11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Propozimi i opozitës është i vonuar

Analistët politikë kanë vlerësuar se propozimi i opozitës, që të themelohet një gjykatë vendore për krimet e luftës, është i vonuar.

Analisti politik Belul Beqaj ka thënë se opozita ka bërë përllogaritje të gabuara për një çështje të domosdoshme, siç është formimi i Tribunalit, me kusht që ai të mos i imitojë UNMIK-un dhe EULEX-in. Ai ka thënë për “Epokën e re” se opozita, nëse ia do të mirën vetes dhe vendit, para se të jetë kundër miratimit të amendamenteve kushtuese, të cilat ia hapin rrugën themelimit të Gjykatës Speciale, duhet të këmbëngulë për të dhënë përgjigje pse, kur dhe nga kush është paralizuar drejtësia në Kosovë?

“Shumicës së deputetëve të opozitës duhet t’ua kujtojmë faktin se ata brenda një dite kanë ditur për t’i ndërruar vlerësimet për mocione të caktuara, për arsye të cilat ata i dinë vetë. Opozita e ka bërë përllogaritjen e gabuar për një çështje të domosdoshme, siç është formimi i Tribunalit, me kusht që ai të mos i imitojë UNMIK-un dhe EULEX-in. Pra, opozita, nëse ia do të mirën vetes dhe vendit, para se të jetë kundër miratimit të amendamenteve kushtuese, të cilat hapin rrugën për themelimin e Gjykatës Speciale, duhet të këmbëngulë për të dhënë përgjigje pse dhe kur është paralizuar drejtësia në Kosovë dhe nga kush? Nëse dëshirojnë t’i ndihmojnë vetes dhe Kosovës, do ta kuptojnë realisht pse Kosova me këtë strukturë të pushteteve dhe me një opozitë të tillë vetëm sa do ta përshpejtojë teposhtën e Kosovës drejt shtetit të dështuar”, ka deklaruar Beqaj.

Ai ka thënë se askush prej opozitës tash e 16 vjet nuk ka kërkuar të themelohet një hallkë e drejtësisë, e cila do të merrej me krimet e supozuara të luftës. Sipas Beqajt, opozitarët po kërkojnë diçka që kanë mundur ta bëjnë vetë në kohën dhe mënyrën e duhur.

“Këta opozitarë në periudha të ndryshme, në përjashtim të Vetëvendosje!-s, kanë qenë pjesë e pushteteve afër 16 vjet. Asnjëri prej tyre, duke përfshirë edhe Vetëvendosje!-n sot, nuk ka kërkuar të themelohet një hallkë e drejtësisë, e cila do të merrej parimisht me krimet e supozuara të luftës. Pse nuk iu kujtua askujt, pse kanë heshtur deri më tash, ndërsa po kërkojnë diç, që kanë mundur për ta bërë vetë në kohën e duhur e në mënyrën e duhur. Mendoj se kjo opozitë është instrumentalizuar, me apo pa vetëdije, nga ata që e nuk po dëshirojnë për ta ç’kapur Kosovën nga ngufatja. Ata që kanë qenë të pafuqishëm dhe të painteresuar për të bërë këtë 16 vjet, kanë më pak fuqi sot, për arsye se ata që e kanë zaptuar pushtetin e Kosovës janë mbi ta dhe shtetin. Prandaj, duhet funksionalizuar Gjykatën, me kusht që ajo të mos ballkanizohet, por që Kosova ta ndjekë rrugën e standardit juridik ndërkombëtar me të cilin ndërkombëtarët duhet të turpërohen sa iu përket sjelljeve dhe punës së tyre të deritanishme në Kosovë”, ka vlerësuar Beqaj.

Kurse njohësi tjetër i proceseve politike, Imer Mushkolaj, ka thënë se nuk do të jetë problematik riprocedimi në Kuvend i amendamentit kushtetues, i cili i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Por, sipas tij, problematik do të jetë vullneti i shprehur i deputetëve, të cilët brenda një kohë të shkurtër do të vijnë në një situatë që të votojnë ndryshe.

“Me qëndrimin e saj opozita po më duket radikale. Mendoj se kjo çështje mund të procedohet edhe një herë në Kuvend për shkak se neni 144 i Kushtetutës nuk e ndalon një gjë të tillë, pavarësisht se nuk e thotë në mënyrë eksplicite. Respektivisht, ky nen flet vetëm për procedurën e parë, që duhet të kalojë në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo nuk e ndalon përsëritjen e procedurës dhe me këtë logjikë besoj se mund të përsëritet procedura. Është çështje tjetër pastaj se në çfarë gjendje do të vijnë deputetët. Për mua do të jetë problematike se si deputetët e njëjtë, të cilët kanë votuar kundër apo kanë abstenuar pa kurrfarë ndryshimi eventual në projektligj, respektivisht në përmbajtje të tij, mund të votojnë tash ndryshe dhe për mua këta do të dilnin në njëfarë formë joseriozë dhe qesharakë”, ka thënë Mushkolaj për “Epokën e re”.

Ai ka vlerësuar se propozimi i opozitës për krijimin e një gjykate vendore për krime lufte është shumë i vonuar dhe i parëndësishëm. Sipas tij, një propozim i tillë do të ishte i rëndësishëm dhe substancial nëse do të paraqitej si alternativë përpara se të votohej projektligji në Kuvend.

“Opozita ka propozuar shumë vonë. Në fakt, opozita nuk ka pasur kurrfarë iniciative përpara se projektligji të kalojë në Kuvend. Ata kanë pritur se çfarë do të ndodhë dhe kur e panë se dështoi, dolën me një propozim, i cili mendoj se është shumë i vonshëm. Kushdo qoftë që do të propozonte diçka të tillë, gjithashtu do të ishte i vonshëm, për shkak se propozimi i parë për krijimin e një gjykate të tillë vjen 16 pas luftës dhe 7 vjet pas shpalljes së pavarësisë”, ka theksuar Mushkolaj, duke shtuar se çështja e Gjykatës Speciale nuk është diçka e re, meqë ka vite që është në tavolinë. “Krijimi i një gjykate vendore, të paktën si iniciativë, do të duhej të ndërmerrej qysh moti nga vendorët, edhe pse, siç e dimë, kompetencat ekzekutive në fushën e drejtësisë kryesisht kanë qenë në duart e UNMIK-ut, dikur dhe të EULEX-it më pas, mirëpo kjo nuk na ka ndaluar si shoqëri që të marrim iniciativë për shkak se të gjithë e kemi ditur se herët a vonë do të detyrohemi ta krijojmë një trupë me të cilin do të provojmë t’i dënojmë krimet e pretenduara që i kemi kryer vetë. Prandaj, puna e Gjykatës Speciale nuk është diçka e re. Ka vite që është në tavolinë”, është shprehur Mushkolaj. /Epoka e re/

Më Shumë

Rrëzohen propozimet serbe që anëtarësimi i Kosovës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të...

Kurti: Një ditë pas votimit në favor të Kosovës në KiE, Serbia hakmerret kundër civilëve

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur hakmarrje të Serbisë ndaj votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në KiE, ndalimin e mbi 300 qytetarëve...

Lajmet e Fundit