12.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Qeveri qebapësh

qeveria MujaOpozita prizrenase e ka vlerësuar Qeverinë lokale si “Qeveri të qebapëve dhe të ‘pleskavicave’”, apetiti i të cilës jo vetëm që po bëhet problematik, por që ka edhe nevojë për konsultë mjekësore, pasi në gjysmën e parë të këtij viti del se për dreka dhe darka është shpenzuar një shumë e konsiderueshme mjetesh në vlerë prej 63.700 eurosh, për të cilën zyrtarët kanë thënë se disa janë shpenzime të bartura nga viti paraprak.

Raportimi në Asamblenë Komunale rreth shpenzimeve të bëra në periudhën janar-qershor të këtij viti ka ngjallur reagimin e kuvendarëve opozitarë.

Artan Abrashi (VV), ka thënë se shpenzimi buxhetor prej 63.700 eurosh për dreka e darka për 6 muajt e parë të këtij vitit është i papranueshëm, ndërsa kjo tregon se apetiti i pushtetarëve të këtushëm ka filluar të bëhet problematik, aq sa kërkon trajtim mjekësor, për shkak të teprimit.

“Nëse analizojmë raportin dhe shndërrojmë shpenzimet e bëra në ‘pleskavica’ sipas çmimit aktual, atëherë del se janë shpenzuar 95 mijë ‘pleskavica’ apo 255 mijë qebapë. Kjo nuk është as njerëzore, aq më tepër në këtë kohë kur 13 për qind e popullatës vlerësohet se jeton në varfëri të skajshme”, ka thënë ai, duke kërkuar të mos abuzohet me buxhetin publik.

Mybera Mustafa (LDK) ka paraqitur vërejtje për mënyrën e raportimit për shpenzimet buxhetore nga ana e pushtetit, që këtë e bën në vija të trasha apo shabllon, sikur ia dërgon edhe MEF-it, pa ofruar hollësi për harxhimet.

“Në një raport del se afër 4 mijë euro janë shpenzuar me 8 mars, ndërsa 1.800 të tjera janë shpenzuar për dreka në qershor kur edhe ishin zgjedhjet. Shifrat flasin se çdo ditë për dreka harxhohen afër 250 euro. Nëse një drekë mesatare kushton 10 euro, atëherë po del se në Prizren po janë nga 25 mysafirë në një ditë, gjë që nuk ndodh”, tha ajo.

Mustafa tha se e kupton që Prizreni është komuna e dytë në vend për nga madhësia dhe ka mysafirë, por këto shifra janë të papranueshme. “Për 260 ditë pune, çdo dite del se po shpenzohen edhe nga 370 euro për karburante dhe për udhëtime brenda vendit, ndërsa paguhen mëditje edhe në këto udhëtime”, ka thënë ajo.

Arber Rexha nga LVV-ja, që ka kritikuar komunën se ajo ka dështuar në inkasimin e të hyrave vetanake, sidomos nga tregjet, ndërsa në anën tjetër, mjetet e grumbulluara po i harxhon për dreka, të cila janë bërë në fushatën zgjedhore.

“Mos i harxhoni paret e Komunës, lëreni shefin tuaj t’i paguajë ato, pasi ka mjaft para” u ka thënë ai pushtetarëve prizrenas, që vijnë nga koalicioni i PDK-së me AAK-në dhe partitë minoritare turke e boshnjake.

Në anën tjetër, Zenel Ahmetaj, zyrtar për Financa në komunën e Prizrenit, rreth kritikave të opozitës për shpenzime të larta për dreka zyrtare, sqaroi se nuk është se të gjitha janë bërë gjatë gjysmës së parë të këtij viti. “Kemi të dhënat për të gjitha, ndërsa pjesa dërmuese e pagesave janë si borxhe nga vitet paraprake, gjë që realisht ndodh në çdo komunë”, ka thënë ai.

Ahmetaj ka sqaruar se realisht për dreka të papaguara këtë vit prin sektori i arsimi,ndërsa ka thënë se shuma e shpenzimeve të bëra në këtë vit nuk përbën as gjysmën e mjeteve, të cilat figurojnë në raport si shpenzime për këtë periudhë./zeri/

Më Shumë

Sot diplomon gjenerata e 59-të e Policisë së Kosovës

Sot me fillim nga ora 09:00 në sallën “1 tetori” do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Në...

Barcelona refuzon një ofertë të majme për Raphinhan, kërkon 20 milionë më shumë

Raphinha pritet të largohet nga Barcelona në afatin kalimtar të verës, por vetëm për ofertën e duhur. Sulmuesi brazilian ka shpërthyer në javët e fundit...

Lajmet e Fundit