13.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Qytetarët po ikin, pushteti po “krihet”

Instituti EPIK ka bërë publikimin e fundit dhe sipas këtij studimi nga Kosova kanë ikur një e pesta e popullatës. Sipas këtij studimi, në periudhën 2008-2018, gjithsej 203.330 qytetarë të Kosovës e kanë lëshuar vendin dhe kanë bërë kërkesë për azil në BE. Por, sipas të dhënave të mbledhura, edhe 141.330 qytetarë janë gjetur të pranishëm ilegalisht nëpër vendet e BE-së. Këto të dhëna tregojnë për plot 344 mijë e 660 qytetarë që kanë vendosur të largohen nga Kosova. Me fjalë të tjera, këta përfaqësojnë plot 20% apo 1/5 e popullsisë së Kosovës që e kanë lëshuar vendin.

Destinacionet kryesore të azilkërkuesve ishin Gjermania, Hungaria, Franca, Belgjika dhe Suedia. Ndërsa vendet kryesore në të cilat u gjetën ilegalisht të pranishëm qytetarët e Kosovës ishin Gjermania, Hungaria, Austria dhe Franca. Në fund, Instituti shton se të dhënat kanë korrelacion të fortë me të dhënat e EUROSTAT-it mbi demografinë në Kosovë. Në vitin 2008 Kosova kishte 2.153.139 qytetarë. Deri në vitin 2018 popullsia ka rënë në 1.798.506, një rënie prej 354.633 qytetarë, ose 16.5% e popullsisë së Kosovës.

Analistët thonë se janë pikërisht mungesa e perspektivës, sundimi nga të fortët e nëntokës kriminale, kriza e vazhdueshme politike, mossundimi i ligjit, monopolet dhe moszhvillimi ekonomik, sistemi arsimor i dështuar, shëndetësia e dështuar, abuzimi masiv i pushtetit në të dyja nivelet e qeverisjes etj., që po i shtyjnë qytetarët të largohen nga Kosova.

Analisti Ali Hertica është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se radhë të gjata të të rinjve janë para ambasadave në Prishtinë, ku njerëzit po largohen për shkaqe ekonomike që iu imponuan nga kasta e brishtë politike dhe hajdutëria politike, që po e fundosin shpresën e armatës së të rinjve të Republikës së Kosovës.“Ata kanë pritur me orë të tëra për të aplikuar për viza pune për në shtetin e Kroacisë. Këto pritje të gjata tregojnë më së miri rritjen e trendit të ikjes së të rinjve nga Kosova. E gjithë kjo reflekton se mungesa e perspektivës, sundimi nga të fortët e nëntokës kriminale, kriza e vazhdueshme politike, mossundimi i ligjit, monopolet dhe moszhvillimi ekonomik, sistemi arsimor i dështuar, shëndetësia e dështuar, abuzimi masiv i pushtetit në të dyja nivelet e qeverisjes etj., janë faktorët që po i shtyjnë qytetarët të largohen nga Kosova.

Rreth 40 për qind e 1,8 milionë banorëve të Kosovës jetojnë në varfëri. Kosovarëve u nevojitet në fakt vizë për në Bashkimin Evropian. Nëse ata kapen duke kaluar ilegalisht kufirin dhe arrestohen, paraqesin zakonisht kërkesën për azil. Nëse njerëzve u duhet të jetojnë shpesh me më pak se dy euro në ditë dhe nuk kanë perspektivë ekonomike për të jetuar, është e kuptueshme që marrin rrugën drejt një bote më të mirë”, është shprehur analisti Hertica për gazetën.

Sipas Herticës, mungesa e vendeve të punës dhe humbja e shpresës janë arsyet kryesore që po i shtyjnë të rinjtë të braktisin vendlindjen e tyre për të kërkuar një jetë më të mirë.“Kroacia është shteti për të cilin kanë shprehur interesim më të madh të rinjtë për të shkuar dhe për të punuar, për shkak të procedurave më të lehta.

Raportimet e fundit për ikjen e qytetarëve nga Kosova kanë bërë që deputetë të opozitës dhe disa deputetë të tjerë të partive në pushtet të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit. Është një situatë alarmante për shtetin e Republikës së Kosovës, sepse bandat plaçkitëse dhe klientela e subjekteve politike e detyruan qytetarin të marrë rrugën e mërgimit, duke rrezikuar çdo gjë që posedon për një jetë më të dinjitetshme dhe kjo kastë politike, e mjeranëve politikë, e shndërruan ëndrrën e qytetarit, kështu që sovrani duhet të marrë hapa drejt stabilitetit të shtetit dhe t’i largojë këta mjeranë të politikës”, theksoi analisti Hertica për gazetën.

Analisti Dardan Grapci theksoi për gazetën “Kosova Sot” se, sipas publikimit të Institutit EPIK dhe studimit që e ka bërë, nga Kosova kanë ikur 1/5 e popullatës, por kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë, duke e parë që ky studim është bërë për vitet e shkuara, 2008-2018, dhe vërejmë që 203.330 qytetarë të Kosovës kanë bërë kërkesë për azil në BE, si dhe mbi 141.330 qytetarë janë duke qëndruar ilegalisht nëpër vendet e BE-së, siç janë Gjermania, Hungaria, Austria dhe Franca, e shumë shtete tjera.

“Krejt kjo ka ndodhur dhe po ndodh për shkak të mosangazhimit të Qeverisë së atëhershme dhe aktuale për stimulimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës për këta qytetarë. Gjithashtu, këtu kanë luajtur rol edhe mossundimi i ligjit, korrupsioni, kriza ekonomike etj. Do të isha shumë optimist nëse Qeveria do të bënte diçka për këtë problem, por realiteti është se pushtetarët nëpër fushata elektorale po bëjnë premtime vetëm me fjalë, por me vepra asgjë”, theksoi Grapci.

“Nëse merren masat për parandalimin e ikjeve të qytetarëve, duke u krijuar kushte të favorshme për jetesë, mendoj se deri në vitin 2025 Kosova do të mbetet me 60% të qytetarëve. Mendoj që kjo duhet të jetë shqetësuese për Qeverinë, e jo të bëjnë shaka nëpër media, me fjalë të pakuptimta”, ka theksuar analisti Grapci

Më Shumë

Kosova mposht Armeninë

 Franco Foda ka debutuar me fitore në krye të bankinës së Kombëtares së Kosovës. Dardanët mundën në udhëtim Armeninë, me rezultat 0-1, të enjten në...

Malishevë: Dorëzohen çelësat e 10-të shtëpive për familjet në nevojë

10 familje që jetojnë në kushte të rënda ekonomike në komunën e Malishevës, janë bërë me shtëpi banimi. Lajmi u bë i ditur nga kryetari...

Lajmet e Fundit