokurorisë është dashur të shqiptojë dënime më të larta për të akuzuarit.

“Gjykata e shkallës së parë i ka mbiçmuar  rrethanat lehtësuese të të akuzuarve kurse nuk i ka vlerësuar siç duhet rrethanat rënduese. Propozojmë që dënimet ndaj të dy të akuzuarve të rriten”, thuhet në ankesën e prokurorisë.

Ankesa e prokurorisë u kundërshtua nga avokatët mbrojtës të akuzuarve, që ishin të pranishëm në seancën e së premtes.

Mbrojtësi i Artan Jasharit, avokati Orhan Rekathati, tha se e kundërshton ankesën e prokurorisë,  për shkak se siç tha, janë shume rrethana lehtësuese në favor të akuzuarit Artan Jasharit.

“I mbrojturi im nga fillimi ka pranu veprën, ka negociua me prokurorinë, ka bashkëpunuar me gjykatën. Kështu që, unë e kisha lut kolegjin e Apelit që të mos jap një dënim me te ashpër. Vet i akuzuari më ka thëne mos me bo ankesë pasi që e ka bo veprën”, tha në fjalën e tij avokati Rekathati.

Po ashtu, i njëjti shtoi se, në rastin në fjalë nuk kemi te bëjmë me ndonjë lëndim dhe se vlera e dëmit është deri në 150 euro, që sipas avokatit nuk është shume e madhe.

Në fund të fjalës së tij, avokati Rekathati tha se dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë është i mjaftueshëm dhe me këtë dënim edhe arrihet qëllimi i dënimit, mirëpo, nëse ka mundësi, sipas tij, Apeli do të bënte mirë që këtë dënim ta zbuste ende.

Ankesën e prokurorisë e kundërshtoi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Rexha, avokati Esat Gutaj.

“Kur thuhet recidivist, prokuroria është dash të cek dënimet e shqiptuara në të kaluarën dhe krejt te dhënat për to, mirëpo nëse nuk ka aktgjykim të plotfuqishëm, nuk mund të thuhet se është recidivizëm. I akuzuari është penduar, ka dal nga një familje qe përjetuar një masakër nga lufta, ka premtu që nuk do të bëj më vepra te tilla”, tha në fjalën e tij avokati Gutaj.

Për fund, Gutaj shtoi se do të ishte mirë që pasi kemi të bëjmë me dy djem të rinj, të zbutet dënimi ndaj tyre pasi që sipas tij, koha e kaluar në paraburgim prej gati më shume se një vit dy muaj ka mjaftuar që arrihet efekti i risocializimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të akuzuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, më 3 shkurt 2017, rreth orës 20:30, sipas marrëveshjes paraprake në mes tyre, pasi kanë vëzhguar barnatoren “Vjosa-Pharm”, e kanë grabitur të njëjtën.

Aktakuza përshkruan se si dy të akuzuarit e parë kanë hyrë në barnatore me maska, kanë marrë arkën e lokalit, kanë kërcënuar shitësen, ndërsa më pas janë larguar me makinën në drejtim të Prishtinës./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Superliga në basketboll: Proton Cable Prizreni i shkon Trepçës

Superliga e Kosovës në basketboll, vazhdon sonte me dy ndeshjet e fundit të xhiros së 26-të, ku do të përballen Istogu-Peja dhe Trepça-Proton Cable...

“Messi i Prizrenit”, talenti që ishte afër transferimit në Manchester City

Në Prizren e thërrasin “Messi”. Shpesherë driblon bukur sikur Leo dhe dhuron magji me të majtën. Ylli Myrtezanin dhe kampionin e botës e lidh një fakt...

Lajmet e Fundit