10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Prokuroria në Prizren kërkon rigjykim për gjykatësin e liruar nga akuza për marrje ryshfeti

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që ta kthejë në rigjykim, rastin e gjykatësit Miodrag Paviç të liruar nga akuza për marrje ryshfeti nga gjykata e shkallës së parë.

Gjykata Themelore në Prizren, në janar të vitit 2015, e kishte liruar nga akuza për marrje ryshfeti të akuzuarin Miodrag Paviç, pasi që kishte vlerësuar se i njëjti nuk e ka kryer veprën për të cilën akuzohej.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, duke u bazuar në mbrojtjen e të akuzuarit Paviç dhe dëshmisë së dëshmitarëve, është vërtetuar se në rastin në fjalë nuk kemi të bëjmë me marrje ryshfeti, por me hua.

Të pakënaqur me këtë vendim të Gjykatës Themelore, ankesë ka paraqitur Prokuroria Themelore në Prizren.

Prokurori i shtetit, Mehdi Sefa, në ankesën e tij drejtuar Apelit, thekson se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale pasi që është aktgjykim i pakuptueshëm, kundërthënës dhe se në të nuk janë paraqitur arsyet në lidhje me faktet vendimtare.

Në ankesën e prokurorisë, ceket video incizimi të cilën e kishte bërë policia në kuadër të hetimeve që kanë qenë duke i bërë kundër të akuzuarit Paviç.

Në këtë video incizim, sipas prokurorisë, shihet i akuzuari Paviç se si në cilësinë e gjykatësit takohet me Dragan Nikoliqin, më 7 nëntor 2012, në restorant “Ferizi Petrol” në Gjilan, dhe aty Paviç i dorëzon një vendim për caktimin e kujdestarisë së fëmijëve, Dragan Nikoliqit.

Këtë vendim, prokuroria pretendon se gjykatësi Paviç në shpejtësi e kishte nxjerrë po atë ditë.

Pas dorëzimit të vendimit, prokuroria në ankesën e saj thotë se Paviç si shpërblim merr nga Nikoliq shumën prej 1200 franga të cilat ia kishte kërkuar një natë më herët.

Këto para të akuzuarit Paviç, sipas prokurorisë i ishin gjetur në shtëpinë e tij gjatë bastisjes nga policia.

Po ashtu, prokuroria në ankesën e saj, thekson se gjykata e shkallës së parë në aktgjykimin e saj nuk i ka paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë se cilat fakte i konsideron si të vërtetuara dhe cilat jo.

“Gjykata e shkallës së parë nuk është dashur ti jep besueshmëri deklaratave të akuzuarit Paviç, se parat e marra nga Nikoliq kishin qenë hua, pasi që po të ishte ashtu, pala e dëmtuar nuk do të kishte paraqitur rastin në polici”,  thuhet në ankesën e prokurorit Mehdi Sefa.

Si të pabazuar e ka quajtur ankesën e prokurorisë, mbrojtësi i të akuzuarit Paviç, avokati Ymer Huruglica.

Duke u përgjigjur në ankesën e prokurorisë, mbrojtja e të akuzuarit Paviç thekson se gjykata e shkallës së parë drejt ka vepruar kur  të akuzuarin e ka liruar nga akuza.

Avokati Huruglica, në fjalën e tij para kolegjit të Apeli tha se paratë që i mbrojturi i tij i kishte marr nga Dragan Nikoliq kishin qenë hua.

“Paviç në një kohë të shkurtë e ka martuar djalin, ka fejuar vajzën si dhe ka pasur dy raste të vdekjes në familje. Të gjitha këto, atij i kanë shkaktuar shpenzime andaj në bisedë e sipër me Nikoliqin, ky i fundit i kishte ofruar ndihmë financiare në formë të huas” – tha në fjalën e tij, Huruglica.

Huruglica tha se po të ishte ashtu siç e ka paraqitur rastin pala e dëmtuar në këtë rast, Dragan Nikoliq, se kemi të bëjmë me marrje ryshfeti, ky i fundit sipas Huruglicës në mënyrë të vazhdueshme do të vinte në gjykatë e do të dëshmonte.

Mirëpo një gjë të tillë, Nikoliq nuk e kishte bërë asnjëherë, tha avokati Huruglica.

Sipas mbrojtësit të tij, Paviç nuk kishte qenë fare në dijeni se pala e dëmtuar në këtë rast, Nikoliq, ka lëndë të pazgjidhur tek i akuzuari.

Në fund të fjalës së tij, mbrojtja kërkoi nga Apeli që aktgjykimin e Themelores ta aprovojë dhe ankesën e prokurorisë ta refuzojë si të pabazuar.

Aktakuza e Prokurorisë Komunale në Prizren e ngarkonte të akuzuarin Paviç me veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Siç thuhet në aktakuzë, Paviç në cilësinë e gjyqtarit në Gjykatën Komunale në Gjilan, kishte kërkuar përfitim pasuror për vete për të kryer në kuadër të autorizimeve të tij, veprimin zyrtar të nxjerrjes së një vendimi në favor të Dragan Nikoliqit si propozues i padisë.

Rasti kishte të bënte me një propozim për caktimin e kujdestarisë, kujdesin dhe edukimin e fëmijëve të mitur, të bërë nga Dragan Nikoliqi.

Për këtë vendim, sipas aktit akuzues, Paviç kishte kërkuar nga Nikoliq shumën prej 2000 euro.

Këtë shumë, siç thuhet në aktakuzë, Paviç e kishte marr në dy pjesë, 1.200 franga më 6 nëntor 2012 dhe 1.200 franga më 7 nëntor 2012./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Përfundon zgjedhja e kryetarëve dhe këshillave të bashkësive lokale në Prizren

Pas dy muajsh pune intensive dhe angazhimit të ekipit të kryesuar nga Drejtori i Administratës së Komunës së Prizrenit, Edin Shehu, ka përfunduar me...

Moti sot: I vranët e me shi, rikthehet pluhuri saharian

Këtë të martë në Kosovë pritet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe me intervale të shkurtra me diell, ku pasdite dhe në...

Lajmet e Fundit