16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Serbët e Rahovecit kërkojnë mbrojtje pas një incidenti me shqiptarët (Video)

Një incident i disa javëve më parë mes disa të rinjve të komunitetit serb dhe shqiptarë në Rahovec ka shtyrë banorët serbë të rrugës “Boracka” të kërkojnë mbrojtje të shtuar nga institucionet e rendit e sigurisë në Kosovë.

Banorët serbë të kësaj lagje nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, por për KALLXO.com, kanë thënë se fëmijët serbë janë provokuar nga ata shqiptarë derisa ishin duke luajtur në fushën sportive të lagjes.

Prindërit e fëmijëve serbë kanë mbledhur 110 nënshkrime dhe përmes një peticioni kanë kërkuar ndërmarrjen e masave të sigurisë për mbrojtjen e fëmijëve të tyre.

Këtë peticion ata ia kanë dërguar “Organit të Përkohshëm për Komunën e Rahovecit”, një mekanizëm që merret me përfaqësimin e të drejtave të serbëve në atë pjesë, OSBE-së, Policisë së Kosovës dhe Komunës.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Lirie Beqiraj, e ka konfirmuar incidentin për KALLXO.com. Ajo ka sqaruar se mosmarrëveshja ka ndodhur mes dy të miturve të moshës 12 dhe 13 vjeçare dhe se më pas një person i rritur, i nacionalitetit serb e ka sulmuar të miturin shqiptar.

“Fëmija i nacionalitetit serb e ka njoftuar vëllain e tij N.M të moshës madhore i cili ka ardhur dhe e ka sulmuar fëmijën tjetër të nacionalitetit shqiptar duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes ndërsa fëmijës së lënduar i është dhënë ndihma mjekësore”, thuhet në përgjigjen e Beqirajt.

Policia ka bërë të ditur se personi i dyshuar është arrestuar dhe është mbajtur në ndalim policor me urdhër të prokurorit të shtetit. Më 2 tetor ai ishte liruar.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka deklaruar për KALLXO.com se për incidentin në fjalë është diskutuar edhe në takimin e rregullt të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, të mbajtur të enjten.

“Raportoi komandanti i policisë për këtë rast. Unë në cilësinë e kryetarit të komunës, si udhëheqës i të gjithë qytetarëve pa dallim, sepse për këtë e kam edhe mandatin e për këtë më ngarkon dhe ligji, natyrisht që çfarëdo vepre penale që dikush e bën, çfarëdo shkelje e ligjit, janë mekanizmat kompetent, prokuroria, gjykatat që i japin dënimin e merituar”, tha Latifi.

Sipas kryetarit Latifi, raste të tilla janë të dënueshme pavarësisht emrit, gjinisë apo nacionalitetit të kryesit të veprës.

“Gjendja e sigurisë së përgjithshme në Komunën e Rahovecit është e mirë, është e qetë, është stabile dhe siguria është e qëndrueshme”, theksoi i pari i Rahovecit.

Më Shumë

Del në ankand xhaketa ikonike e Michael Jacskonit te “Thriller”

Një prej xhaketave origjinale të Michael Jacksonit që i ka veshur në videoklipin e këngës “Thriller” ka dalë në ankand online. Xhaketa kuq e zi...

Krasniqi përkujton të rënët në masakrën e Krushës së Madhe: Asnjëherë s’do të lejojmë që sakrificat e popullit tonë të harrohen

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka përkujtuar Masakrën e Krushës së Madhe, që ndodhi 25 vjet më parë. Në këtë...

Lajmet e Fundit