6.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Shënohet Beteja e Jeshkovës, vihet gurthemeli i Kullës Muze

Përfaqësues të pushtetit lokal, ata të shoqatave të dala nga lufta dhe familjarë të dëshmorëve janë bërë bashkë sot në fshatin Jeshkovë të Prizrenit për të përkujtuar Epopenë e Vërrinit.

Me këtë rast, pas homazheve dhe vendosjes së buqetave me lule në lapidarin e dëshmorëve dhe varrezat e tyre, është vënë edhe gurthemeli i Kullës Muze, projekt ky që do të financohet nga buxheti i komunës së Prizrenit.

Pas vënies së gurthemelit, kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, tha se në këtë ditë të rëndësishme me rastin e 17 vjetorit të Betejës së Jeshkovës, po vendosim themelet e një monumenti që simbolizon përpjekjet titanike të burrave të mëdhenjë të kombit që u flijuan për lirinë e Kosovës.

Ndërkaq, drejtori i turizmit dhe zhvillimit ekonomik, Mensur Bytyçi, tha se Kulla përveç simbolikës së vet, pritet të jetë edhe atraksion turistik për vizitorë, ku mund të kuptojnë nga afër heroizmin e atyre që nuk kursyen asgjë nga vetja për lirinë që e gëzojmë ne sot.

Ish zv/komandanti i ZOP-it, Sadik Halitjaha, tha se ky monument përmbanë në vete edhe luftën e bujshme që bëri zona e Vërrinit në kohën vendimtare për çlirimin e vendit.

Ndërsa Fidan Shala, familja e të cilit i ka dhënë 4 dëshmorë për çlirimin e vendit, thotë se ata ndjehen krenar për veprën e më të shtrenjtëve të tyre, dhe njëkohësisht falënderojnë të gjithë ata që u angazhuan që të fillojnë punimet në ndërtimin e Kullës Muze në Jeshkovë.

Projekti në fjalë do të ketë koston mbi 180 mijë euro, ndërsa për këtë vit janë ndarë 60 mijë sosh. Në bazë të planifikimeve të mëtejme buxhetore, brenda tre vitesh do të realizohet i tërë projekti i Kullës Muze në Jeshkovë. /Tv Prizreni/

Më Shumë

Lajmet e Fundit