7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Sot nis gjykimi për zgjedhjen e rektorit të ri të Universitetit të Prizrenit

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, sot fillon gjykimi rreth zgjedhjes së rektorit të ri të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

Në gjykim do të përballet kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri dhe rektori në detyrë, Ramë Vataj.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri e ka konfirmuar për “PrizrenPress”, fillimin e procesit gjyqësor rreth çështjes së zgjedhjes së rektorit të ri të UPZ-së.

“Për sot na ka ftuar gjykata për këtë çështje”, ka konfirmuar Muhadri.

Rregullsia e raundit të dytë të votimit për zgjedhjen e rektorit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, në maj të këtij viti u kontestua nga një pjesë e anëtarëve të Këshillit Drejtues të këtij universiteti.
Tre nga shtatë anëtarët e këtij Këshilli nuk kanë marrë pjesë në votimin e raundit të dytë, ku në garë për rektor kanë qenë prof.dr. Ramë Vataj dhe prof.dr. Ismet Temaj.

Ky i fundit, në raundin e dytë ka marrë katër vota, derisa rektori aktual Vataj nuk ka marrë asnjë votë.
Përderisa një pjesë e KD-së konsideronte se Temaj e ka marrë mandatin e rektorit, pjesa tjetër e këtij këshilli thekson se procesi i votimit në raundin e dytë ka qenë inekzistent meqë nuk ka pasur kuorum.

Ndërkohë në statutin e UPZ-së shkruan se rektori zgjidhet me dy të tretat e votave të numrit të anëtarëve të KD-së.
Rektori në detyrë i UPZ-së, Ramë Vataj, ndërkaq është ankuar në organet e drejtësisë për procesin zgjedhor të rektorit të ri.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri, tha se zgjedhja e rektorit të ri është bërë në mënyrë të rregullt.
Rektori i ri i UPZ-së, Ismet Temaj tha se tashmë e ka marrë vendimin për marrjen e detyrës së re.

“Me 27 tetor do ta marrë detyrën e rektorit të UPZ-së”, konfirmoi Temaj për “PrizrenPress”.

Ai, tregon se vendimin për marrjen e kësaj detyre e ka në xhep.

Rektori i ri i Universiteti Publik ‘Ukshin Hoti’ në Prizren, Ismet Temaj, e quan normale ankesën e kundërkandidatit, Ramë Vataj.

Sipas tij, humbësit gjithmonë ankohen.

“Gjithmonë ai që humb garën ankohet, kjo është normale për mua, për mua ka qenë garë fer”, tha Temaj./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit