IKQL-konferencInstituti Kosovar për Qeverisje Lokale (IQKL) në kuadër të Akademisë për Qeverisje Lokale, të mbështetur nga Fondacioi Gjerman FES dhe Ambasada Norvegjeze, sot organizoi konferencën një ditore. Në këtë konferencë u trajtuan kriteret për themelimin e komunave të reja dhe u sqarua qasja parimore dhe ndërkombëtare për themelimit të komunave.

Në këtë aspekt, u fol edhe për rëndësinë që ka rregullimi i vetëqeverisjes lokale në Kosovë, duke përmendur faktin që ndryshimi i kompozicionit të komunave aktuale është proces i cili duhet mbështetur në kritere të qarta dhe të paracaktuara me politika dhe legjislacion vendor, i cili reflekton edhe bazën formale ndërkombëtare si dhe praktikat e mira perëndimore.

Në këtë konferencë u prezantuan edhe qëndrimet e komunave të themeluara me procesin e decentralizimit (Kllokoti, Hani i Elezit) dhe përfaqësuesve të lokaliteteve që po synojnë të krijojnë komuna të reja (Orllani dhe Zhegra), transmeton QIK.

Në ketë konferencë u nxor edhe deklarata e Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale: Themelimi i Komunave të reja, mundësi apo pengesë për sistemin e qeverisjes lokale në Kosovë.

Në deklaratë theksohet:
“Themelimi i një apo disa komunave të reja është proces i cili duhet bazuar në kritere të qarta dhe të definuara paraprakisht. Themelimi i një apo më shumë komunave nuk është, dhe nuk do të duhej të jetë një proces i izoluar dhe arbitrar sipas parapëlqimeve të askujt, e as të qeverisë. Rregullimi i themelimit të komunave të reja siç parashihet me kriteret aktuale të ofruara në këtë dokument mundëson që procesi i themelimit të bazohet mbi parimet e respektimit të demokracisë lokale, të respektimit të autoriteteve lokale, të konsultimit të palëve të interesuara dhe prekura nga ky proces, përfshirë këtu aspekte që lidhen me të mirën e përgjithshme publike.
Praktikë e ngjashme vlen edhe për ndarjen, ndryshimin e kufijve komunal, përcaktimin e emrave apo vendbanimeve. Sipas legjislacionit në fuqi, Kosova ka një numër të komunave rregullimi i qeverisjes së të cilave mundësohet nëpërmes kushtetutës, dokumenteve ndërkombëtar (në veçanti me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale). Aktualisht ne po përballemi jo vetëm me injorimin e provizioneve ligjore, por edhe me aspektet e rregullimit demokratik i cili si bazë ka respektimin e vullnetit të qytetareve, të respektimit të institucioneve lokale, si dhe konsultimin e opinionit publik, përfshirë këtu edhe akter aktiv në fushën e qeverisjes lokale në kuadër të shoqërisë civile, komunitetit të donatorëve, dhe më gjerësisht.
Në këtë kontekst, ndryshimi i një apo disa kufijve administrativ konceptohet si proces i cili bëhet nëpërmes: Bashkimin e një apo më shumë komunave brenda një komune ekzistuese; Bashkimin e dy apo më shumë distrikteve për formimin e një komune të re;Ndarjen e një pjese të një komune apo komunave për formimin e një komune të re”.