6.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Rreziqet e planit ”B” për Gjykatën Speciale

Kosova nuk duhet të lejojë që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, të themelojë Gjykatën e Veçantë për krimet e luftës, thonë përfaqësuesit politikë dhe analistët në Prishtinë. Sipas tyre, formimi i dhomave të veçanta për krimet e supozuara të luftës nga Kuvendi i Kosovës, por që do të udhëhiqeshin nga ndërkombëtarët, do të ishte një zgjidhje më e mirë.

Pavarësisht dallimeve në pikëpamjet politike mes pushtetit dhe opozitës, analistët besojnë se Kosova nuk ka një plan “B” për këtë gjykatë, pasi që një plan i tillë do ta shtynte çështjen drejt Këshillit të Sigurimit.

Analisti i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Fisnik Korenica, thotë se themelimi i dhomave të veçanta apo siç interpretohet si Gjykatë Speciale nga institucionet e Kosovës, pavarësisht rolit që do të kishin prokurorët dhe gjykatësit ndërkombëtarë, ajo do të ishte një mekanizëm kushtetues i Kosovës.

Kurse, në rast se Kuvendi i Kosovës dështon ta themelojë atë, atëherë, sipas tij, paralajmërimet janë mjaft të qarta se këtë do ta bënte Këshilli i Sigurimit.

“Dërgimi i Gjykatës Speciale në agjendën e Këshillit të Sigurimit është seriozisht e rrezikshme për shtetësinë e Kosovës, është një hap prapa në kuptimin e afirmimit të shtetit sovran të Kosovës dhe do të përbënte një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm që do të mund ta ndalonte edhe më tutje procesin e njohjes”, ka thënë Korenica për Radion Evropa e Lirë.

Themelimi i një Gjykate të Veçantë ndërkombëtare për Kosovën, ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bazë të këtyre supozimeve, prokurori amerikan Clint Williamson, kishte zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Themelimi i gjykatës së veçantë për t’i ndriçuar këto pretendime, në Prishtinë po shihet edhe si mundësi për heqjen e kësaj barre mbi Kosovën që ka lënë ky raport i supozuar.

Analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur besimin se Kuvendi do ta themelojë këtë Gjykatë të Veçantë, duke mos lënë asnjë hapësirë që një gjë të tillë ta bëj Këshilli i Sigurimit.

Në të kundërtën, ai thotë se shteti do të dështonte për tu ballafaquar me këto procese politike.

“Unë as nuk mund ta marr me mend që dhomat e veçanta të votohen nga Kombet e Bashkuara, përmes Këshillit të Sigurimit apo të futen në kornizën e Tribunalit të Hagës, sepse atëherë do të jetë një proces i pakontrollueshëm nga Kosova, por edhe nga miqtë e saj dhe do të ishte një proces i stërzgjatur, me dekada”, ka thënë Rashiti.

Ndërkohë, Fisnik Korenica, numëron tri raste mbi të cilat, Këshilli i Sigurimit do të mund të themelonte këtë gjykatë.

Që të tria, sipas tij, do të bazoheshin në Rezolutën e OKB-së 1244, e cila që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës ka mbetur nën hije, sado që është ende në fuqi.

“Këshilli i Sigurimit i ka tri mundësi: E para që ta themelojë një tribunal të veçantë për Kosovën, e dyta që këtë çështje t’ia referojë juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, përkatësisht prokurorit të përgjithshëm të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe e treta, që ta ndërtojë një gjykatë përmes misionit të UNMIK-ut në Kosovë, e që do të ishte opsioni më i lehtë”, ka vlerësuar Korenica.

Nga pasojat e drejtpërdrejta, dështimi për themelimin e kësaj gjykate, sipas analistëve, do të reflektonte në “shtyrjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pastaj në mos nënshkrimin e marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me Bashkimin Evropian si dhe në proceset tjera integruese”.

Opozita në Kuvendin e Kosovës tashmë është deklaruar se nuk do t’i mbështes amendamentet e propozuara nga Qeveria për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Partitë opozitare vlerësojnë se “kjo gjykatë cenon autonominë e gjyqësorit në Kosovë si dhe dëmton imazhin e luftës për liri dhe pavarësi”.

Por, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, kishte deklaruar se dhomat e veçanta të prokurorisë dhe gjykatave, nuk do të cenojnë autoritetin e institucioneve të Kosovës dhe se ato do të merren me raste individuale.

“Ne besojmë shumë në pastërtinë e luftës së UÇK-së, prandaj sjellja e individëve, që eventualisht mund të kenë bërë krime gjatë luftës apo pas luftës, nuk mund të identifikohen me luftën e pastër çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

Themelimi i Gjykatës Speciale për krime të luftës, pasoi letërkëmbimin ndërmjet presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe ish-Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, në prillin e vitit 2014.

Mbi bazën e këtij letërkëmbimi, Kuvendi i Kosovës me 89 vota për, 22 kundër dhe 2 abstenime kishte miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Sidoqoftë, tani mbetet që pas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me amendamentet e propozuara nga Qeveria, fillimisht Kuvendi i Kosovës t’i miratojë ndryshimet kushtetuese para se të procedohet tutje me ligjin për themelimin e këtyre dhomave të veçanta. /REL/

Më Shumë

Mjekët shpjegojnë se çfarë ka ndodhur me Evan Ndicka

Deklarata e Roma-s ka bërë të qartë se Evan Ndicka nuk kishte ndonjë patologji kardiake, ndaj dhimbjet e gjoksit dhe vështirësitë në frymëmarrje i...

Guardiola me çdo kusht e dëshiron transferimin e Musialas

Pep Guardiola raportohet se ka vendosur për objektivin kryesor të afatit kalimtar veror për Manchester Cityn. “The Guardian” raporton se City pritet që të bëjnë...

Lajmet e Fundit