10.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

“Sheki” pranon fajësinë për dy vepra penale, mohon dy tjera

sheki_562774Greva e gjykatësve të Gjykatës Themelore të Prizrenit nuk i ka penguar të mërkurën ata që ta mbajnë shqyrtimin gjyqësor ndaj sulmuesit të stacionit policor “Alfa” në Prizren, Shefqet Hallaqi, i njohur me nofkën “Sheki”, për shkak se ky rast është me paraburgim.

Të akuzuarit Hallaqi në seancën e kaluar gjykatësja e çështjes e kishte refuzuar pranimin e fajësisë të lidhur mes Prokurorisë dhe të akuzuarit, me të cilën marrëveshje parashihej 2 vjet burg dhe 3 mijë euro gjobë për të akuzuarin.

“Sheki” i akuzuar për katër vepra penale, pas leximit të aktakuzës nga Prokurorja e Shtetit Ervehe Gashi, deklaroi se e pranon fajësinë për dy vepra penale – atë të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe të armëmbajtjes pa leje, ndërsa u deklarua i pafajshëm për veprat penale “përdorimi i armës” dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Në fjalën hyrëse prokurorja e shtetit Ervehe Gashi, tha se ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar faktin se i akuzuari ka kryer edhe dy veprat penale për të cilat nuk ka e pranuar fajësinë.

“Nga deklaratat e dëshmitarëve, Alush Vehapi dhe të dëmtuarve të tjerë të cekur në aktakuzë, si dhe nga përfaqësuesi i autorizuar i PTK-së, për të cilin shpresoj që në seancat e ardhshme do të vjen, do të vërtetohet se këtu i akuzuari ka kryer edhe veprën penale të dëmtimit të pasurisë nga neni 333 paragrafi 2”, tha prokurorja e rastit.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Naim Qelaj tha se do ta bindë trupin gjykues se nuk janë formuar veprimet për kryerjen e këtyre veprave penale nga klienti i tij.

“Do të bindë këtë trup gjykues se veprimet e të akuzuarit sa i përket pikës dy dhe katër të aktakuzës nuk janë formuar elementet e veprës penale siç është përshkruar në aktakuzë dhe se këto veprime nuk paraqesin vepër penale”, tha avokati Qelaj.

Në seancën e së mërkurës para trupit gjykues dëshminë e dha edhe e dëmtuara e rastit Suzana Xhemajli, e cila në ditën kritike kishte qenë në detyrë si police statike tek porta e stacionit “ALFA” në Prizren.

Ajo tregoi se i akuzuari kur kishte hyrë i kishte drejtuar armën dhe e kishte sharë atë, duke i thënë “mos lëviz se të vrasë”.

“Nuk e kam pritë atë moment, kallashi! Ajo ka qenë armë e gjatë, e madhe… jam frikësuar prej drejtimit të kallashit, prej personit, prej gjithçka”, tha ajo.

Dëshmitarja Xhemajli, tha se “Sheki” kishte hyrë drejt në stacion, dhe pas pak kishte dëgjuar krismat e automatikut. Ajo tha se asnjë veprim nuk kishte mundur të ndërmarrë, pos që kishte lajmëruar kolegët në telefon.

Seanca e radhës ku do të dëgjohet përfaqësuesi i autorizuar i PTK-së dhe gjashtë dëshmitarët tjerë, do të mbahet më 17 mars 2015.

Për më tepër, Shefqet Hallaqi (34 vjeçar) akuzohet nga Prokuroria Themelore e Prizrenit për kryerjen e katër veprave penale: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, mbajtje në pronësi, në kontroll, ose në posedim të paautorizuar të armëve dhe asgjësim apo dëmtimi i pasurisë.

Shefqet Hallaqi i njohur me nofkën “Sheki”, akuzohet se më 24 tetor 2014 rreth orës 06:15 minuta në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, shkaktoi rrezik të madh për jetën e njerëzve.

“I pajisur me një pushkë automatike “Type 56” e kalibrit 7.62×39 mm, zbret nga auto-taksi hyn në brendësi të stacionit policor duke bërtitur “ku është ai”, e shkelmon derën e radiolidhjeve të stacionit policor, përsëri pyet “ku është ai”, drejtohet në drejtim të zyrës së deskut dhe me pushkë automatike shkrep në mënyrë të pakontrolluar një rafal duke gjuajtur pesë fishekë”, thuhet në aktakuzë.

“Nga goditjet e rafalit shkakton rrezik të madh për jetën e të dëmtuarve Shenoll Nesha, Sheqere Kastrati, Tafil Gashi, Ahir Memishi, Idaim Maliqaj dhe Hysen Ajgeraj, që të gjithë zyrtarë policorë të Stacionit Policor “Alfa” në Prizren”, thuhet në pikën e parë të aktakuzës.

Me këto veprime ngarkohet nga prokuroria se ka kryer veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, për të cilën vepër Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim prej 6 muajve deri në 5 vjet burg.

Ndërsa pika 2 e aktakuzës e ngarkon Hallaqin se në po të njëjtën ditë në momentin kur hyn në oborrin e stacionit policor, i drejton armën automatike të dëmtuarës Suzana Xhemajli “dhe i drejtohet me fjalët “ta qi…, mos livrit se të vras” , me ç’ rast te e dëmtuara shkakton frikë të madhe,” thuhet më tej në aktakuzë.

Me këto veprime ka kryer veprën penale përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm për të cilën vepër Kodi Penal parasheh dënim me gjobë deri në 10 mijë euro dhe burg prej 1 deri në 10 vjet.

Ndërsa pika 3 e aktakuzës e ngarkon të akuzuarin se në shtëpinë e tij familjare ka mbajtur armën automatike “Type 56”, bashkë me 49 fishekë të dizajnuar për llojet e pushkëve automatike “AK-47”.

Kjo pikë e aktakuzës e ngarkon me veprën penale mbajtje në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve” për të cilën vepër kodi penal parasheh dënim me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro, ose burgim deri në 5 vjet.

Ndërsa pika 4 dhe e fundit e aktakuzës e ngarkon Hallaqin se në Sheshin “Shatërvan” dëmtoi dhe e bëri të papërdorshme një kabinë publike të telefonit, pronë e PTK-së.

“E godet disa herë me grushta dhe me shqelma dhe me këtë rast i shkakton dëm PTK-së mbi 5 mijë euro”, përfundon aktakuza.

Me këto veprime, Hallaqi ka kryer veprën penale asgjësim apo dëmtimi i pasurisë për të cilën vepër Kodi Penal ka paraparë dënim prej 1 deri në 3 vjet burg./kallxo.com/

Më Shumë

Ish-gazetari Ramadan Baraliu aderon në Vetëvendosje

Ish-gazetari dhe politikologu, MSc. Ramadan Baraliut ka aderuar sot në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai ëshvë mirëpritur nga kryetari i Qendrës së LVV-së në Prizren, Artan Abrashi...

Policia e Kosovës ka një apel për shoferët: Kujdes gjatë vozitjes pas fillimit të reshjeve të shiut në vend

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje drejtueseve të automjeteve që të kenë kujdes gjatë vozitjes pas fillimit të reshjeve të shiut në vend. Në...

Lajmet e Fundit